Përmes një rekomandimi që ky insituticon i dërgon Qeverisë Rama dhe Parlamentit në emër të respektimit të të drejtave të njeriut, kërkon që të bëjnë gati një ligj për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, apo dhe të agjentëve të huaj. Kërkohet gjithashtu ky ligj të jetë gjithëpërfshirës që të garantojë një proces real dhe transparencën e munguar për më shumë se dy dekada.
Avokati i Popullit vë në dukje se sot ndodhemi para një ngërçi institucional dhe ligjor, i cili afekton të gjithë jetën politike, sociale dhe psikologjike të shoqërisë shqiptare. “Një ligj i tillë - thotë Avokati i Popullit - do të ndihmojë në radhë të parë, viktimat e ndjekjes dhe persekutimit nga ish regjimi i mëparshëm por dhe distancon këtë veprimtari nga individët që e kanë ushtruar atë, me qëllim që të arrihet në konkluzionin se, “kush është kush” dhe se çfarë vlerash bart dhe duhet të bartë ai, pavarësisht vendit që ka zënë aktualisht në shoqëri”.
“Ky proces gjykojmë se është një nga çështjet e vonuara dhe ende të pazgjidhura të shoqërisë sonë, duke kërkuar ndarjen nga e kaluara totalitare dhe antivlerat e saj, si dhe nxjerrjen e drejtësisë historike nepermjet transparencës në jetën publike”- thuhet në deklaratën e bërë publike sot nga ky institucion.
“Nevoja për një ligj të tillë është ndër të tjera e lidhur ngushtë edhe me krijimin e besimit në opinionin publik, për kryerjen e një procesi real të hapjes së dosjeve në vend që do të bëjë transparencën e krimeve dhe pasojave të tyre nga sistemi i mëparshëm dhe që do të sigurojë të qeverisurit sot se, klasa aktuale qeverisëse dhe individë në nivele të tjera postesh publike, apo edhe përfaqësues të shoqërisë civile, nuk do të mbartin paragjykimin dhe frymën antidemokratike të përsëritjes të asaj ç’ka ndodhur në të shkuarën”- argumenton Avokati i Popullit.
Shqipëria pas rënies së komunizmit ka miratuar dy ligje që kishin për qëllim hapjen e dosjeve por rezultuan të pasuksesshme në kuadër të respektimit të normave, parimeve dhe vlerave demokratike të shtetit të së drejtës.
Ligji numër 8043 datë 30 nëntor 1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, nuk arriti të konfigurojë një proces të plotë dhe real.
Më pas erdhi ligji nr.10034 datë 22 dhjetor 2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj numër 9 datë 23 mars 2010 si i papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit
“Sot pra, ndodhemi para një ngërçi institucional dhe ligjor, i cili afekton të gjithë jetën politike, sociale dhe psikologjike të shoqërisë shqiptare, për shkak të mungesës së një filtri ligjor, që përputhet me një qëndrim parimor në këtë çështje, për të ditur se cilët janë në raport me të shkuarën, individët politikëbërës, drejtues dhe vendimmarrës, apo përfaqësues”, thuhet në deklaratën e tij Avokatit të Popullit.
“Ky ligj i ri duhet të sigurojë një balancë të kururar midis të drejtës për akses të publikut dhe të drejtës për mbrojtjen e privatësisë, konkretisht të mbrojtjes së të dhënave personale të subjekteve të përcaktuara në të”, - thuhet në rekomandimin që Avokati i Popullit u dërgon kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare dhe deputetëve të pavarur.
REKOMANDIMET E AVOKATIT TE POPULLIT
Është mëse e nevojshme ndërmarrja e inisiativës legjislative nga subjektet që e gëzojnë këtë të drejtë, me qëllim hartimin dhe miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve, i cili duhet të sigurojë një proces administrativ që:
1.Lehtëson aksesin individual në të dhënat që ish shërbimet sekrete kanë mbledhur ndaj personave të interesuar, qofshin këta individë të ndjekur nga ky shërbim dhe që kanë vuajtur pasojat e kësaj veprimtarie, punonjës me kohë të plotë, apo informatorë të vetë shërbimeve sekrete, apo edhe përfitues prej veprimtarisë në fjalë.
2.Realizon bërjen e transparencës për individë të implikuar në veprimtarinë represive shtetërore, deri në nivel të përfaqësuesve të shoqërisë civile.
3.I’u siguron entiteve publike dhe private, aksesin në informacion e sipërcituar, në përputhje me qëllimin e vetë procesit të hapjes së dosjeve.
4.Realizon transparencën publike të aktiviteteve represive të ish shërbimeve sekrete, me përcaktimin se, aksesi është personal dhe me kufizime ligjore në publikim.
5.Mbron subjektin përkatës të të dhënave nga cënimi i së drejtës për privatësi, cënim i cili mund të shkaktohet nga keqpërdorimi i të dhënave personale të mbledhura nga ish shërbimet sekrete.
6.Krijon organe kompetente dhe rregullon funksionimin e tyre, si organe përgjegjëse për kryerjen e procesit të hapjes së dosjeve.
Rekomandimi e Avokatit të Popullit për hapjen e dosjeve