Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike është përplasur me nënkryetaren e Kuvendit Klodiana Spahiu. Bardhi thotë se nuk është opozita ajo që është bërë pengesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, por vetë mazhoranca me vendimmarrjet e tyre.
“Është e rëndë të vini e të shpifni këtu. Nuk ka asnjë rast të deputetit të opozitës që flet dhe punon kundër integrimit. Por, ndryshe nga ju, ne nuk bëhemi mburojë e korrupsionit. Ne themi: po, hiqini imunitetin zëvendëskryeministres së akuzuar për abuzime prej 1.1 miliardë euro. Ju thoni jo!
Kush po e pengon dhe kush është kundër procesit të integrimit? Është opozita apo ju që ngrini kartonin e kuq ndaj prokurorisë?
Çfarë thotë progres-raporti? Parlamenti pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar e ekzekutivit. Pra, kush po e pengon? Ne që kërkojmë kontroll parlamentar apo ju që votoni kundër kontrollit?
Kush nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Kemi qenë ne apo ju? Keni qenë ju që keni ngritur dy herë kartonin e kuq kundër Gjykatës Kushtetuese.
Ju që vidhni po punoni pro Shqipërisë, ndërsa opozita që denoncon po punon kundër integrimit? Keni rrëzuar çdo instrument kontrolli.”
Lajmi kryesor:
S’ka komision hetimor për rrugët e shembura dhe AKSHI-n, PS rrëzon kërkesat e opozitës! Debate për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit











