Gazeta vijon të botojë pjesë nga protokolli origjinal i mbajtur në të parat mbledhje të komisionit nismëtar të PD në ditët e para të themelimit të kësaj partie. Në mbledhjen e komisionit nismëtar të PD, u zgjodh Azem Hajdari kryetar i këtij komisioni, dhe për këtë arsye ai konsiderohet kryetari i parë i PD-së. Ishte zgjedhur ta mbante këtë post deri në një moment të dytë kur partia të ishte më e organizuar. Në mbledhjen e parë të komisionit nismëtar të PD u zgjodhën anëtarët e grupeve të punës, si grupi i shtypit, grupi i financave, grupi elektoral etj. Në përbërjen e këtyre grupeve spikat emri i Edi Ramës, kryetari aktual i PS. Edi Rama ishte një ndër më radikalët e protagonistëve të dhjetorit 90, por historia e tij e përbashkët me PD ishte shumë e shkurtër.
Duket të ketë qenë një figurë e rëndësishme për kohën, përderisa ishte zgjedhur të ishte anëtar i dy grupeve të rëndësishme të punës, që do të organizonin Partinë Demokratike drejt zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit. Edi Rama ishte zgjedhur në grupin e punës për çështjet elektorale si dhe në grupin e punës për statusin dhe programin e partisë. Në përbërjen e grupeve të punës bëjnë pjesë anëtarët e komisionit nismëtar të PD por edhe emra të tjerë jashtë këtij komisioni, protagonistë të ngjarjeve të dhjetorit. Më poshtë botohet mbledhja e komisionit nismëtar në datë 13 dhjetor, kur po zgjidhej kryetar Azem Hajdari. Teksti më poshtë referohet në mënyrë rigoroze protokollit të shkruar me dorë nga mbajtësja e këtij protokolli Ilenja Mëhilli.
Protokolli i plotë:
"Mbledhja e parë e komisionit nismëtar me disa të ftuar, e cila e ka për detyrë të përcaktojë grupet.
Foli prof. Gramoz Pashko: Ky është një komision nismëtar me disa të ftuar që përfaqësojnë disa shtresa. Përpara tij shtrohen disa probleme që brenda 10-12 ditësh duhet të zgjidhen.
Si pika problemesh
1-Duhet të përgatitet statuti
2-Duhet të bëhet programi elektoral që të paraqitet njësoj me atë të partisë tjetër
3-Një komision që duhet të drejtojë
4-Një komision që duhet të përgatisë këtë program
5-Komisioni i sekretarisë
6-Komisioni i parave, arkave
7- Duhet një bërthamë që duhet të merret me shtypin e çdo gjë, e këta njerëz që … Duhen ndarë detyrat sipas grupeve që puna të mos dështojë e të bëhet në mënyrë më të mirë se ky ka përmasa monstruoze. Forca jonë duhet të jetë vetëm cilësia, ne kemi fituar vetëm nga zemërimi me partinë tjetër që ka punuar pa gjak.
Profesor Sali Berisha tha që grupet kryesore janë ato organizative e financiare. Grupi organizativ më i rëndësishëm për jetën e partisë. Edhe shtypi duhet të ketë një rëndësi të madhe. Duhet patjetër grupi organizativ. Beni, votën ia dha Gramozit.
Një grup që do të shkojë në ministrinë e drejtësisë. Prof. Gramozi tha që të lëmë një grup të veçantë e të lëmë disa vende të veçanta ku do të futen ato të rretheve. Të krijohet një komitet të kësaj pune, organizues të këtyre punëve. Debate të ketë, apo jo përgjegjës për çdo sesion. Me statutin do merret grupi organizativ me pjesëtar të jashtëm. Duhet një komitet që të merret me organizimin e këtyre punëve, me statutin etj. Duhen tete veta. Më vonë mbledhja e u ndërpre për arsye të njoftimeve të televizionit për gjendje jo të rregullt. U nisën grupe pune në rrethe. Mbledhja do të vazhdojë nesër në mëngjes".
Shkrimi i studimepolitike.com u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com (versioni print)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)