Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami thotë se arsimi është prioritet i Qeverisë së Kosovës në këtë mandat.
Sipas KosovaPress, gjatë një takimi me shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz-Galluci, u diskutua lidhur edhe me gjendjen në arsimin parashkollor, arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, të drejtat dhe arsimimin e komuniteteve, si dhe prioritetet e Ministrisë së Arsimit në katër vitet e ardhshme.
"Arsimi është prioritet i Qeverisë së Kosovës në këtë mandat, kemi një program të mirë katërvjeçar, i cili do të mundësoj ngritjen e cilësisë. Ndaj, bashkëpunimi i ngushtë i Ministrisë së Arsimit me partnerët e saj të rëndësishëm, e bënë më të lehtë arritjen e këtij synimi", citohet të ketë thënë ministri Bajrami.
Ai, po ashtu ka theksuar edhe rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes MAShT-it dhe Këshillit të Evropës, sa i përket realizimit të planit për përmirësimin e cilësisë në arsim, në të gjitha nivelet.
Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz-Galluci shprehu gatishmërinë e saj për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe mbështetjen e vazhdueshme në sektorin e arsimit.
"Ne do të vazhdojmë ta përkrahim zhvillimin e arsimit në Kosovë, me të gjitha kapacitetet që kemi në dispozicion", citohet të ketë thënë Servoz-Galluci./atsh/