TIRANË- Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do t'i bashkohen protestës së thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, nesër në orën 16:30 përballë Ministrisë së Brendshme. Vendimi është marrë pas mbledhjeve të organizuar nga dy partitë në selitë përkatëse.

Nga selia blu, ka dalë kryedemokrati Lulzim Basha i cili tha se PD-ja do të mobilizohet për të siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe, në një protestë jo vetëm për Teatrin, por edhe kundër "varfërisë, tiranisë dhe mjerimit politik".  Ndërkohë, pak minuta më vonë nga selia e kuqe ishte Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari i cili konfirmoi pjesëmarrjen, teksa i bëri thirrje policisë që të mos ndalojnë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar dhe të mos krijojnë incidente.  

Protesta e ditës së nesërme, ku do të marrin pjesë PD-LSI ka ndikuar edhe në ecurinë e Reformës Zgjedhore. Ato kanë bërë me dije se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen që ishte parashikuar për t'u mbledhur ditën e nesërme, me qëllim mbylljen e reformës brenda 31 majit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Pas PD-së dhe LSI në mbështetje të protestës së Aleancës: Policia të mos krijojë incidente

Njëjtë si PD-ja, edhe LSI-ja do të mbështesë protestën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 16:30.

"Kryesia vendosi të mbështesë në mënyrë të vazhdueshme të gjitha aktivitet për mbrojtjen e Teatrit. Të gjithë strukturat e LSI për të marrë pjesë masivisht në këtë tubim. Thirrje të policisë që të mos ndalojë dhe të krijojë incidente, i bëjmë thirrje qytetarëve veçanërisht të Tiranës që të marrin në dorë fatet dhe t'i tregojnë qeverisë së Ramës që është një klikë mafioze", tha Braimllari.

Ora 22:22
Basha i bashkohet protestës së Aleancës: Zotohem personalisht se do të rindërtoj Teatrin siç ishte! S'ka Reformë Zgjedhore

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka bërë me dije se do t'i bashkohet nesër protestës së Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit.

"Aleanca ka shpallur një protestë dhe ka kërkuar praninë sa më të madhe, ne do të mobilizojmë strukturat tona, u bëjmë thirrje që të jemi në mbështetje të tyre. në protestë kundër krimit makabër, në një protestë jo vetëm në mbrojtje të Teatrti, kundër tiranisë dhe shkeljes së Tiranisë, mjerimit politik. Ndaj në mbledhjen e sotme janë ndarë detyrat për të siguruar pjesëmarrjen më të madhe. Merr si shkak krimin makabër të shembjes së Teatrit, ka detyrë rikthimit te vlerat demokraricë për të mirën e qytetarëve. Rindërtimi i Teatrit, siç ishte, ky është një përkushtim dhe zotim që unë personalisht do ta bëj realitet. Do cohen para drejtësisë", tha Basha.

Ora 22:14
Më shumë se 1 orë në seli/ Përfundon mbledhja e Bashës me kryesinë e PD-së

1589746475_Screenshot20.jpg

Përfundon mbledhja e Bashës me kryesinë e PD-së. 

Ora 21:46
Kryemadhi lë sheshin, me urgjencë në seli! Mbledhje me kryesinë për aksionin opozitar

Pas PD-së, edhe LSI ka nisur një mbledhje në seli për të diskutuar mbi aksionin opozitar pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka lënë sheshin, dhe i është drejtuar selisë së kuqe për të zhvilluar mbledhjen.

Ora 21:05
Aksioni opozitar pas protestës kundër shembjes së Teatrit/ Basha nis mbledhjen në Kryesi! Kryemadhi këmbëkryq në shesh

Nis mbledhja e kryedemokratit Lulzim Basha me strukturate PD-së, në lidhje me vendimin që do të marrin për aksionin opozitar pas protestës kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që Basha është në mbledhje, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi vijon të qëndrojë në shesh. 

Ora 18:24
Vendimi për aksionin opozitar/ Shtyhet për në mbrëmje mbledhja e Kryesisë së PD-së...Ishte planifikuar në 18:00

Mbledhja e grupit të Kryesisë së PD-së, e cila ishte planifikuar për në orën 18:00 është shtyrë! Burime për Report Tv bëjnë me dije se mbledhja është lënë për t'u zhvilluar në mesnatë, megjithatë nuk ka ende një orar të përcaktuar. Nuk dihet një arsye zyrtare, megjithatë theksojmë që kryetari i PD-së, Lulzim Basha është në shesh, së bashku me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe me anëtarët të tjerë të partive opozitare.