Avokati Zaçe Islami ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Studio Live’ në Report Tv për të diskutuar për një zërë çështjesh të zhvillimeve të fundit në vend.

Islami komentoi dhe operacionin e SPAK të realizuar ditën e sotme në bashkëpunim me ndërkombëtarët ku në pranga ranë 10 persona mes tyre dhe djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, të përfshirë në trafikun e drogës.

Sipas avokatit Islami, grupet kriminale dhe eksponentët kriminalë mbrohen nga shteti, ndërsa shton se policia nuk e kryen plotësisht detyrën.

“Drogën e mbron direkt qeveria shqiptare, direkt kryeministri. Çfarë i pengon këta që të shkojë të zbulojnë drogën në Krujë që është një dorë vend. Ju e thatë që janë njerëz të ish-deputetit Rraja, çfarë faktesh doni.

Këta duan të thonë që ka bërë punë policia, kapin një pako hashash të mykur, i bëjnë foto i vënë dhe flakën”, tha avokati.

Zaçe Islami foli dhe për zgjedhjen e kreut të SPAK ditën e nesërme, për të cilin tha se është një institucion në varësi të pushtetit.

“SPAK është tërësish i varur nga kryeministri dhe nuk mund të jenë të pavarur. Vetëm nëse do të ishin të votuar nga populli do të ishin të pavarur”, tha ai.