Këshilli i Qarkut Elbasan ka akorduar titullin “Nderi i Këshillit të Qarkut Elbasan” për Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtërinë e Tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, në vlerësim të kontributit të tij të spikatur fetar, atdhetar dhe shoqëror.
Ky vlerësim i dhënë nga Këshilli i Qarkut Elbasan thekson rolin e rëndësishëm të Kryegjyshit në përmbushjen e misionit bektashian “Pa Atdhe, nuk ka fe”, si dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për paqen dhe harmoninë njerëzore në nivel kombëtar e botëror.
Gjithashtu, u vlerësua kontributi i tij në ruajtjen dhe promovimin e traditave fetare, kulturore, historike dhe atdhetare në bashkitë e Elbasan, si edhe mbështetja konkrete për projekte të institucioneve dhe komunitetit elbasanas në dobi të shoqërisë dhe të ardhmes.
Në fjalën e tij pas marrjes së këtij vlerësimi, Kryegjyshi Botëror Bektashian u shpreh se ky është një nder i veçantë:
“Ky titull nuk më përket vetëm mua, por është nderim për gjithë trashëgiminë shpirtërore, për të gjithë ata që kanë shërbyer me përulësi dhe për gjithë besimtarët. Ky vlerësim më forcon edhe më shumë në këtë shërbim për të qenë më pranë njerëzve”, tha Baba Mondi.
Komente











