Banka Qendrore e Austrisë: 40% e shqiptarëve që kanë kursime preferojnë t’i mbajnë jashtë bankave

Banka Qendrore e Austrisë: 40% e shqiptarëve që kanë kursime preferojnë t’i mbajnë jashtë bankave

Preferenca për të ruajtur kursimet jashtë sistemit bankar shënoi rritje të shpejtë gjatë periudhës 2019-2020, sipas një anketë të bërë nga Banka Qendrore e Austrisë (OeNB-Euro-Survey) në vendet e Europës Juglindore, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Në Shqipëri, afërisht 40% e personave që kishin kursyer preferonin t’i mbanin ato jashtë sistemit bankar. Zgjedhja për të mbajtur kursimet jashtë bankave shënoi rritje të shpejtë në krahasim me vrojtimin që u krye për periudhën, 2017-2018, ku vetëm 26% e personave që kishin kursime preferonin t’i mbanin ato jashtë bankave.

Tendenca për mbajtur kursimet jashtë bankave ka shënuar rritje në katër vitet e fundit, edhe si pasojë e interesave të ulëta që ofrojnë bankat. Sipas Vrojtimit, Serbia është vendi me preferencën më të lartë për t’i mbajtur kursimet jashtë bankave. Gjatë 2019-2020, rreth 52% e personave me kursime kanë pohuar se preferojnë t’i mbajnë ato jashtë bankave.

Përqindje të lartë mosbesimi kanë edhe rumunët dhe kroatët me përkatësisht 42 dhe 44% të kursimtarëve që preferojnë t’i administrojnë ato jashtë bankave.

Çekët dhe bullgarët janë më të prirë për t’u besuar bankave, pasi kanë një përqindje shumë më të ulët se mesatarja e vendeve të Europës Juglindore të atyre që preferojnë të mbajnë paratë jashtë bankave.

Ekspertët e Bankës Qendrore të Austrisë, duke analizuar fenomenin, thonë se mungesa e besimit në sistemin bankar (në veçanti një mungesë e perceptuar e sigurisë së depozitave) është një faktor kryesor në shpjegimin e preferencës së fortë të individëve për të mbajtur kursimet në shtëpi.

Për më tepër, kornizat e dobëta institucionale, p.sh. cilësia e dobët e zbatimit të ligjit si dhe një depërtim i ulët i bankave në rajonet rurale, përbëjnë faktorë të rëndësishëm që shpjegojnë zgjedhjen për para cash.

Tendenca për të mbajtur kursimet cash në Shqipëri është materializuar me rritjen e qarkullimit e parasë jashtë bankave.

Në fund të vitit 2020, jashtë sistemit bankar qarkullonin 344 miliardë lekë (2.8 miliardë euro), sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Të dhënat historike tregojnë se në 2020-n, është shënuar rritja më e fortë vjetore, me 53 miliardë lekë, ose +18%, që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë e raporton këtë tregues.

Në raport me paranë gjithsej, jashtë sistemit bankar qarkullonte në fund të dhjetorit 23.6% e totalit (nga 22.1% në dhjetor 2019). Ky është niveli më i lartë që nga dhjetori 2008, kur u shënua një valë tërheqjesh të depozitave në atë kohë, si rrjedhojë e frikës së shkaktuar nga kriza financiare globale.

Niveli i parasë jashtë bankave prej gati 24% të totalit është shumë më i lartë se i mesatares se Bashkimit Europian dhe në rajon. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9% e totalit. Edhe në rajon ky tregues është më i ulët se 10%./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI