Babagjyshi në Himarë vjen me parashutë. Një zgjidhje krejtësisht e veçantë dhe ndryshe në Himarë, aty ku Babagjyshi i Krishtlindjeve ka mbërritur nga qielli me parashutë, teksa është pritur nga fëmijët në shëtitoren e Himarës.
Një surprizë e bukur për të gjithë, në një ditë feste, ku Himara këtë vit ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të festuar së bashku me banorët dhe fëmijët.
Ndërsa një vit më parë Babagjyshi vinte nga deti, këtë vit është menduar një tjetër zgjidhje po aq e veçantë, duke sjellë gëzim dhe padyshim dhurata për fëmijët. Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, e ka quajtur një moment shumë të bukur këtë zgjedhje, duke sjellë Babagjyshin nga ajri, ndërsa surprizat në Himarë nuk do të mungojnë, teksa për çdo vit është menduar diçka ndryshe.
“Rituali i përvitshëm i babagjyshit. Menduam që këtë vit ta sillnim në një mënyrë tjetër. Këtë vit e sollën nga ajri, vjet nga deti. Tashmë kjo është një festë tradicionale. Është viti i dytë që po e organizojmë. Gëzimi në fytyrat e fëmijëve ishte i qartë”, tha Vangjel Tavo.
Mes gëzimit të festës dhe këtij momenti të veçantë nuk kanë munguar urimet edhe nga fëmijët e banorët e Himarës në festën e Krishtlindjeve.
Himara ka zgjedhur për të dytin vit radhazi një mënyrë krejt të veçantë për ardhjen e Babagjyshit, duke preferuar që këtë vit të mbërrinte nga ajri, ndryshe nga viti i kaluar kur mbërrinte nga deti. Dhe natyrisht, surpriza lihet edhe për vitin tjetër.










