Basha mbledh vota në Maqedoni
Fushatë për myftiun në Dibë

Basha mbledh vota në Maqedoni <br />Fushatë për myftiun në Dibë
TIRANE - Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha do të jetë sot në Dibër të Maqedonisë, zyrtarisht, për të marrë pjesë në inaugurimin e xhamisë së madhe në këtë qytet. Përtej ceremonisë së hapjes zyrtare të xhamisë, ku nuk dihet se çfarë kontributi ka dhënë kryetari i bashkisë së Tiranës, myslimanët e të cilës ende vuajnë për një objekt kulti të denjë, arsyeja e vërtetë e pjesëmarrjes së Lulzim Bashës është mbështetja për myftiun e Dibrës, Ruzhdi Lata, që kandidon për kryetar komune në zgjedhjet e 24 marsit si përfaqësues i BDI-së së drejtuar nga Ali Ahmeti. Në gjithë zonën janë shpërndarë edhe njoftimet se Lulzim Basha do të jetë sot në Dibër. Lobimi i Bashës është parë si kundërpeshë ndaj kandidatëve të tjerë që rivalizojnë Latën, mes të cilëve edhe biznesmeni shqiptaro-amerikan Ibrahim Kolari, profili i të cilit ka shqetësuar shumë pretendentin që vijon të jetë myftiu i Dibrës.

Mbështetja e Bashës për myftiun është shikuar në Dibër dhe nga shqiptarët e Maqedonisë, si një lojë elektorale me përfitim të dyanshëm. Në 5 dhjetor 2012, bashkia e Peshkopisë e shpalli "qytetar nderi" myftiun e Dibrës Ruzhdi Lata. Shpallja e Latës u bë në prezencë të funksionarëve dhe të përzgjedhurve nga populli në qytetin e Peshkopisë, zyrtarisht për kontributin e shquar në mbrojtjen e çështjes kombëtare, mbështetjen e lëvizjeve demokratike, për udhëheqjen shpirtërore të komunitetin islam Dibër e më gjerë, për tolerancën, harmoninë e vizionin modern në trajtimin e çështjes të religjionit. Dokumenti i shpalljes Latës iu dorëzua nga ana e kryetarit të bashkisë Peshkopi, Ilir Krosi.

Zgjedhja e Latës në krye të komunës së Dibrës do të forconte më tej influencën e PD-së në atë zonë të banuar me shqiptarë matanë kufirit, ndërsa më pas ata do të mbështesnin PD-në për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri. Gjatë lobimit për kandidatin Lata në Dibër, shqiptarëve u është premtuar mbarimi i rrugës së Arbrit, nga qeveria e Berishës, e cila është nisur prej mëse 6 vitesh dhe ka ngecur në shumicën e veprave të rëndësishme, që do ta shkurtonin ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe kufirit me Maqedoninë. Veç mbarimit të rrugës së Arbrit, shqiptarëve u është premtuar edhe bashkimi kombëtar, ide e hedhur publikisht nga kryeministri Berisha gjatë festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Shqipt¬arëve të Dibrës u është kë¬rkuar edhe ndihma e tyre në votimet e ardhshme në Shqip¬ëri, në 23 qershor 2013 për zgjedhjet parlamentare. Duke përdorur skem¬ën e zgje¬dhjeve vendore te 8 majit, banorëve të Dibrës në moshë madhore u është kërkuar pjesëmarrja në votime. Zyrtarisht nuk është e vështirë, sepse shumë prej dibranëve kanë njerëz të afërm në Tiranë apo në qytete të tjera të Shqipërisë.

RIVALI
Përballë Latës, në zgjedhjet lokale të caktuara për 24 mars, është kandidati i pavarur Ibrahim Kolari, biznesmen me origjinë nga Dibra, i cili në moshën 19-vjeçare emigroi në SHBA. Aktualisht ai ka biznese në SHBA dhe Dibër dhe është anëtar i shumë shoqatave shqiptare në diasporë. Në deklaratat e tij, ai ka theksuar se do të garojë për postin e kryetarit të Dibrës si i pavarur, por gjithashtu pret edhe përkrahje të disa partive shqiptare. Sipas shqiptarëve të Dibrës, Kolari ka investuar në Dibër rreth 2 milionë dollarë për qytetin me 10 mijë banorë. "Në zgjedhjet lokale do të kandidohem si kandidat i pavarur. Kam mbështetjen e diasporës së SHBA-ve, kurse ka paralajmërime se programin tim për zhvillim të Dibrës dhe rikthimin e imazhit të qytetit urban, do ta mbështesin edhe partitë politike si dhe asociacione nga sektori qytetar. Fitorja ime do të thotë fitore për qytetin, pasi prioritet do ta kem zhvillimin e ekonomisë dhe zvogëlimin e papunësisë, ndërprerjen e emigrimit të të rinjve si dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore", ka deklaruar Kolari.

EKSTREMISTET ISLAMIKE
Xhamia me stil arab, tre dibranë u dënuan për "Fort Dix"

Sipas banorëve të Dibrës objekti i kultit është me stil arab dhe fryma që përcillet në predikime është ajo radikale. Vetë myftiu Lata është shprehur se objekti i ri pranë Qendrës së Kulturës është shqiptar, pse ka një oborr prej guri me 100 dritare, që sipas arkitektit simbolizojnë 100 vite pavarësi të Shqipërisë. Nga kjo zonë ishin edhe tre shqiptarë që u dënuan nga drejtësia amerikane për tentativë të vrasjes së ushtarëve amerikane. Në 29 prill 2009, Gjykata Federale në New Jersey dha vendimin përfundimtar për rastin e njohur si "Fort Dix", duke dënuar tre vëllezërit shqiptarë nga Dibra e Maqedonisë, Dritan, Elvir dhe Shain Duka me burgim të përjetshëm. Vëllezërit dibran, nga kjo gjykatë amerikane janë gjetur fajtorë për planifikim të vrasjes së ushtarëve në bazën e ushtrisë amerikane "Fort Dix", rreth 64 kilometra në lindje të qytetit Philadelphia, për të cilën prokurorët thanë se ishin frymëzuar nga ideja e luftës së shenjtë kundër SHBA-së. Sipas mediave amerikane, të dënuarit nuk treguan fare pendesë, por deklaruan se "jemi viktimë e një konspiracioni të Qeverisë së SHBA-së". Avokati i kësaj çështjeje e hodhi poshtë akuzën, duke thënë se klientët e tij nuk kishin pasur në asnjë mënyrë si "qëllim ndonjë komplot kundra bazës ushtarake në 'Fort Dix'", për të cilën akuzoheshin. Të përfshirë në këtë çështje është edhe një informator i FBI-së, me origjinë shqiptare.

*Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia