Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit në detyrë të kosovës, Ramush Haradinaj, për sa i përket padisë së bërë nga kryeministri Edi Rama.

Basha thotë se pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është akt i ulët që na turpëron dhe si i tillë meriton refuzimin dhe revoltën legjitime.

Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar anti-kombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës”, thotë kreu i PD.

“Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.”, mbyll ai reagimin në facebook.

Rama të mërkurën dorëzoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë kundër Haradinajt, me pretendimet e ai ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit. Padia e Edi Ramës,  pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.