TIRANE- Dy kallëzimet penale kundër kreut të INUK-ut Zyhdi Dajti, kanë si protagonistë Lulzim Bashën dhe biznesmenin Xhuvi Sharxhi, i cili ka qenë bashkëpronar me vjehrrin e Bashës, Xhafer Isufi, në kompleksion “Jon” në Vlorë, të shembur nga Zyhdi Dajti në muajin dhjetor 2013. Denoncimi i kreut të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, bën fjalë për bllokimin nga Zyhdi Dajti të punimeve për bulevardin e ri të Tiranës nga zona e stacionit të trenit deri në Paskuqan.

Ndërkohë që kallëzimi i biznesmenit Xhuvi Sharxhi, ky i fundit mik i ngushtë i Lulzim Bashës, bën fjalë për një pallat 9 katësh që sapo ka filluar dhe që ndodhet pranë rrugës së Elbasanit. Gropa e këtij pallati sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës ndodhet në afërsi të pallatit ku banon ish-kryeministri Sali Berisha. Kallëzimi i dy personave duket se vjen si hakmarrje ndaj Zyhdi Dajtit, pasi me firmën e këtij të fundit është rrëzuar kompleksi “Jon” në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë. Abuzimet e kryera gjatë fazës së ndërtimit të këtij kompleksi u denoncuan 1 muaj pasi të shembej pallati, nga gazeta “Shqiptarja.com”.