Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një intervistë për Report Tv sqaroi me detaje situatën që po ndodh aktualisht në Kullën e Kontrollit të Rinas që merret me monitorimin e hapësirës dhe trafiku ajror të Shqipërisë. Balluku tha se pezullimi i punës së kontrollorëve të trafikut ajror është një grusht shteti dhe se ka prapavijë politike, pasi disa persona që ndodhen aty janë të lidhur aktualisht me fushatën zgjedhore. Balluku tha se pas kësaj greve të jashtëligjshme qëndron Sali Berisha, i cili nxit këtë me qëllimin e vetëm që të mos lejojë zhvillimin e stërvitjes së NATO-s "Defender – Europe 21", të planifikuar më 26 prill.

Balluku ishte tepër e qartë ku sqaroi se kjo grevë nuk do të penalizojë as marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatët, pasi stërvitja ushtarake do të zhvillohet ashtu siç është parashikuar dhe se qeveria ka një plan që do të ndihmojë në zgjidhjen e shpejtë të situatës dhe rinisjen e fluturimeve. Për këtë grevë të jashtëligjshme ministrja Balluku tha se janë kallëzuar në prokurori organizatorët e saj që do të mbajnë përgjegjësi para ligjit për këtë dëm dhe penalizim që ata i sollën qytetarëve, shtetit dhe imazhit të vendit, duke tentuar të kërcënojnë me tekat dhe kërkesat  absurde të një elite që dhe në kohë pandemia marrin një pagë prej 2490 dollarësh në muaj për person.

Sipas burimeve për Report TV janë kallëzuar në prokurori 3 organizatorët e kësaj greve, që janë  kreu i sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror dhe dy kontrollorë të tjerë, të cilët më datë 12 prill do të japin edhe argumentet se pse kanë braktisur detyrën.Duke qenë se Kulla e Kontrollit është një ndërtesë e sigurisë së lartë, Balluku sqaroi se ushtria ka shkuar atje për të mbikëqyrur të gjithë situatën dhe ndërtesën.

Ditën e sotme kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl kanë ndalur punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën e tyre duke pezulluar fluturimet  në Aeroportin e Rinasit. Ulja e pagave nga 4500 dollarë në 2400 dollarë të kontrollorëve të trafikut ajror ka ndodhur si pasojë e rënies së fluturimeve në aeroportin e Rinasit  për shkak të pandemisë që ka sjellë pezullimin e tyre në të gjithë botën. Nga prilli 2020 paga e tyre ka pësuar ulje pasi vetë trafiku ajror ka rënë me -57 % ose thënë ndryshe aeroporti i Rinasit gjatë viti 2020 ka punuar me 43 % të trafikut ajror krahasuar me 2019. 

VIDEO/Intervista e plotë me Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku në Report TV

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:52
‘Po rrinë nëpër karrige që të mos quhet braktisje detyre’- Balluku ultimatum kontrollorëve: Filloni punën, ose dilni jashtë (VIDEO)

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, i ka dhënë një ultimatum kontrollorëve që të rifillojnë punën, ose do të nxirren jashtë nga ndërtesa.

Në një konferencë për mediat, Balluku u shpreh se pavarësisht se kanë deklaruar paaftësi për të vijuar punën, kontrollorët po vijojnë të qëndrojnë në vendet e tyre të punës, në mënyrë që ligjërisht të mos i quhet braktisje e vendit të punës.

Për këtë Balluku tha të rrish në ndërtesë nuk do të thotë se po bën punën, ndërsa theksoi se tashmë policia do të lirojë ndërtesën “nga kontrollorët që nuk duan të jenë më kontrollorë”.

“Kontrollorët vazhdojnë të qëndrojnë brenda ndërtesës ata që kishin turnin sot, xhiro nëpër korridore që të mos i quhet braktisje e vendit të punës. Braktisjes së vendit të punës të dashur kontrollorë është dëshmitare e gjithë Shqipëria dhe nuk do tju ndihmojë askush kur të dilni para përgjegjësisë. Se qëndroni brenda ndërtesës nuk do të thotë se jeni në detyrë, e keni braktisur detyrën dhe është e pavlefshme të qëndroni brenda ndërtesës për të siguruar ligjshmërinë. Nga ky moment, për shkak të të gjitha angazhimeve që kemi te partnerët tanë, që unë i kam informuar për situatën dhe duke qenë se kontrollorët që kanë nënshkruar kontratat dhe kanë marrë përgjegjësi për të kontrolluar hapësirën shqiptare kanë vendosur të mos bëjnë detyrën. Ndaj një ndërtesë e sigurisë së lartë nuk mund të qëndrojë në duart e personave që kanë deklaruar paaftësi për të operuar. Ata që nuk operojnë më dhe nuk kryejnë funksione, do të largohen nga ndërtesa duke filluar nga ky moment. I bëj thirrje kontrollorëve që duan të vazhdojnë funksionet e tyre që do ishte kënaqësi për ne që të kthehen në detyrë, jeni të lutur ju që nuk jeni pjesë e mashave të politikës që të qëndroni dhe të deklaroni që jeni të aftë për punë dhe të vazhdoni të qëndroni në ndërtesë, të tjerët që nuk duan të operojnë por qëndrojnë në karrige që të mos quhet braktisje detyre, detyra është braktisur në sy të të gjithë shqiptarëve. Policia do të bëjë detyrën të lirojë ndërtesën nga ata kontrollorë që kanë vendosur të mos jenë më kontrollorë”, tha Balluku.

Ora 18:33
Balluku: Pas grevës së kontrollorëve të trafikut ajror, qëndrojnë njerëz me prapavijë politike (VIDEO)

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një intervistë për Report Tv, tha se pas kësaj greve në shkelje të plotë me ligjin qëndron politika dhe disa njerëz brenda kontrollorëve të trafikut ajror që janë të lidhur me fushatën  dhe se janë denoncuar në prokurori.

"Dëshira e mirë nga ana e tyre për të pasur rrogë 4400 e mirëkuptoj, këtë ëndërr mund ta kenë të gjithë, por është më se e arsyeshme që në kohë pandemia nuk mund ta kenë. Në kohë pandemia ata janë minus 57 % dhe kanë kryer vetëm 43 % të trafiku për 14 muaj pandemi. Kompania në pamundësi ekonomike nuk ka mundësi ta bëjë këtë. Avokati i sindikatës tha se nuk ka rëndësi le të marrë kredi, por kjo nuk mund të ndodh pasi kompania funksionin me fitim 0 %. Kjo është një kërkesë absurde e nxitur nga politika, pasi aty kishte njerëz që nuk donin të dëgjonin arsyet. Të dëgjosh dike të tillë se jam pak lekë 2490 dollarë për një person që punon vetëm 43 % të asaj që kërkon të paguhet dhe lë njerëzit në rrugë, ilaçet të mos vijnë apo të vdekurit të varrosen në vendin e tyre.  Kjo është një grevë e jashtëligjshme pasi pamundësia për të punuar nuk u ndodh të gjithëve në të njëjtën orë, janë munduar të mos shkelin ligjin, por ai është shkelur me të dyja këmbët. Dhe kjo është patjetër politike, pasi kemi dëgjuar që mbrëmë në darkë mallkimet dhe sharjet e Berishës se si duhet të paguheshin njerëzit dhe pse duhej të mbyllej Rinasi. Ju keni bërë tendera dhe nuk keni dhënë rrogat, të dashur qytetar ata paguhen edhe në kohë pandemie me mbi 2000 dollarë dhe fondet për të bërë tendera nuk ka pasur. Politika patjetër që është pasi kemi informacion të saktë për elementë që kryejnë  funksion në këtë fushatë dhe ne i kemi dërguar në prokurori, janë njerëz që janë të lidhur në këtë moment me politikën dhe po ndikojnë në jetën e të gjithë shqiptarëve.

Ora 18:10
Rinisja e fluturimeve në Rinas, Balluku: Situata do të zgjidhet shumë shpejt (VIDEO)

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e pyetur për rinisjen e fluturimeve në Rinas, nuk dha një datë se kur mund të ndodhë kjo.

Në studion e “Report TV”, ajo tha vetëm se situata do të zgjidhet shumë shpejt.

“Për shkak të arsyeve të sigurisë, ju e shikoni që dhe forcat ushtarake janë duke marrë në mbrojtje ndërtesën. Njerëz që kanë vendosur të bllokojnë hapësirën shqiptare, mund të kryejnë edhe veprime të tjera që mund të vinin në rrezik të gjithë vendin. Nuk mund t’i referohem planit për rinisjen e shërbimeve të navigimit ajror, por do të zgjidhet shumë shpejt”, tha Balluku.

Ora 18:06
Balluku: Organizatorët janë kallëzuar në prokurori! Stërvitja ushtarake e NATO do të zhvillohet (VIDEO)

Ministrja Belinda Balluku tha se stërvitja e NATO-s Defender Europe 21 do të zhvillohet se qeveria nuk do të lejojë që të dorëzohet nga grushti i shtetit. Ajo tha se organizatorët e kësaj greve janë kallëzuar në prokurori. 

"Ne kemi një zgjidhje dhe nuk do të lejojmë që një kast dhe elitë që të plotësojmë tekat e tyre duke penalizuar të gjithë Shqipërisë, kërkon të penalizojë imazhin e saj dhe aq më pak të penalizojë marrëdhëniet tona me aleatët. Kallëzimi penal është bërë për atë që e kanë organizuar, jo për të gjithë, ata që e kanë organizuar ata do të shkojnë para drejtësisë pasi nuk merret dot peng një vend. Do të mbahet patjetër stërvitja ushtarake Defender Europe 21. Qeveria nuk do të dorëzohet prej këtij grushti shtetit.

Ora 18:02
Bllokimi i fluturimeve në Rinas, Balluku akuza Berishës: Qëllimi i tij që të mos zhvillohet stërvitja e NATO-s, i kam njoftuar aleatët (VIDEO)

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se ka nxitur situatën e krijuar në Rinas për bllokimin e fluturimeve, pasi kontrollorët pezulluan punën.

Sipas Ballukut, qëllimi i Berishës është që të mos lejoje zhvillimin e stërvitjes së NATO-s DEFENDER – Europe 21, të planifikuar më 26 prill, ndërsa shtoi se aleatët janë njoftuar për këtë përpjekje.

“Roli i Berishës është nxitës, ka që dje që i nxit dhe i mbështet me sharje e mallkime të stilit të tij që këta njerëz të bllokonin trafikun, të reagonin me forcë. Qëllimi i Berishës është që shtetit të dështojë, qytetarët të mërziten me shtetin, të krijohet pakënaqësi në çdo nivel, të bllokohet Shqipëria, unë kam njoftuar aleatët, ai ka si qëllim që të mos zhvillohet stërvitja e NATO-s, që është parashikuar në datën 26 prill.Nuk janë të gjithë në të njëjtin thes, e pashë sot dhe një pjesë e tyre me të drejtë duan të diskutojnë për pagat. Ne i paraqitëm një plan, më 30 mars u dukën të sqaruar, iu dërgua plani i veprimit më 3 prill, me tre skenar, sesi pagat do ktheheshin ë normalitet dhe ne patëm një mirëkuptim, deri dje. Ne e prisnim se e pamë që politika kishte futur duart. Kryetarit të sindikatës i është thënë që plani që i dërguam ishte elektoral dhe unë plan elektoral në aviacion nuk kam parë  që nga koha e Berishës”, tha Balluku.

Ora 17:56
VIDEO/ Ushtria merr nën mbikqyrje Kullën e kontrollit në Rinas, është ndërtesë e sigurisë së lartë

Ushtria ka marrë pasditen e sotme nën kontroll Kullën e Kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pasi një pjesë e madhe e kontrollorëve që kryejnë kontrollin e hapësirës ajrore shqiptare kanë deklaruar paaftësi për të kryer punën.

Lajmi është dhënë sot në Report Tv nga ministrja Belinda Balluku. Ajo tha se Kulla e Kontrollit është ndërtesë e sigurisë së lartë.

"Në aeroport në këto momente ka shkuar ushtria pasi ndërtesa është një ndërtesë e sigurisë së lartë dhe duke qene se kontrollorët e trafikut ajror e kanë braktisur detyrën dhe pavarësisht që qëndrojnë në ndërtesë është i bllokuar. Ajo do të merret në kontroll nga ushtria", tha Balluku.

Ndërkohë që Report Tv ka siguruar pamje nga Aeroporti i Rinasit kur ushtria është afruar për të marrë nën mbikëqyrje Kullën e Kontrollit.