Bardhosh Gaçe/ “Kopshti i ëndrrave” të poetit

Bardhosh Gaçe/ “Kopshti i ëndrrave” të poetit

Studiuesit e Letërsisë Shqipe për fëmijë e të rinj, si: Bedri Dedja, Agim Deva, Astrit Bishqemi, Xhevat Syla, Prend Buzhala, Anton Nikë Berisha, Faik Shkodra, Ramazan Çadri, poeti Lirim Deda, etj., e në mënyrë të veçantë shkrimtari dhe studiuesi Odhise K. Grillo, - dikush më thellë, dikush më në sipërfaqe, dikush në mënyrë informative, dikush në formë paraqitëse, dikush në kuadër të recensionit, dikush në formë eseje, dikush në vështrim analitik, dikush me përparësi didaktike e pedagogjike, dikush në formë reflektive, dikush me një paraqitje të lirë, etj., i janë qasur herë pas here, në kohë, krijimtarisë poetike të Bardhosh Gaçes, - që siç thotë studiuesi Astrit Bishqemi: “... kemi të bëjmë me një poet që punon shumë me vargjet, që t’i skalisë sa më me mjeshtëri ato.” I janë qasur studiuesit a kritikët letrarë, dhe sipas mendimit tim, në dy rrafshe: a) në rrugëtimin poetik të autorit dhe b) në formimin e mëtejshëm i personalitetit krijues i parë në kontributet studimore, folklorike e shkencore (monografike) dhe në marrëdhënie me kohën si shenjë e rëndësishme, kjo e fundit, ekzistence, lavdie dhe jetese historike, mosharrese dhe kujtese.

Marrëdhënia e poetit Gaçe me kohën mbetet një dukuri e rëndësishme, do të thosha thelbësore, që shndrit profilin poetik të autorit, e që kërkon thellësi hulumtimi dhe studimi në këto rrafshe. Të trishtojnë por njëkohësisht të gazmojnë fjalët e poetit, si të datuara në një copëz historie kur lexojmë thënie si këto: “Mbrëmjeve rrënqethëse shkrova këto vargje, për të larguar kujtimin e hidhur të kohës. Nuk e di në ia plotësova siç duhet dëshirën vajzës sime. Brenda këtij frymëzimi poetik shpërthyen natyrshëm motive e mesazhe që dalëngadalë çelën si një kopësht me ëndrra në sytë e fëmijëve.”

Në një vështrim të shpejt të motiveve të realizuara të poetit, mund të themi se kahja e tij është drejt epikës. Mbase edhe mund të gabojmë, por kur ndiejmë puhizën e pafund të lirizmit të tij, shpirti dhe zemra na flladitë e na gazmon thekshëm. Gjithsesi, pavarësisht natyrës së poezisë së autorit epiko-lirike a liriko-epike, estetika që na fal është fatlume. Por më fatlum janë lexuesit e vegjël. E, për autorin Bardhosh Gaçe, duke mos i diktuar asgjë, kjo është një dëshirë a prirje prore dhe frymëzim vetjak i muzës së tij.

2.

Bardhosh Gaçe i takon formatit të krijuesve, që iu kushtuan e iu përkushtuan (e që vazhdon) me devocion dhe talent Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Ky përkushtim dhe lëndës letrare që na është ofruar gjer tani, na krijon bindjen e një individualiteti të spikatur në fushën e kësaj letërsie. Studiuesi Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi, teksa analizon dhe përshkruan udhën e zhvillimit të poezisë shqipe për fëmijë e të rinj, dhe në veçanti në hyrjen e brezave të krijuesve, në mes të tjerave thotë: “Më tej në poezinë për fëmijë hynë edhe poetë të tjerë të talentuar, të cilët ecin në traditat më të mira dhe i çojnë më përpara ato dhe premtojnë në të ardhmen. Për shembull, përmendim: Hamdi Meçen, Ferit Lamajn, Xhahid Bushatin, Bardhosh Gaçen etj.”

Teksa përmend këtë plejadë krijuesish (kryesisht poetë), e shoh të udhës të ndalem në një “stacion” vitesh, “stacion” që, në procesin e zhvillimin e Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, shënon vitet ’60. Krijues, si: në fillim Bedri Dedja, më pas Adelina R. Mamaqi, Xhevat Beqaraj, Odhise K. Grillo, pak më vonë Tasim Gjokutaj krijuan panteonin e tyre poetik. Është një brez me me kontribute të rëndësishme e me risi, si: në problematikë e tematikë, vështrim, pasurim gjinish e profilesh, ligjërim e rrëfim në letërsinë për fëmijë e të rinj. Ndaj me të drejtë thuhet: “Vitet ’60, që përbëjnë një etapë të re në jetën ekonomike-shoqërore të vendit, shënojnë një stad të rëndësishëm për procesin e formimit të plotë të letërsisë shqiptare për fëmijë, si letërsi me tipare ideore dhe artistike të përcaktuara. Shkrimtarë të ndryshëm, që ia kushtuan energjitë e veta krijuese kësaj fushe të letërsisë, ishin të vetëdijshëm për rolin e rëndësishëm të veprave letrare në edukimin ideoestetik dhe në formimin e personalitetit të brezit të ri.”

Librat që sollën këta autorë i dhanë Letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj parafytyrë, fymëmarrje dhe dimensione të reja. Kualitete artistike. Aq sa, edhe sot, ndonëse disa prej tyre kanë ndërruar jetë e disa të tjerë jetojnë; me gjithë zhvillimin e kësaj letërsie, duke pranuar edhe ndërrimin e sistemeve politikë; në disa gjini dhe zhanre, ende sot, nuk janë arritur ato kuota dhe prurje të larmishme që sollën krijuesit e viteve ’60. Tani paralelja tjetër në kohë. Sikur po përsëritet e njëjta histori në këtë rrjedhë zhvillimi të kësaj Letërsie (sigurisht në kontekste të tjera e të reja kohore, me një peizazh tjetër letrar), me autorë, si: Hamdi Meça, Ferit Lamaj, Xhahid Bushati, Bardhosh Gaçe. Janë këto modele të reja krijuese, sigurisht të talentuar, që, në një etapë ecjeje letrare të caktuar, siç janë fundvitet ’70 dhe fillim viti ’80, i ofrohen kësaj Letërsie duke i dhënë ndriçim e shkëndijim shumëngjyrësh, lakmitar e shumë premtues. Nuk e di pse gjykoj kështu që, herë pas herë në këtë rrugëtim të Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, sikur poetët kanë mbartur peshën më të madhe të misionit të Letërsisë dhe më duket se kanë treguar shtigje të reja poetike, të guximshme, si askush tjetër. Sigurisht, që po. Për këtë kam bindje. Secili nga këta krijues, që përmenda më lart, ka ADN-të e tij, pra të përveçmen e tij, veçoritë artistike dhe profilin, për rrjedhojë duke krijuar shumë shpejt individualitetin artistik.

Gjatë studimit tim, në veprat e tyre zbulojmë vlera përmes komunikimit të fjalës thuajse poetike. (Sepse, këta autorë, disa prej tyre shkruajnë edhe prozë. Por edhe në prozë ruajnë sensibilitetin dhe ngjyresat e ylberta poetike. Nuk i shmangen figurës së poetit). Edhe në këtë rrafsh kërkohen studime të reja, për të parë pikëtakimet e brezave poetike, të përbashkëtat dhe veçoritë, arsenalin e tyre, mjetet shprehëse, frazeologjinë, … etj., prezantuar estetikisht, dinjitetshëm në kohë dhe në hapësirë. Një studim i tillë (që duhet bërë) plotëson më tej, në mënyrë më të plotë portretin e Letërsisë Shqipe për fëmijë e të rinj. 

3.

Poeti Bardhosh Gaçe, që në vëllimin e parë poetik “Dëshira e Anilës”, nisi të endë, kërkesën ndaj vetes, fillimisht me vijëzime të lehta autoskicën për një individualitet artistik. Pas 10 vitesh botimi nga libri i parë, Gaçe vjen me librin e dytë “Vogëlushët e Tërbaçit”. Vërtet kemi të bëjmë me një hark kohor prej një dekade, por në krijimtarinë e autorit ky është libri i dytë; por tani ndodhemi përpara një dukurie që ia vlen të theksohet. (Kjo dukuri nuk është aq e shpeshtë në Letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj). Poeti, si nga ana e problematikës, personazhet që lëvizin e jetojnë në poezi, ngjarjet që fiksohen, atmosfera, mjetet e shprehjes, ligjërimi, koha dhe përtej koka, etj., sikur i ka vënë vetes detyrë të përcaktojë qenësishëm individualitetin e tij poetik. Ka disa pyetje që autori nëpërmjet vargjeve të tij u jep përgjigje, si këto: “Besoj më njihni se nga vij. E kuptoni trevën time, historinë dhe lavdinë e saj. Besoj e kam pasqyruar realisht atmosferën që ka jetuar realisht ajo. I kam gdhendur gjer në rrudhë (detajin më të vogël) personazshet që janë protagonist të poezive të mia. Dashuria ime është hapësira poetike që u kam krijuar në vjershat e mia për t’u dhënë pavdekësinë dhe monumentalitetin… etj., etj.” Pra, poeti Bardhosh Gaçe “… mbi të gjitha përcakton një poetikë, e cila zgjidh një marrëdhënie të qartë me historinë dhe me realitetin e tanishëm.”

Një autor si Bardhosh Gaçe, që në librin e dytë të arkitekturojë individualitetin e tij artistic, nuk është e lehtë, është meritë. Ky tharm, në përmasat e tij, në dukshmërinë dhe padukshmërin e tij, është i kudoshfaqur. Po t’i hedhim një sy letërsisë sonë shqipe për fëmijë, gjejmë pak autorë që në vëllimet e para kanë shënjuar apo formuar kodin e individualitetit poetik, përkatësinë e përveçësinë. Kështu ka ndodhur me shkrimtarin Bedri Dedja, që në krijimet e tij të para, dhe këtu flasim për prozën, kemi një rrugëtim drejt letërsisë fantastiko-shkencore që erdhi duke e përmbushur dhe realizuar fisnikërisht. Kemi krijimtarinë e parë të poetit Odhise K. Grillo që u përkujdes për kontrastin dhe kundrapunktin poetik brenda godinës së çdo strofe, ashtu pati edhe një përkujdesje për ta hijeshuar çdo “godinë” me detaje të freskëta poetike. Kemi krijimtarinë e parë të poetit Xhevat Beqaraj me lirizmin fatlum, me ngjyrat e komunikimit dhe detajet fëminore. Kemi krijimtarinë e parë të poetit Tasim Gjokutaj përmes fabulës interesante, të papriturave dhe mjedisit përrallor. Kemi krijimtarinë e parë të poetes Adelina R. Mamaqi me kodin e saj prej nëne e shkrimtareje. Kemi krijimtarinë e parë të poetit (fabulistit) Ferit Lamaj me fabulat, ku motivet ishin sa të traditës aq dhe të bashkëkohësisë, me aq gjetje të befasishme, dhe me aq kërshëri dhe misteriozitet në dialogun e personazheve, etj. Veçanërisht këto krijues nuk ishte e vështirë t’i njihje, më pas në librat e dytë, të tretë, të… Po ashtu, edhe krijimtarinë poetike, libër pas libri të poetit Bardhosh Gaçe. Duke u ndalur në krijimtarinë e tij, e në një theks që vura në fillim të shkrimit tim për poetin dhe studiuesin Odhise K. Grillo, mendoj që ndoshta është studiuesi më i mirë i poezisë dhe thelbit të saj në bashkëmarrëdhënie me autorin Gaçe. Ja se çfarë thotë: “Karakteristikë e vjershave për fëmijë të poetit Bardhosh Gaçe është: mbështetja në poezinë popullore si dhe në poezinë e traditës. Prej këtyre dy burimeve ai ka marrë gjërat më të mira dhe është munduar t’i shkrijë në vjershat e veta. Ndikimi – në kuptimin më të mirë të fjalës – i poezisë së naimit, Asdrenit e veçanërisht i Çajupit, por edhe i poezisë që është krijuar deri më sot, ndihet në shumicën e vjershave të tij. Ndikimi – edhe këtu në kuptimin më të mirë të fjalës – i gurrës popullore është edhe më i madh. Poeti, në të dy burimet, ka marrë frymën atdhetare dhe e ka ngjizur në krijimet e veta, duke përçuar te lexuesit e vegjël ide, mendime, ndjenja, emocione dhe tema me vlera edukative e estetike. Nga burimi i dytë ka marrë frymën e poezisë popullore dhe me të ka mbrujtur poezitë. Me zotësi, poeti zbulon gjetje të reja, ndërton figura të reja dhe krijon vargje origjinale. Karakteristika tjetër në poezinë për fëmijë të Bardhosh Gaçes është dhe prurja në sofrën e përbashkët të poezisë për fëmijë të asaj që ka më të mirë treva e Vlorës. Bashkë me të ndihet fuqishëm edhe prurja e Tërbaçit, e këtij fshati me emër jo vetëm në Labëri, por edhe më gjerë.”

Libri “Vogëlushët e Tërbaçit”, (vjersha), nuk ka më shumë se 60 faqe e, me një kopertinë që ka si subjekt motivin e poezisë me të njëjtin titull si të librit. Pra, që në komunikimin e parë, përftojmë ndjesinë e një treve që autori e do dhe e njeh shumë mirë. Poezitë që lëvrohen në këtë libër, nga mënyra se si shtjellohen, si ligjërohen, ngjajnë si një ekspozitë me shumë tablo me plot ngjyra të ndezura, ngjajnë si rrëfime, ku çdo rrëfim ka shumë dëshmi. Ngjajnë, gjithashtu, si sekuenca filmi me subjekt historik. Ngjajnë, gjithashtu, si dokumente që fiksojnë një kohë dhe nuk e zverdhin atë. Ngjajnë, gjithashtu, si një Muze, ku flet një histori ekzistente dhe reale, me zërin e saj të vërtetë me plot motive të lavdishme lufte. 

Poeti Bardhosh Gaçe, me librat e botuar gjer tani, mbetet një ëndërrimtar në ‘Kopshtin e ëndrrave’ dhe një udhëtar i palodhur që kërkon e zbulon motive të reja, dhe që i ngjan atij ‘Lumi që nuk fle gjumë’. Vërtet, i pagjumë poeti Bardhosh Gaçe!

 

Literaturë e shfrytëzuar:

-Bishqemi, prof. as. dr. Astrit: Autorë të Letërsisë Shqiptare për fëmijë e të rinj (1886 – 2009) f. 107 – 108, zëri: G, Gaçe, Bardhosh (05 mars 1953 - ), Për fëmijët ka botuar disa përmbledhje poetike: - “Dëshira e Anilës” – Naim Frashëri, T. 1979; - “Vogëlushët e Tërbaçit” – Naim Frashëri, T. 1989; - “Pse gëzohet Keti i vogël?” – Naim Frashëri, T. 1993; - “Lumi im s’fle gjumë” (vjersha) – Naim Frashëri, T. 1995; Toena, T. 2005; - “Cicërijnë zogjtë e Sharrit” – 1996; - “Gugatin pëllumbat në Prishtinë” – Toena, T. 1997; - “Në ditëlindjen e Besnikut” – 1999; “I biri i peshkatarit” (tregime) – 2000; - “Ëndrra të kaltra” – 2000; - “Pranverës i shkruan letër Baba Dimrit” – Maluka, T. 2006; - “Në kopshtin e ëndrrave” – Toena, T. 2009; në anglisht në Kanada 2007.

 -Bishqemi, prof. as. dr. Astrit: Histori e Letërsisë Shqipe për Fëmijë e të Rinj (Botim i katërt, i rishikuar dhe i pasuruar), SHBLSH e RE, Tiranë 2014; 4.3. Letërsia për fëmijë e viteve ’90 e këtej (e tranzicionit demokratik).; 4.3.1 Vështrim panoramik, 4.3.2 Zhvillimi i poezisë; Lumi im s’fle (1995) B. Gaçe, f. 559.

 -Gaçe, Bardhosh: Dy fjalë… (f. 3), Vlorë, 29 prill 1997 – 2009 Autori, “Në kopshtin e ëndrrave”, vjersha, Triptik, Vlorë 2009.

-Bishqemi, prof. as. dr. Astrit: Histori e Letërsisë Shqipe për Fëmijë e të Rinj (Botim i katërt, i rishikuar dhe i pasuruar), SHBLSH e RE, Tiranë 2014; 4.2.2.2. Poezia për fëmijë; 4.2.2.2.1 Udha e zhvillimit të poezisë sonë për fëmijë, f. 152.

-Çadri, prof. as. dr. Ramazan: Lindja dhe formimi i Letërsisë shqipe për fëmijë, Redona, Tiranë, 2009; 2. Formimi i letërsisë shqipe për fëmijë (vitet ’60), f. 169.

-Pasolini, Pier Paolo: Djem jete (roman, përkthyer nga Shpëtim Këlmendi), parathënie nga Vincenzo Cerami, f. 5, Botimet Dudaj, Tiranë 2017.

 -Grillo, Odhise: shkrimi: Përcjellje…, f. 136, libri: “Lumi im s’fle”, vjersha, autori Bardhosh Gaçe, Botimet Toena, Tiranë 2005.

Shkodër, shtator 2019.

Ora 08:49
Bardhosh Gaçe/ “Kopshti i ëndrrave” të poetit
  • Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    • Sondazhi i ditës:
      23 Dhjetor, 23:33

      Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



    ×

    Lajmi i fundit

    Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

    Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja