Shqipëria ka marrë një tjetër sinjal mbështetjeje nga Partitë Popullore Europiane për objektivin e mbylljes së negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.
Mesazhi u dha gjatë takimit që kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, zhvilloi me Andrey Kovatchev, zëvendëskryetar i Komitetit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian dhe raporter i PPE-së për Shqipërinë.
Sipas njoftimit, Kovatchev riafirmoi mbështetjen e Bullgarisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, si edhe për objektivin e përmbylljes së negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.
Gjatë bisedës, Balla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë dhe të PPE-së për rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ndodhet më pranë se kurrë realizimit të synimit për t'u bërë anëtar i Bashkimit Europian.
Në takim u diskutua edhe anëtarësimi i Bullgarisë në zonën euro gjatë këtij viti, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi u vlerësuan si dy vendet më të avancuara të rajonit në procesin e integrimit europian.
Balla shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e Parlamentit Europian dhe të PPE-së ndaj Shqipërisë, mbështetje që sipas tij reflektohet edhe në draft-rezolutën për vendin, e cila pritet të miratohet të mërkurën në Strasburg.
Komente








