Shqipëria po punon për një rishikim të plotë të legjislacionit për barnat, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian, me synimin për të rritur standardet dhe për të forcuar sigurinë në treg.

Kështu tha të premten Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, në Konferencën Mbarëkombëtare të Farmaceutikës, duke shpjeguar se Sistemi farmaceutik në Shqipëri është në fazë reformimi dhe ndryshimet kanë nisur të marrin konkrete.

Në këtë kuadër ajo përshëndeti miratimin e VKM-së e re për çmimin e barnave pak kohë më parë, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më realist, më të qëndrueshëm dhe më të përshtatur me lëvizjet e tregut. Ministrja tha se qëllimi kryesor mbetet garantimi i aksesit të qytetarëve te barna cilësore, të sigurta dhe efektive

“Kemi pasur ndryshime konkrete, të prekshme në këtë drejtim, para dy javësh është miratuar VKM e re e çmimit të barnave.  E gjitha me synimin për ta bërë atë më realiste dhe më të përshtatur me dinamikat e tregut dhe vështirësitë që hasin kompanitë farmaceutike. Qëllimi është ndërtimi i një sistemi më të qëndrueshëm dhe më të parashikueshëm, në interes si të pacientëve, ashtu edhe të aktoreve të tregut. Në qendër të çdo reforme dhe çdo vendimmarrjeje mbetet pacienti. Objektivi ynë është të garantojmë barazi në akses dhe të përmbushim sa më mirë nevojat terapeutike të çdo qytetari” tha Sala.

Ajo theksoi se sektori farmaceutik është një nga shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor dhe për këtë arsye forcimi i tij është prioritet kombëtar. Sipas Salës, institucionet po punojnë për një model më transparent, më efikas dhe më të dixhitalizuar të sistemit farmaceutik.

“Së fundmi kemi ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të reformimit dhe modernizimit të sistemit farmaceutik, me synimin për të kaluar drejt një modeli më transparent, më efikas dhe më të dixhitalizuar. Ky proces është thelbësor për të rritur besimin, për të përmirësuar shërbimin dhe për të garantuar funksionim më të qëndrueshëm të tregut”

Një tjetër fokus, tha ajo, është edhe përmirësimi i aksesit në barna inovative, jo vetëm duke i futur ato në treg, por edhe duke shkurtuar kohën që u duhet pacientëve për t’i marrë.

Në të njëjtën linjë, ministrja nënvizoi se duhet mbajtur ekuilibri mes aksesit, çmimeve të përballueshme dhe qëndrueshmërisë së tregut. Për këtë, ajo kërkoi bashkëpunim të vazhdueshëm me industrinë farmaceutike, profesionistët e fushës dhe aktorët e tjerë të sistemit.

“Një nga prioritetet tona është përmirësimi i aksesit në barna inovative, duke synuar jo vetëm futjen e tyre në treg, por edhe shkurtimin e kohës së aksesit për pacientët, në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Në të njëjtën kohë, jemi të vetëdijshëm që sistemi kërkon politika të balancuara, midis aksesit, çmimeve të përballueshme dhe qëndrueshmërisë së tregut farmaceutik. Kjo kërkon vendimmarrje të kujdesshme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët” tha ajo.

Sala u ndal edhe te sfidat që lidhen me mungesat e barnave dhe zinxhirët e furnizimit, duke thënë se për tregje të vogla si Shqipëria mbetet jetik bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar.

Në fjalën e saj, Sala pati edhe një mesazh edhe për roli i farmacistit. Sipas ministres, farmacisti nuk është më thjesht hallkë e shpërndarjes së barnave, por një profesionist kyç në kujdesin ndaj pacientit dhe në përdorimin e sigurt e racional të tyre.

Konferenca e këtij viti përkoi edhe me 20-vjetorin e krijimit të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë. Në këtë kuadër, Sala shprehu falënderim për presidentin e Urdhrit të Farmacistëve, Defrim Goma, dhe për kontributin e institucionit në forcimin e profesionit.