Tiranë- Disa banorë në Laprakë kanë dalë në protestë paraditen e sotme pasi pretendojnë se fusha sportive, një terren që prej 20 vitesh është përdorur prej tyre si e tillë do të prishet. Sipas tyre, në vend të fushës pritet të ndërtohet një pallat. Sot në mëngjes, kur kanë parë fadromat të mbërrijnë pranë fushës banorët kanë dalë jashtë dhe kërkojnë garanci që ky terren sportiv nuk do të preket. Ata thonë se personi që pritet të ndërtojë pallatin ka edhe një vendim gjykate dhe leje ndërtimi që të finalizojë qëllimet e tij.
Banorët e Laprakës në protestë te fusha e futbollit
Të ndodhur përballë kësaj situate banorët kërkojë garanci nga Bashkia e kryeqytetit. Shqiptarja.com dhe Report Tv mësojnë se pranë tyre ka mbërritur edhe deputeti Ulsi Manja për t'i siguruar që fusha nuk do të preket, por banorët thonë se presin reagimin e kryebashkiakut Veliaj.
“Ne do mbajmë qëndrim deri kur të marrim garancinë e fundit. Nuk duam asnjë tullë, asnjë gardh. Kjo është sigurua që duam. Do rrimë këtu, ne do bëjmë rezuistencë deri në fund. Pa marrë garanci nga Veliaj nuk largohemi. Këtu duam sportin duam kulturën, s’na ka mbetur gjë tjetër vetëm të ikim në arat e hashashit tani. Po na i shtyni fëmijët drejt hashashit”
Banor i Laprakës
Burime nga Bashkia e Tiranës: S'ka leje për pallat
Ndërkohë burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se nuk ka asnjë leje ndërtimi për pallat në këtë fushë.
Të njëjtat burime saktësojnë se prona në fjalë ku aktualisht është fusha e sportit i është kthyer pronarëve me një urdhër ekzekutiv nr. 5920 të datës 28.06.2012 nga Gjykata e Tiranës, kohë kur bashkia drejtohej nga Lulzim Basha. Por në buxhetin e ri të vitit 2019 bashkia ka vendosur që të shpronësojë pronarët për interes të banorëve, duke garantuar që terreni sportiv nuk do të preket.
Deputeti i zonës Ulsi Manja ka dalë në mbështetje të qytetarëve të Laprakës të cilët protestuan sot për fushën e sportit në këtë zonë.
Përmes një statusi në Facebook, Ulsi Manja garantoi se në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës prona që i kaloi privatit padrejtësisht nga gjykatat e korruptuara në kohën e Bashës dhe të Berishës në vitin 2012, do t’i mbetet qytetarëve.
Ai publikoi edhe vendimin e Gjykatës në 2012-të ku tregohet kalimi i pronës në fjalë tek privati.
Vendimi i publikuar nga Ulsi Manja
“Në vitin 2012, me Saliun kryeministër e Lulin në Bashki, gjykatat e tyre të korruptuara koordinuan kthimin e fushës së Laprakës në truall ndërtimi! Bashkëngjitur vendimi i gjykatës një vit përpara se PD të linte pushtetin! Qeveria e re i hapi rrugë vettingut, dhe për rastësi, gjyqtarët e këtij procesi nuk e kaluan dot vettingun , provë se këta gjyqtarë nuk i justifikonin dot pasuritë që vinin prej këtyre vendimeve! Sot përmbarimi privat, tentoi të zbatonte këtë vendim të kësaj trupe të përzënë nga drejtësia! Nuk u eci!”, thekson Manja. Deputeti socialist bën me dije se Bashkia Tiranë sot ka bërë padi kundër përmbarimit, dhe se Kryetari i ri i Bashkise ka futur në buxhetin e ri shpronësimin e kësaj prone për interes publik, njësoj siç veproi për shkollën “Kosova”. “Bashkia Tirane sot ka bërë padi kundër këtij përmbarimi, dhe për më tepër Kryetari i ri i Bashkise ka futur në buxhetin e ri shpronësimin e kësaj prone për interes publik, njësoj siç veproi për shkollën “Kosova”. Dua t’i garantoj qytetarët e Laprakës se vettingu do të vazhdojë për ta çuar gjer në fund pastrimin e drejtësisë dhe se fusha do mbetet e banorëve falë shpronësimit të Bashkisë”, nënvizoi deputeti I zonës së Laprakës"
Deputeti i PS, Ulsi Manja
Bravo banoreve.
Përgjigju