Ka deklaruar kështu dje, në një intervistë për agjencinë e lajmeve REUTERS, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Sipas tij, nuk është fjala për një përpjekje për largimin e euros nga ekonomia e Shqipërisë, vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Por plani i bankës qendrore është për të nxitur gradualisht rritjen e përdorimit të lekut në financa dhe ekonomi.
“Së pari, ne duam të rrisim fleksibilitetin dhe efikasitetin e politikës sonë monetare në monedhën vendase. Politika monetare stimuluese do të transmetohej më mirë nëse do të kishte më shumë transaksione në monedhën vendase,” tha Sejko. Banka, gjithashtu, dëshiron “të ruajë dhe mbrojë stabilitetin financiar, pasi një nivel i lartë i huadhënies në euro do të ekspozonte sistemin bankar shqiptar ndaj rreziqeve të kursit të këmbimit”, shtoi ai.
“Ne synojmë të shtojmë përdorimin masiv dhe ekspozimin e monedhës vendase në një masë të krahasueshme me vendet me një ekonomi të ngjashme me tonën në një mënyrë graduale”, tha Sejko.
Sasia e madhe e remitancave nga emigrantët, si dhe lidhjet e fuqishme tregtare dhe bankare me anëtarët e Eurozonës, Itali dhe Greqi, por edhe me fqinjët e Kosovës dhe Malit të Zi, që përdorin monedhën e përbashkët, kanë bërë që shqiptarët e përdorin gjerësisht euron.
Një dekadë më parë, në sistemin bankar të vendit u arrit rekord pasi 80 për qind e huadhënies ishte në valutë, kryesisht euro dhe pjesa tjetër në lekë, por raporti që atëherë ka ndryshuar në 55 për qind në euro dhe 45 për qind në lekë, e ndihmuar nga ulja e normës bazë në një nivel të ulët rekord prej 1.25 për qindësh. Kjo ngushtoi kostot relative të huamarrjes dhe huadhënies.
Megjithatë, depozitat bankare në euro përbëjnë 60 për qind të kursimeve. Sejko tha për REUTERS-in se banka qendrore po inkurajonte bankat tregtare të mbajnë depozita në lekë dhe këto të fundit po këshillojnë edhe klientët e tyre që të konvertojnë kreditë në lekë.
“Ne synojmë të rrisim masën e përdorimit dhe ekspozimit të monedhës vendase në një shkallë të krahasueshme me vendet me një ekonomi të ngjashme me tonën, në mënyrë graduale,” tha Sejko.
Një marrëveshje trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) prej 330 milionë eurosh ndihmoi në koordinimin më të mirë të politikës fiskale dhe monetare, solli rritje graduale të qëndrueshme dhe kontroll më të mirë të borxhit publik, tha Sejko.
Ai tha se qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 25 qershorit duhet të përqendrohet në reformat strukturore. Ndërkohë, guvernatori përshëndeti faktin se plani për të reduktuar kreditë të këqija kishte bërë të mundur që ky tregues të ulet, nga 23.5 për qind e totalit të kredisë në 2013-ën, në 16.6 për qind në prill 2017.
“Kjo ka ardhur falë fshirjes së kredive të humbura prej tre vjetësh, ristrukturimit të tyre dhe performances së klientëve ekzistues”, shtoi ai. “Kjo tregon se politika jonë është duke funksionuar”.
Ndërkohë, sa u përket politikave monetare, Sejko tha se, pasi ka ulur normën bazë, nga 6.25 për qind në fund të vitit 2008, në 1.25 për qind aktualisht për të stimuluar investimet dhe konsumin, BSH do të ruajë një politikë stimuluese deri në fund të vitit 2017.
“Nëse kjo politikë monetare stimuluese do të vazhdojë apo jo, do të varet nga treguesit makroekonomikë në të ardhmen”, tha Sejko, duke përmendur sinjale të rritjes së rritjes në Eurozonë, të cilat ndikojnë Shqipërinë nëpërmjet tregtisë dhe investimeve.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com