KUKËS - Pas premtimeve për ulje të taksave, të çmimit të energjisë si dhe faljen e kamatëvonesave të faturave të pashlyera, Lulzim Basha sfidon sërish qeverinë: Ulje e tarifave studentore për universitet publike.
 
Ky është premtimi që lideri demokrat bëri gjatë një takimi me të rinj kuksianë.
 
“Me votën për Partinë Demokratike, në 21 qershor ju do të votoni për alternativën tonë, për uljen me 25 % të çmimit të energjisë dhe faljen e gjithë kamatë-vonesave anembanë Shqipërisë, për të mbajtur hapur të gjitha universitetet publike dhe filialet e tyre nga Kukësi, Peshkopia e kudo ne Shqipëri dhe për të ulur tarifat studentore në nivelin e mëparshëm. Me taksat e rritura shkaktuan krizë ekonomike, eksod për shqiptarët, varfëri për shqiptarët, papunësi për shqiptarët, çmime të larta për shqiptarët, për vete kridhen në lukse të papara. Ne së bashku do të hapim rrugën e taksave të ulëta, më të ulëtat në Ballkan dhe rikthimin e taksës së sheshtë në të gjitha nivelet”, -tha Basha. 
 
Papunësia dhe sulmet ndaj qeverisë Rama ishin gjithashtu kryefjalë e takimit te liderit demokrat më të rijntë e Kukësit. 
 
“Ata merren ditë për ditë me opozitën sepse nuk kanë çfarë të thonë. Sepse premtuan 300 mijë vende pune dhe nuk hapën asnjë vend pune, sepse premtuan shëndetësi  falas dhe e kanë katandisur ne ditën e saj më të zezë. Ne u ofruam mundësinë në parlament, duke ofruar amendamentet tona për heqjen e taksave, për uljen e taksave për bizneset që të krijonin më shumë vende pune, nuk i pranuan, i shkelën, i hodhën poshtë.  Ai nuk ka ofertë, ai nuk ka zgjidhje sepse për të punësimi juaj nuk është prioritet. Ka dy vjet që e ka provuar. Për mua, punësimi i shqiptarëve, punësimi i të rinjve është prioriteti numër një” - theksoi zoti Basha. 
 
Referuar rastit të dhunës policore në Kukës, ku qytetarët po protestonin për energjinë elektrike Basha theksoi se kjo mazhorancë nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe sot u ofron qytetarëve vetëm dhunë dhe mjerim.
 
Kandidati për kryetar i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu  tha se ne nuk mund të pranojmë që kryebashkiaku të punojë vetëm për familjen e tij, siç ndodh në Kukës ku djali i Hasanit është drejtor dhe Pallati i Kulturës është shndërruar në  zyrë të tij. 
 
“Brenda pallatit të Kulturës, një pjesë të pallatit të kulturës, kryebashkiaku ia ka dhënë djalit të tij. Kur e pashë që ai e kishte bërë zyrë për një drejtori që drejtohet nga djali i tij, thashë: Vendimi i parë që do jetë, si kryebashkiak i ardhshëm të largohet sa më shpejt dhe t’i kthehet qytetarëve pallati i Kulturës” - theksoi kandidati për kryetar bashkie, Bashkim Shehu.  

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)