/ATSH/.- Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Mehmeti, ka theksuar se të paraburgosurit e grupit të Kumanovës janë torturuar dhe keqtrajtuar.
"Pas grumbullimit të dëshmive dhe informacioneve kemi siguruar dëshmi të mjaftueshme se tek një i paraburgosur është kryer torturë. Edhe në rastet e tjera të të paraburgosurve kemi informacione për keqtrajtime e tortura dhe këto denoncime janë bërë edhe nga avokatët dhe të afërmit e të paraburgosurve", deklaroi Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti, informon INA.
Ai ka përmendur edhe rastin e një polici të paraburgosur, që siç thuhet është keqtrajtuar dhe torturuar nga kolegët e tij. "Kemi informacione dhe të dhëna se personi i punësuar në polici që është nga Kumanova është trajtuar keq që kur është dhënë masa e paraburgimit. Për ne personat zyrtarë që kanë kryer akte të tilla nuk janë të njohur, por për organet e tyre përgjegjëse ata janë të njohur dhe dihet se cilët kanë qenë policët", deklaroi Mehmeti.
Ai theksoi se në burgun e Shutkës janë vizituar vetëm një pjesë e të paraburgosurëve dhe jo të gjithë dhe se për disa nuk dihet akoma gjendja e tyre.