Me pamje nga kriporet shumëngjyrëshe të Nartës, Taulant Balla thotë se asgjë nuk e largon Shqipërinë nga transformimi i saj. Ai shkruan se askush s’do t’ia dalë më ta tërheqë poshtë Shqipërinë dhe ajo e populli shqiptar s’do të frikësohen nga ëndrrat dhe sfidat e mëdha.

Kreu i grupit parlamentar të PS thotë se Shqipëria do të bëhet “princeshë e turizmit mesdhetar” dhe askush s’do të bëjë hapa pas, pavarësisht sulmeve nga “ushtria e llogarive false.”

“Ju përshëndes me bukurinë e ngjyrave fantastike nga Kriporet e Nartës. Ju lutem lexojini këto katër fjali më poshtë:

Kushdo që do përpiqet ta tërheqë Shqipërinë prapë poshtë, nuk do t’ia dalë kurrë më.

Shqipëria nuk do të frikësohet nga ëndrrat e mëdha.

Populli shqiptar nuk do të struket përballë asnjë sfide të madhe.

Së bashku ne do ta bëjmë Shqipërinë europiane princeshë të turizmit mesdhetar dhe do t’u tregojmë edhe të gjithë atyre që e përgojuan si s’ka më keq shtetin tonë, se Shqipëria e ka shumë seriozisht transformimin e saj epokal.

‘Tani ushtria e llogarive fallco turruni në sulm, por asnjë hap mbrapa nga ne sa më sipër. E morët vesh!”, shkruan Balla.