TIRANE-Kur kanë kaluar më shumë se 10 muaj shpallja në kërkim e ish zyrtarit të transporteve të Sarandës i dyshuar si kreu i trafikut të drogës në Ballkan, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon letër porosi drejt Greqisë nga ku kërkon informacion shtesë për Klement Balili.

Sipas burimeve për ReportTv informacion kërkohet për përgjimet e pjesëtarëve të dyshuar si bashkëpunëtorë të Balilit si dhe procesverbalet e sasisë së drogës të sekuestruar në shtetin helen.

Kështu Krimet e Rënda bënë me dije se nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë i është kërkuar informacion shtesë homologëve grek në lidhje me përgjimet që janë regjistruar midis Balilit dhe palës tjetër të grupit në Greqi, mbi sasinë e drogës të sekuestruar në Greqi dhe dokumentuar si drogë e trafikuar nga ky grup.

Kjo letër porosi vjen në një kohë që në Shqipëri ndaj Balilit ka nisur një procedim penal pranë Krimeve të Rënda por për këtë procedim krimet e rënda nuk kanë ende asnjë rezultat apo komunikim zyrtar me mediat dhe publikun.

Prej 17 Maj 2016, Balili është në kërkim për llogari të drejtësisë Greke e më pas asaj Shqiptare por arrestimi i tij nuk është bërë i mundur as në vendin tonë dhe as në shtetin helen ku herë pas herë ka pasur informacion se ai fshihet.

Një muaj më parë Shqiptarja.com dhe Report Tv zbuloi të dhënat e urdhër-arrestit grek ndaj Balilit ku sipas policisë Greke në dy vite 2014-2016, ai ishte i dyshuar për tonelata droge të trafikuara në Europë, përfshi kanabis e kokainë.

Po pikërisht këtë informacion e prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon në rrugë zyrtare pasi e dhëna e vetme e sasisë së drogës që ata disponojnë në material është ajo prej 670 kg kanabis e trafikuar nga Saranda drejt Greqisë më 6 Maj 2016 ditë kur u arrestuan dhe anëtarët e grupit të tij.

Ndër të arrestuarit si të dyshuar pjesë e grupit të Balilit janë dhe vëllezërit Poti për të cilët gjykata Belge vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa në Greqi, gjykata ka rikonfirmuar arrestin me burg në mungesë ndaj Balilit dhe arrest me burg për 4 të arrestuar mes tyre dhe skafistët e kapur më 6 Maj 2016.

Balili, ish zyrtar i Transporteve ndodhet në kërkim ndërkombëtar ndërsa dyshimet më të mëdha janë se ai fshihet brenda territorit të vendit tonë.

Policia e Shtetit ka realizuar disa operacione per kapjen e tij, por pa sukses.

(d.b/Shqiptarja.com)