Shkodra dhe Lezha kanë qenë dy qytete ku PD ka zhvilluar takimet përmbyllëse elektorale. Kryedemokrati Lulzim Basha nga Lezha ka folur për kandidatët e inkriminuar të mazhorancës në këtë garë zgjedhore kur tha se për këtë tashmë po shkruajnë edhe mediat botërore. Ndërsa në pritjen që shkodranët i bënë shefit të opozitës, Basha i ka ftuar ata që me 21 qershor të tregojnë forcën e votës që ndëshkon pushtetin që i varfëroi në dy vjet.
 
Nga Lezha në takimin përmbyllës elektoral kryetari i opozitës Lulzim Basha vetëm 4 ditë para zgjedhjeve I ka kujtuar kryeministrit Edi Rama se mediat botërore flasin për listën e kandidatëve të mazhorancës me persona të inkriminuar. Ndërsa kishte në krah kandidatin e Aleancës Popullore për Punë dhe dinjitet për bashkinë e Lezhës Fran Frrokaj, Basha tha nga sheshi para katedrales në Lezhë se kryetari I LSI Meta dhe Viktor Tusha ua kanë mbyllur gojën qytetarëve.

Në një miting masiv elektoral zoti basha ka ftuar lezhjanët të votojnë programin e kandidatit të djathtë si një program që u shërben atyre dhe jo interesave politike të pushtetit.
Më pas kryetari i PD është ndalur në kryeqendrën e veriut në Shkodër, ku është pritur nga mijëra mbështetës të së djathtës në këtë zonë, ndërsa tha se ora e llogaridhënies së pushtetit që për dy vjet varfëroi shqiptarët nis më 21 qershor nga Shkodra.

Në takimet përmbyllëse elektoral në Lezhë dhe Shkodër Basha shoqërohej nga deputetët e zonave si dhe aleati i demokratëve kryerepublikani Fatmir Mediu.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)