DURRËS - Banorë të ish-Kënetës, të afërm e miq të familjeve të dy fëmijëve që humbën jetën në aksidentin automobilistik të dt. 3 maj, zhvilluan një homazh simbolik në sheshin qendror të qytetit dhe ndezën qirinj në shkallët e bashkisë.

Ata sqaruan se sonte organizatorët e kishin menduar dhe vendosur që gjithçka të ishte e heshtur dhe pa fjalime.

Kjo protestë, sipas tyre, veç kujtimit të dy fëmijëve që humbën jetën, kishte dhe simbolikën e thirrjes që ata u bëjnë organeve shtetërore që t’i kthejnë sytë nga banorët e qytetit.

Kërkesat e tyre ishin të thjështa, por jetike: Të ndërtojnë rrugë me standarde e me trotuare të bollshme ku të mos rrezikohet jeta e kalimtarëve, të ndërtojnë lulishte e kënde lojërash për fëmijë, të hartojnë ligje të cilat të ndëshkojnë në mënyrë shembullore shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor e, së fundmi, autori i ngjarjes të dënohet rreptësisht nga kodi penal për atë vepër makabre që kreu.