Kryeministri Edi Rama ka ndarë një qëndrim mbi drejtësinë, duke postuar fjalimin e ish-prokurorit federal Robert H. Xheksonit. Ndonëse mes rreshtave kryeministri Rama nuk e përmend çështjen e Belinda Ballukut, duket se qëndrimi i tij vjen në vazhdë të vendimit të GJKKO-së pasi pezulloi zv.kryeministren nga detyra.
Rama i referohet një fjalim të ish-prokurorit amerikan në vitin 1940, duke thënë se edhe në ditët e sotme mbetet ende udhërrëfyes për ata që besojnë se drejtësia duhet të jetë e pavarur, por kurrë e papërgjegjshme, e fortë por kurrë e verbër ndaj kufijve kushtetues. Rama shkruan se Xheksoni i “mësoi botës demokratike se kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.” Për kryeministrin mësimi madhor nga ish-prokurori amerikan është se pushteti nuk ka qenë kurrë më i denjë sesa në çastin kur ka pranuar t’i nënshtrohet gjykimit të një drejtësie të pavarur.
Vendimin e GJKKO-së për Belinda Ballukun që një ditë më parë, kryeministri e cilësoi arbitrar dhe shfaqje dobësie të një sistemi të ri drejtësie. Qeveria nuk e shkarkoi Ballukun nga detyra, po i hoqi të drejtën e firmës dhe çështjen e saj e dërgoi në Kushtetuese, së cilës i kërkon të zgjidhë konfliktin e kompetencave mes Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së.
Postimi i plotë i Kryeministrit Rama
Më ka mbresuar prej kohësh figura monumentale e Robert H. Xheksonit, njëra nga mendjet më të ndritura që ka njohur drejtësia demokratike. Si Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, gjyqtar i Gjykatës Supreme dhe arkitekt i akuzës në gjyqin epokal të Nurembergut, ai vendosi themelet morale të rolit të prokurorit në një shtet modern të së drejtës.
Fjalët e tij të kumtuara në mes të shekullit të kaluar, mbeten udhërrëfyese për këdo që beson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, por kurrë e papërgjegjshme; e fortë, por kurrë e verbër ndaj kufijve kushtetues. Dhe po e ndaj sot me ju, fjalimin historik të Robert H. Xheksonit, sepse paralajmërimet e kryeprokurorit legjendar të Amerikës, njeriut që shkroi etikën moderne të prokurorit demokratik, tingëllojnë sot si të shkruara për ne.
Robert H. Xheksoni i mësoi botës demokratike se kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.
Ndërsa mua personalisht, ai më ka mësuar diçka tejet frymëzuese për të ecur drejt, vetëm përpara, të cilën asnjë prej baltosësve të mi nuk e kupton dhe s’ka për ta kuptuar kurrë dot, siç fatmirësisht e kupton fare mirë shumica e shqiptarëve. Ky është mësimi madhor i shprehjes së tij lapidare, “Pushteti nuk ka qenë kurrë më i denjë sesa në çastin kur ka pranuar t’i nënshtrohet gjykimit të një drejtësie të pavarur.
FJALIMI I ROBERT H. XHEKSONIT QË KA HYRË NË ANALET E HISTORISË ME TITULLIN “PROKURORI FEDERAL”, MBAJTUR NË PRILL 1940 NË KONFERENCËN VJETORE TË PROKURORËVE TË SHTETEVE TË BASHKUARA:
Prokurori ka më shumë kontroll mbi jetën, lirinë dhe reputacionin e një personi sesa çdo njeri tjetër në Amerikë. Liria e tij është marramendëse. Ai mund t’i vendosë qytetarët nën hetim dhe, nëse është një lloj njeriu i caktuar, prokurori mund të merret me deklarata publike apo me insinuata të hapura ose të fshehura. Por ai mundet të ndjekë edhe një mënyrë më të hollë dhe thjesht të marrë në pyetje miqtë e një qytetari. Prokurori mund të urdhërojë arrestime, t’i paraqesë çështjet përpara një trupe pas dyerve të mbyllura dhe, mbi faktet e tij të njëanshme, të ngrejë akuzë duke i imponuar qytetarit uljen në gjyq.
Po ai mundet edhe të tërhiqet pa shkuar në gjyq fare, duke ia hequr mbrojtjes çdo mundësi për t’u dëgjuar. Ose mund të vazhdojë me një gjyq publik. Dhe nëse jepet një dënim, prokurori ka ende mundësi të ngrejë pretendime për masën e dënimit, njësoj si avokati i mbrojtjes.
Ndërkohë që prokurori, në rastin më të mirë, është një nga forcat më të dobishme për shoqërinë tonë, kur ai nxitet nga ligësia apo të tjera motive të ulëta, bëhet një nga forcat më të këqia. Fuqitë që ai ka, i janë dhënë sepse prej tij pritet të jetë i pandikueshëm, pra absolutisht i paanshëm dhe kurrësesi i shtyrë nga përfitime personale, ambicie politike apo presione publike. Detyrimi i tij i vetëm profesional është “që faji të mos ia hedhë dhe pafajësia të mos vuajë”.
Por, ndryshe nga gjyqtarët, prokurori nuk është natyrshmërisht i pandikueshëm. Ai emërohet ose shpesh zgjidhet, dhe i vjen t’i tregojë publikut zellin e tij. Për të bërë karrierë, ai rend pas një bilanci dënimesh. Lejomëni ta them edhe një herë: prokurorit i është besuar një fuqi e jashtëzakonshme dhe i kërkohet një karakter i pashoq.
Asgjë më të mirë nuk mund të bëjë një sistem ligjzbatues sesa të shmangë cfilitjet e panevojshme dhe ndjekjet e pajustifikueshme penale. Nëse një prokuror këmbëngul tek dënimi në një çështje që nuk duhet ndjekur fare penalisht, ose e gjykon një çështje në një mënyrë që nuk është e drejtë, dëmi që ai bën është i pallogaritshëm.
Kur fuqia e prokurorit bie në duart e një njeriu jo të mirë, prokurori bëhet njeriu më i rrezikshëm i një vendi.
Një nga rreziqet më të mëdha të abuzimit buron nga fuqia e prokurorit për të zgjedhur se kë ndjek penalisht. Të gjithë e kemi dëgjuar thënien e mençur se librat e ligjit janë aq të mëdhenj sa një prokuror mund ta gjejë një shkelje të çfarëdoshme ligjore për t’ia hipur në kurriz pothuajse kujtdo.
Është pikërisht këtu - tek zgjedhja e çështjeve - ku nxitet edhe tundimi më i madh. Prokurori mund të zgjedhë dikë që nuk i pëlqen ose dikë që dëshiron ta turpërojë, ose një grup njerëzish të papëlqyer nga publiku dhe t’u qepet për t’i gjetur në shkelje. Dhe pikërisht në këtë çast zbatimi i ligjit bëhet personal, dhe krimi i vërtetë bëhet fakti i të qenit i papëlqyer nga prokurori i gabuar.
Një prokuror i mirë mund t’i mbrojë njerëzit tanë nga krimi; një i keq mund t’i terrorizojë ata.
Zbatimi i ligjit nuk është automatik; është human. E përderisa është human, duhet vetëpërmbajtje e madhe. Fuqia më e rrezikshme e prokurorit është kur ai i zgjedh ata që mendon se duhen goditur, në vend që të zgjedhë çështjet që meritojnë të ndiqen. Me librat e ligjit plot me lloj-lloj parashikimesh për krimet, një prokuror ka shansin ta gjejë të paktën një shkelje teknike tek pothuajse çdo njeri.
Në një rast të tillë, çështja nuk është më të zbulosh kryerjen e një krimi dhe të kërkosh njeriun që e ka kryer; çështja bëhet të zgjedhësh njeriun që do të fajësosh dhe pastaj të kërkosh në librat e ligjit, e të vësh hetuesit në punë, për t’i hipur atij në kurriz një shkelje.
Tamam këtu qëndron edhe rreziku më i madh, rreziku që një post publik të përdoret për të poshtëruar, torturuar apo ndëshkuar një qytetar, jo pse është fajtor, por sepse është i papëlqyer apo i padëshiruar.
Cilësitë e një prokurori të mirë janë po aq të vështira për t’u bërë bashkë sa ato të një gjykatësi të mirë. Ato janë:
Ndershmëria. Integriteti profesional. Paanshmëria. Guximi dhe vendosmëria.
Por mbi të gjitha, ai duhet të kujtojë se misioni i tij kryesor nuk është të fitojë çështje, por të bëjë drejtësi.
Komente













Kryeministri është duke mbrojtur veten.Unē mendoi se, për çdo veprim që ka bēr zēvëndsia,kryeministri ka qën i informuar.
PërgjigjuDhe me kete citim fjalimi,Rama perpiqet qe t'i kujtoje drejtesise /kufirin tek thana/ ndryshe /vdes/ (kercenim ndoshta?!).Z.Rama le te leme shakate e te flasim direkt e drejt! Ai fjalim eshte bere nga nje prokuror(ndoshta ne ndonje ceremoni diplomimi/licensimi studentesh drejtesie)ne U.S.A eshte fjalim shume i bukur,eshte fjalim udherrefyes,por eshte bere ne U.S,ne nje vend me kulture demokratike e gjyqesore qe i ka themelet qe ne 1776.Cfare histori kulture demokratike e gjyqesore ka Shqiperia?Nje vend qe shkembeu ligjin e sulltanit,me ate te mbretit,te pushtuesit,te diktatorit e te anarkise post komuniste,ku qeveritaret e shtetaret tane akoma e shohin postin si te perjetshem,ku akoma ndihen si mbreter pa kurore,ku akoma i mbrojne besniket e tyre me devotshmerine qe nje bajraktar mbron sejmenet e tij e nje bej qehajane e tij kur u duhet te dalin para drejtesise,ku akoma nuk kemi kulturen qe te japim doreheqjen,apo te kerkojme doreheqjen,ku akoma mendojme se jemi te plotefuqishem e mbi ligjin,ku akoma mendojme se mund t'i shkruajme e bejme rregullat po vete, duke filluar nga Kushtetuta, qe e ndryshojme sipas deshires sa here na duhen vota,ku bejme gjyqtare e prokurore me kurse Plepash 6 mujore,ku akoma nuk jemi ne ate nivel sa te kuptojme,ose te pranojme qe kemi bere gabim,ku akoma ndihemi se jemi te pazevendesueshem ne post,ku akoma e quajme ndonje deputet qe guxon te mendoje ndryshe,apo me keq akoma,te votoje ndryshe nga lideret supreme te partive e vijat e tyre-tradhetar partie.Z.Rama,mos harro qe je ne Shqiperi,jo ne Amerike.Ai fjalim eshte ne nje fare menyre personal e profesional per cdo prokuror,por a mendoni se prokurori idealist amerikan i pershkruar bukur e hollesisht nga Mr.Xhekson do te funksiononte ne ambientin jo dhe aq idealist politik ne Shqiperi?
PërgjigjuSi eshte ajo fjala e urte popullore: shpia digjet e Rama krihet.
PërgjigjuPo te ishin ne austri jepte dorheqjen kancelari dhe vinte ne pushtet ndonje tjeter nga PS ndoshta Balla ndoshta Brace ndoshta Elisa ska rendesi ! Jep dorheqjen keshtu kemi demokraci
PërgjigjuNe koke te Rames sa me shpejt tani
PërgjigjuKjo zgjidhet duke bere nje ligj te ri qe i kerkon prokurorise qe kur te marr nje vendim per pezullim, nese personi eshte dhe deputet/kryetar bashkie (pra i zgjedhur) duhet ta shoqeroje ate doemos dhe me kerkese ne parlament per heqje imuniteti.
PërgjigjuDomethene ty te duket okay qe hajdutet te mbrohen me ligj?
Shkarkoje nese nuk je i perlyer! Boll u mbrojtet pas karrikes. Fjalet e tjera jane boshe. Dorezoja drejtesise qe votove vete sepse cdo dite qe kalon te ben ty fajtor.
PërgjigjuIlir që,në hyrie tregon që je i njëanshëm,por a ke guximin të flasësh kështu dhe për S.B.Shkrimi për mua qëndron por mëbi fë gjitha thënia e cituar në ligjërat të drejtëe vitit1940.Ilir mësonu dhe më pas shkruani për problemin
Përgjigjuzotni, drejtesia ne rastin tend eshte komplet ne fushen e vet territorin e vet quaje si te duash. drejtesia eshte per te shbere gjerat e shtermta, vjedhjet ndaj qytetarit wtj. ktu kemi nje zyrtar te korruptuar, qe i kane dale letrat ne shesh. ca te beje drejtesia te fleje gjum?!
PërgjigjuPerpara cdo gjykate duhet te funksionoje morali dhe etika. Doreheqja duhej te jepej qe ne castin e pare se tregon integritet te larte. Me keto lojera e ka-kush-e ka duket vertete qe gjerat jane edhe me te thella se vetem tender.
Përgjigju