Berisha flet me nostalgji për Enver Hoxhën: Në regjimin e tij pasuritë ishin të shtetit, kurse sot të këtyre hajdutëve (vetë i pandehur për aferën 'Partizani')

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot (24 Janar) një takim me anëtarëve të departamentit ‘Brain Gain dhe Ekselenca'. Teksa sulmoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama për abuzimet qeveritare që nga 2013, ai tha se gjatë qeverisjes së tij Shqipëria pati rritje me 21 herë.

Por, nuk i shpëtoi dot nostalgjisë për kohën e komunizmit, teksa akuzoi ish-regjimin, foli edhe për ‘sinqeritet’ me nostalgji për modelin e Enver Hoxhës, që “pasurinë ia linte shtetit”, kurse pushtetarët e sotëm e marrin për veten e tyre, duke harruar se ka qenë për gati 13 vite në drejtimin e vendit, ndërsa vetë është i pandehur për aferën "Partizani".

“Partia tjetër kishte një trashëgimi shumë të rëndë, kishte trashëgimi krimin politik, kasaphana e luftës së klasave, tradhtinë e çështjes kombëtare pasi ishte themeluar nga Beogradi në vitin 1941. Nuk duhet të harrojë kush se në atë kohë, Partia e Punës së Shqipërisë, qe e dyta parti në vendet ish-komuniste e cila nuk u shkri, por ndryshoi emrin në Parti Socialiste”, u shpreh Berisha.

Më tej u shpjegoi të rinjve dhe të pranishmëve për nomenklaturën komuniste dhe ata që i quajti “njerëz gjysmë hije”, një tjetër detaj ku duket se harron se ka disponuar një teser si anëtar i Partisë Komuniste. Ai iu referua edhe librit të Bashkim Shehut në një moment.

“Në diktaturë ishin ministrat, sekretarët e parë, anëtarët e byrosë. Por kishte gjithnjë një grup njerëzish në gjysmë hije, të cilët ishin njerëzit më të rëndësishëm, më të çmuar të tyre. Cilët ishin do thoni ju? Ata që torturonin njerëzit në qeli, dhe që i detyronin të firmosnin ato që donin. Ata ishin padiskutim njerëzit e ‘karta bianka’, sepse aq jetik ishte krimi për ta. Dhe ishin të vetëdijshëm. E ka shkruar mirë Bashkim Shehu; na thoshte nëna, kthehuni shpejt, se kemi armiq. Është identike sot metamorfoza e partisë së krimit përsëri, tani jo mbi baza ideologjike, por mbi baza mafioze të pakufishme. Sot krimi në këtë parti e merr një anonim dhe e çon në pozicionin e dytë në Durrës, pas Edi Ramës deputet”, tha kreu i selisë blu, i cili prej mëse një viti është i akuzuar për dosjen “Partizani”.

Berisha tha se Rama kontrollon “në mënyrë dragoniane” pushtetin dhe përfitimet, se ka pushtuar zyrën më nevralgjike të të gjithë urbanistikës së vendet, lejeve të ndërtimit dhe resorteve turistike.

“Kjo diktaturë sot është 2 herë, 3 herë me e centralizuar se diktatura më Staliniste, që ishte diktatura e Enver Hoxhës”, shtoi ai.

Dhe këtu hyn më thellë, duke iu referuar narkodiktaturës, të cilën sipas tij Huntigton “e ka quajtur, forma më e keqe e diktaturave”, duke shprehur edhe habinë se si “shqiptarët nuk i rezistuan stalinizmit”.  

Duke folur për tentativën e asgjësimit të PD-së nga qeverisja aktuale, për t’i marrë vulën dhe zyrën, ai ngriti lartë vlerat e presidentit Donald Trump që tha se pati kundër të gjithë faktorin mediatik dhe ia doli, teksa sulmoi Xhorxh Soros për eksperimentet e tij.

Por nuk i shpëtoi dot nostalgjisë për komunizmin dhe Enver Hoxhën si figurë, duke shprehur edhe “sinqeritetin” për modelin e shtetit që ai ndërtoi në lidhje me pasuritë.

“Këta kanë konceptin se është pronë e tyre, nuk mund të ndodhë ndryshe. Edi Rama me haramin e presidencës (i referohet Begajt) marrin portet e jugut, në kundërshtim me çdo ligj. Gjykata Kushtetuese i ndalon, nuk ka vlerë, sepse ata i konsiderojnë të tyren. Do të them një gjë unë ju. Për Enver Hoxhën, dhe suitën e tij, Shqipëria ishte pronë e shtetit të tij. Përveç shtëpisë që quhej pronë personale, çdo gjë tjetër quhej e shtetit. Por ama të jem i sinqertë, jo e tij, e shtetit. Kurse sot është absolutisht e këtyre hajdutëve që shtrijnë dorën e zezë dhe vjedhin çdo gjë”, tha Berisha, duke harruar se edhe vetë ka qenë pjesë e pushtetit.

Në fund vuri theksin te abuzimet miliona euro të qeverisë me buxhetin, taksat, oligarkët, duke premtuar pensione dhe rroga të larta dhe zhvillim ekonomik. Ai i bëri thirrje Diasporës që të merrte pjesë masivish në votime, pavarësisht se PD ka shprehur sot pakënaqësitë e para për procesin dhe procedurat. 

A.Q/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 24 Janar, 09:42

    Sa i drejtë do të jetë procesi i primareve në PD?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Ndjekje si në filma në rrugët e Padovës, shqiptari i droguar dhe me precedentë përplas makinën me murin!

Itali/ Ndjekje si në filma në rrugët e Padovës, shqiptari i droguar dhe me precedentë përplas makinën me murin!