Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, denoncoi sot ngritjen e Bankës Kombëtare të Zhvillimit, që sipas saj, rrezikon të kthehet në një tjetër lavatriçe financiare në vend.
“Në kulmin e një krize të thellë korrupsioni, krize reale të qeverisjes dhe mungese legjitimiteti politik të shumicës, u miratua dhe u ngrit Banka Kombëtare e Zhvillimit. Në letër, synimi i kësaj banke paraqitet gjithmonë dashamirës për ekonominë. Ashtu siç ishin “dashamirëse” edhe inceneratorët, PPP-të apo tenderat publikë që sot janë simbol i abuzimit dhe korrupsionit, ku paratë e shqiptarëve përfundojnë në duart e një grushti njerëzish. Në realitet, pas kësaj fasade zhvillimi, Banka e Zhvillimit rrezikon të kthehet në një tjetër lavatriçe financiare, një instrument i rrezikshëm pa asnjë kontroll real, përmes të cilit mund të abuzohen qindra miliona euro nga paratë tuaja” thotë Tabaku.
Përmes një postimi në Facebook, Tabaku thotë se arkitektura e kësaj banke është ngritur me qëllimin e vjedhjes në hije. Problemi, sipas saj, qëndron tek fakti se kjo bankë nuk mbikqyret nga Banka e Shqipërisë dhe nuk është subjekt i kontrollit teknik të KLSH-së për kreditë.
“Dhe më e rrezikshmja: Do të mbledhë kursimet tuaja në postë për t'ua dhënë si kredi klientëve të qeverisë”, tha ajo.
Tabaku mori si shembull rastet e Gjermanisë dhe të Italisë ku çdo investim nga bankat e zhvillimit si KFW apo Cassa Depositi e Prestiti kalon në sitën e institucioneve të pavarura dhe nënvizoi se rasti i Shqipërisë është një histori babëzie.
“Në asnjë vend serioz nuk ekziston një bankë që menaxhon para publike pa një palë të tretë që i vendos frenat. Por këtu, frenat i ka hequr qeveria që t’i japë gaz korrupsionit.Shqipëria sot nuk ka nevojë për një tjetër “gropë financiare” që i shërben një pakice klienteliste.Ka nevojë për institucione që mbrojnë djersën e qytetarëve, jo për një bankë që financon PPP-të dhe dështimet e radhës me kursimet e prindërve tanë. Ndalini duart nga paratë e shqiptarëve! Shqipëria nuk ka nevojë për bankën e pushtetit, por për drejtësi dhe ekonomi që punon për të gjithë!’, përfundoi ajo.
Komente











