Socialistët nuk do të propozojnë zyrtarisht me firmat e tyre asnjë prej 26 kandidatëve që kanë shprehur interesin për postin e Avokatit të Popullit, por do votojnë një prej emrave që opozita do të sjellë me firma në seancë plenare.

"Do vlerësojmë kandidaturat që janë mbështetura me firma nga opozita. Më pas do vendosim se cilën kandidaturë do mbështesim. Ligji për avokatin e popullit nuk imponon kushtin që një deputet të firmosë vetëm për një kandidat. Pasi të kemi shqyrtuar në grupin parlamentar do të vendosemi se cilën kandidaturë do mbështesim. Do të shprehemi pasi të përmbyllet afati", tha Balla. 

I pyetur nëse do të ketë një vijë të kuqe, apo kriter të panegociueshëm për zgjedhjen e avokatit të popullit, njësoj si 3 vite më parë kur emri i Ledio Brahos që i shkoi për miratim seancës plenare u rrëzua nga mazhoranca duke e cilësuar atë si një “avokat partie”, Balla nuk vendosi kritere të tjera politike.

"Kriteret i ka përcaktuar ligji dhe Kushtetuta. Ndërsa sa i përket votës së deputetëve të Partisë Socialiste, kjo do të jetë pas një vendimi politik të grupit parlamentar. Pasi të kemi parë listën", theksoi Balla. 

Menjëherë pas këtij komunikimi, Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar demokrat, propozoi formulën e zgjedhjes së avokatit të popullit. Bardhi propozon që opozita t’i sugjerojë mazhorancës 6 emra, prej të cilëve shumica zgjedh 3. Më pas, nga 3 emrat e mbetur, opozita zgjedh vetëm një emër të cilin ia propozon seancës plenare për votim.

Ky propozim i është depozituar me një letër kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, nga i cili, kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi, kërkon që të ndjekë një process transparent diskutimi mes grupeve parlamentare në Konferencën e Kryetarëve.  

2 dhjetori është afati i fundit që grupet parlamentare mund të mbështesin me firmë kandidatët që kanë shprehur interes. Deri më tani demokratët kanë mbështetur me firma disa prej tyre si Jola Hysi, Adriana Kalaja, Endrit Shabani, Besim Ndregjoni, Sajmir Visha, Tartar Bazaj, Dardan Mustafa apo Shkëlqim Sulo.

Propozimi i plotë i PD-së

Grupi Parlamentar i PD i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit që të udhëheqë një proces transparent diskutimi mes grupeve parlamentare për emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, në një prej organeve të Kuvendit, ku vlerëson si forumin më të përshtatshëm dhe transparent Konferencën e Kryetarëve. 

Në letrën e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, theksohet se në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë, ndër të tjera evidentohet se: “……Politizimi i emërimeve parlamentare në pozitat e larta të organeve kushtetuese apo institucioneve të pavarura të krijuara me ligj mbetet një çështje serioze.”. “Në këtë kuptim, procesi i emërimeve vijuese nga ana e Kuvendit të Shqipërisë në të gjitha organet e pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, duhet të jetë transparent dhe pjesë e një procesi konsultimi të sinqertë mes të gjitha grupeve parlamentare, me synim ruajtjen e pavarësisë së këtyre organeve dhe respektimin e parimit të meritokracisë.” – thuhet në letrën që Gazment Bardhi i ka drejtuar Kryetarit të Kuvedit dhe për dijeni grupeve parlamentare dhe Trupit Diplomatik në vend. 

Sipas grupit parlamentar të PD, procesi duhet të garantojë ndërveprimin e sinqertë dhe gjithëpërfshirës të të gjitha grupeve parlamentare në emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, sipas rregullave parimore të përcaktuara paraprakisht dhe që i bëhen të njohura opinionit publik dhe kandidatëve përkatës. 

Konkretisht, grupi parlamentar i PD ka propozuar këtë formulë të bashkëveprimit midis grupeve parlamentare:

A.    Për emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, për të cilën kërkohet shumicë e cilësuar (prej 3/5 të anëtarëve të Kuvendit - rasti i Avokatit të Popullit), procesi të jetë i ndërtuar sipas kësaj formule:

a)    Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare propozon deri në 6 (gjashtë) kandidatë të përzgjedhur prej tij, nga lista e kandidatëve që sipas Komisioneve Parlamentare përmbushin kërkesat e kërkuara nga Kushtetuta/Ligji.

b)    Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare të përzgjedhë nga lista e propozuar sipas shkronjës “a” më sipër 3 (tre) kandidatë të pranueshëm sipas tij për votim.
c)    Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare, nga lista e përzgjedhur sipas shkronjës “b” më sipër, propozon për emërim/zgjedhje 1 (një) kandidat.
d)    Seanca plenare voton me konsensus mes të gjitha grupeve parlamentare kandidatin e përzgjedhur sipas shkronjës “c” më sipër. 

B.    Për emërimin/zgjedhjen e organeve të pavarura kushtetuese apo të krijuara me ligj, për të cilën kërkohet shumicë e anëtarëve të Kuvendit, procesi të jetë i ndërtuar sipas kësaj formule:

a)    Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare propozon deri në 6 (gjashtë) kandidatë të përzgjedhur prej tij, nga lista e kandidatëve që sipas Komisioneve Parlamentare përmbushin kërkesat e kërkuara nga Kushtetuta/Ligji.
b)    Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare të përzgjedhë nga lista e propozuar sipas shkronjës “a” më sipër 3 (tre) kandidatë të pranueshëm sipas tij për votim.
c)    Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare, nga lista e përzgjedhur sipas shkronjës “b” më sipër, propozon për emërim/zgjedhje 1 (një) kandidat.
d)    Seanca plenare voton me konsensus mes të gjitha grupeve parlamentare kandidatin e përzgjedhur sipas shkronjës “c” më sipër. 

Në përfundim, grupi parlamentar i PD thekson se opozita mbetet e vendosur për t’u angazhuar në procesin parlamentar të përzgjedhjes/emërimit, vetëm nëse ndërtohet një proces transparent dhe me rregulla të qarta, që garanton pavarësinë e këtyre institucioneve të rëndësishme, si dhe krijon premisën e nevojshme për të ruajtur besimin e qytetarëve tek këto organe.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:36
Me firma të Partisë Demokratike, Endri Shabani zyrtarizon kandidaturën për Avokat të Popullit

1762429416_endrishabani.png

Ish-kreu i Nismës Thurje dhe kandidati për deputetet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Endri Shabani, ka zyrtarizuar kandidaturën për postin e Avokatit të Popullit.

Për Report Tv, Shabani deklaroi se kandidatura e tij është mbështetur në 35 firma deputetësh opozitarë, duke nënkuptuar kështu se Shabani është mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike.

Pas zyrtarizimit, kandidatura e Shabanit pritet t’i kalojë Kuvendit në seancë plenare.

Ora 13:11
PS u ‘tërhoq’ nga kandidaturat për Avokat Populli, Berisha: Ne kemi disa emra, Besim Ndregjoni duhet të votohet

Sali Berisha u pyet nga gazetarët nëse i kanë gati kandidaturat për Avokat Populli, në kushtet kur PS nuk do të propozojë asnjë kandidat. Berisha tha se kanë disa emra, por më favorit duket se është ai i Besim Ndregjonit, të cilin PD e ka çuar edhe më herët në senacë plenare për votim. Ky është emri që duhet të votohet tha Berisha.  

“Ne kemi disa kandidatë që do i paraqesim. Nuk e dija këtë deklaratë të ballës, ai ndryshon. I kemi të listuara, njërit prej tyre Besim Ndregjoni ka qenë në seancë. Në çdo lloj kodi të veprimtarisë parlamentare ai duhet të ishte votuar dhe duhet të votohet, pastaj kanë kandidatura të tjera që PD i mbështet”, tha Berisha.

Ora 11:31
PS s’do të propozojë asnjë kandidat për Avokat Populli, Balla: Do të shqyrtojmë emrat që vijnë nga opozita

Partia Socialiste nuk do të propozojë asnjë kandidat për Avokatin e Popullit. Kështu deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një deklaratë për shtyp. Deklarata e Ballës vjen pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS.

Ai theksoi se do të shqyrtohen kandidaturat nga opozita dhe më pas do të vendosin se cilin emër do të mbështesin.

“PS nuk do propozojë asnjë kandidat për Avokat të Popullit. Do vlerësojmë kandidaturat që janë mbëshetura me firma nga opozita. Më pas do vendosim se cilën kandidaturë do mbështesim. Ligji për avokatin e popullit nuk imponon kushtin që një deputet të firmosë vetëm për një kandidat. Pasi të kemi shqyrtuar në grupin parlamentar do të vendosemi se cilën kandidaturë do mbështesim. Do të shprehemi pasi të përmbyllet afati.

Unë prandaj po bëj këtë komunikim me ju. Është më e mira e mundshme, në këto kushte, të votojmë një nga kandidaturat e propozuara nga opozita. Unë nuk i kam parë të gjitha kandidaturat. Pasi të kemi listat e plota të kandidaturave,pasi komisoni të vlerësohen nëse i kanë përmbushur kriteret", tha Balla.

Teksa u pyet nëse kishin ndonjë komunikim me grupin paralamentar të PD, Balla e mohoi, ndërsa shtoi se shpreson se opozita kandidatët që ka mbështetur me firma, t’i mbështesë edhe në seancë plenare.

"Nuk kemi asnjë komunikim me grupin paralamentar të PD. Ai fakt është që ne nuk po investohemi me mbështetje. Shpresoj që PD, kandidatët që ka mbështetur me firma, t’i mbështesë edhe në seancë plenare. Dua që kuvendi të zgjedhë një Avokat Populli nga opozita dhe të mbështetur nga shumica. Mendoj që qasja jonë është më e mira e mundshme. Ne duam të ecim me një traditë të konsoliduar parlamentare. Në 2012 ne ishim në opozitë, propozuam disa kandidatura dhe më pas investuam me firmën për njërin, dhe ajo kanditaturë u votua", theksoi ai.