PRISHTINË, 6 Mars/ATSH/.- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, mori pjesë sot në ceremoninë e festimit të 2-vjetorit të themelimit të universiteteve publike "Kadri Zeka" në Gjilan, "Isa Boletini" në Mitrovicë dhe "Fehmi Agani" në Gjakovë, ceremoni që këtë vit u mbajt në Gjilan.
Sipas KosovaPress, ministri Bajrami u shpreh se, kjo është një ditë e veçantë për arsimin e lartë në Kosovë, sepse po shënojmë përvjetorin e dytë të themelimit dhe të punës së suksesshme të universiteteve publike në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë.
"Jemi mbledhur këtu për të festuar dhe t'u zotuar që të punojmë bashkë që këto universitete të reja t'i bëjmë vatra të fuqishme të arsimit dhe edukimit", tha ai.
Në vazhdim, ministri Bajrami theksoi se, Qeveria do të punojë me përkushtim të plotë në zhvillimin e kapaciteteve të plota të këtyre universiteteve. "Do të përkrahim synimet e këtyre universiteteve në ngritjen e cilësisë dhe ndërtimin e kampuseve moderne në mënyrë që të ofrojmë arsim cilësor me standarde evropiane".
Po ashtu, theksoi ministri, do të promovojmë autonominë e plotë financiare dhe akademike të universiteteve, bashkëpunimin ndëruniversitar dhe programe të reja për studim.
Ministri Bajrami foli edhe për ligjin për arsimin e lartë dhe atë për profesionet e rregulluara dhe ftoi studentët dhe profesorët që të jenë pjesë e diskutimeve, sepse siç tha ai, këto ligje do të jenë në favor të studentëve dhe cilësisë.
Ministri Bajrami ftoi studentët që të kërkojnë kushte më të mira për studim dhe profesorë më të përgatitur. Sa i përket Universitetit të Gjilanit, ministri Bajrami theksoi rëndësinë gjeografike që ka ky Universitet, sepse lidh këtë pjesë të Kosovës me Luginën e Preshevës.
/m.m/