Bajram Peçi: 'Rama ik!', arrogancë tipike e tokës së xanun

Bajram Peçi: 'Rama ik!', arrogancë tipike e tokës së xanun

Sado që duan të gënjejnë veten, është e pa mundur që të ndodhi ajo çka kërkon kreu i Partisë Demokratike. Zotëria e tij i drejtohet jo arsyes, kur, një e dy, lëshon broçkullën se duhet të iki Edi Rama nga posti i kryeministrit. Kjo s’mund të ndodhi, jo pse ai s’ikën dot, por se nuk e lënë. Me ikjen e tij rrokulliset përfundimisht Partia Socialiste në një humnerë nga ku nuk do jetë në gjendje të ngrihet dot më. Dhe këtë Berisha me Lulin e dinë. Pa dyshim që Lulzim Basha ka një strategji kur kërkon pikërisht të pamundurën. Është kjo strategji shkaku që ai nuk e braktis si ide: me Edi Ramën në krye të socialistëve gjasat që Basha të fitojë zgjedhjet vendore apo të përgjithshme janë apo duken të pamundura. Kjo do të thotë që ai, Lulzim Basha, të iki, të lërë postin e kryetarit të partisë të lirë për dikë tjetër, me mundësisra më të shumta dhe shpresa më të mëdha. Ky do ishte dhe fundi i karierës së tij në politikë ose do ngelej diku në periferi të saj. Politika kështu e ka, sidomos kur vjen nga anonimati e katapultohesh përpos se si vlerë tënden ke të qenit i përkëdheluri i Sali Berishës.

 Si mund t’i plotësohet dëshira këtij njeriu dhe kësaj partie? Ti mund të kesh nderin të mbash një post të lartë, atë të shefit të opozitës, fëmijët nuk të vuajnë për bukë, familjen e të afërmit i ke të “kapur”, pse nxiton nga protesta në protestë dhe kërkon këtë nder nga kundërshtari politik? Mënyra terroriste dhe forma obskurantiste se si e kërkon “nderin”, për më tepër nuk bëjnë pjesë aspak në traditën e demokracisë perëndimore, e cila e njeh të braktisur shtrirjen ideollogjike e praktike të kësaj forme prej kohës së fashizmit, në çerekun e dytë të shekullit të XX.

 Po, çfarë të kushton të gënjesh pak edhe të tjerët? Mund të bësh kauzë tënden, psh., përkeqësimin relativ të kushteve të jetës të popullit, që me qeverisjen tënde pa tjetër do përmirësohet, por pa qenë në gjendje ta shpjegosh racionalisht; po sikur të premtosh më shumë cilësi të shërbimeve sociale, ndonëse nuk e dise si do ta bësh; premto herë pas here rroga më larta e pensione më të begata, pa e patur idenë se nga ku do dalin! I them e shkruaj këto se janë ushtrime kaq bajate e rutinore, ngase ske programe.

 Të gjithë kështu thonë: jo për pushtetin e tyre, por për popullin! Krekosja mes pasurisë (prona publike ka qenë e është në trajtim si domen i tyre) dhe fodullëku ka çuar një pjesë njerëzish drejt politikës. Bëhen ligjvënës, por janë dhe biznesmenë. Të tjerë në sistemin e drejtësisë, deformuan shënjtërinë e drejtësisë për shkak të të ndjerit të pa nginjur me pasuri. Vëndet që vetingu i detyroi të lënë bosh, paraqiten me keqdashësi si mungesë e institucioneve dhe vete drejtësisë. Në të drejtën romake një hajdut kuajsh dhe një gjykatës i korruptuar me para, ndëshkoheshin njëlloj për përdhosjen e shoqërisë dhe fyerjen e autoritetit perandorak. Një vend bosh, në çdo pikëpamje qëndron moralisht më lart nga një njeri i padrejtë, i koruptuar.

 Në partitë e mëdha, që përfaqësojnë kandidatet e para për marrjen e pushtetit përmes zgjedhjeve, nuk është parë në Europë asnjë prej tyre deri tani, që të promovojnë urdhëra detyruese për të gjitha partitë e tjera. Kjo ndodh vetëm në diktatura, është mjet i talibanëve, i huaj për qytetërimet perëndimore. Viktima e pare, në këtë sjellje të marrësh, është kushtetuta. Deklaratat fyese deri në inflacion, shpifjet e baltosjet antirama, për t’i dhënë peshë kërkesës “Rama ik”, është e sigurt se do ketë rezultat një vendim të qendrueshëm të të gjithë anëtarësisë së Partisë Socialiste, që kjo, largimi nga kryeministër, sdo ndodhë kurrë pa votë popullore. Efektin, kushdo mund ta shohë, që është e kundërta e asaj që kërkon opozita e bashkuar. Shtoi kësaj dhe qëndrimin kundra të personaliteteve dhe forumeve politike europiane, që shohin dialogun si zgjidhje të krizës dhe jo ultimatumet, lipset të shihet në dritë të diellit se “Republika e re” e kaosit institucional të Lulzimit ka vdekur.

 Sido që të shkojnë gjërat, dihet se masat popullore do jenë të përdorura në këto situata gjithnjë e më shumë nga partitë; do organizohen e do përdoren në konflikte, të dy palët do valëvisin në demonstrime e protesta flamurin kombëtar dhe atë të Shteteve të Bashkuara, do krijojnë ndoshta edhe rrëmuja, largqoftë dhe të vdekur (që opozita aq shumë e dëshiron të ndodhë), por kjo nuk do ndihmojë që të iki Edi Rama nga kreu i qeverisjes.  Rrëmujat, bombat Molotov, dhuna ndaj policisë do mund të ndihmojë në rëndimin e tensioneve dhe në acarimin e konflikteve, por nuk do i japi zgjidhje ultimatumit të PD-së, “Rama ik”. Arti i politikës në fund të fundit është pjellë e qytetit.

 Nuk është thjesht se po ikën Rama, por, siç vetë ai e ka vënë në dukje, “...nuk i tradhton votuesit e tij”. Në një farë mënyre është prerje në besë, e cila do lëkundë elektoratin, do krijojë mosbesim, indiferentizëm. Pakënaqësitë e grumbulluara nga ky komunitet në politikat fiskale të ushtruara nga qeverija, pranimi i reabilitimit të krerëve të fashizmit, bashkëpuntorëve të nazifashistëve, heshtja dhe gjendja e mekur ndaj Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, nuk kanë kaluar pa u vënë re. Ka qorra te Partia Socialiste që nuk shohin tej hundës së tyre fodulle. Këtyre do t’u shtohej dhe shpërdorimi i votës së tyre. Kjo shtresë e popullsisë, siç mund ta ketë vënë re kushdo, në shumicë ka alergji nga banda e Sali Berishës, koha e tmerrshme që kaluan nën sundimin e tij, nepotizmin e pështirë, aparatin policor dhe luftën e klasave që instaloi. Është përvoja e atyre viteve që i nxit të votojnë Partinë Socialiste. Nëse shohin se Kjo parti u dorëzohet ultimatumeve dhe agresivitetit të Partisë Demokratike e LSI-së, ky do jetë vërtet fundi i Edi Ramës.

 Përdorimi i një episodi të regjistruar mes një banditi në Shijak dhe kreut të Bashkisë Durrës, është e vetmja akuzë domethënëse, të cilën opozita e ngriti në sistem. Si kjo e të tjera si këto, Partia Demokratike dhe LSI-ja i kanë dosjet plot. Por, a ka gjasa që raste sporadike të vrejtura e që do vrehen edhe në të ardhmen, të jenë në gjendje të ndryshojnë strukturën përfundimtare të votimeve e cilësimin të lira? S’mund të ndodhë!

 Të pranosh këtë është fyerje e intelektit të popullit, do të thotë të tallesh me të, t’i paraqesësh sikur shumicës së votuesve mund t’ja marrësh e blesh votën. Nuk ka më turp t’ua përmendesh këtë qytetarëve të lirë. Ata kanë votuar e do votojnë në shumicë me bindjet e tyre, votën do ta çojnë atje ku u do qejfi e bindja. Krerët e Partisë Demokratike përplasen kuturu në errësirën ku ka futur veten e anëtarët e saj. Jetesa në komunitet mbështetet në tolerancën. Ne njerëzit jemi të dënuar të trajtojmë njëri-tjetrin me dashuri dhe jo me urrejtje, siç ka marrë revan Lulzimi dhe ata që I qëndrojnë nga pas.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • rondi: 12/06/2019 10:03

    Bajram Peçi.....ke respektin tim.nuk me duhet ta di nga je,kush je,cfar ben ne jete.keto qe shkruan tregojne qe je nje qytetar dhe individ me vlera. pata kenaqesi dhe ndjeva shijen e bukur te kultures qytetare duke lexuar keto rrjeshta. faleminderit...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën