Basha në Murriqan: Drejt Europës
me punë dhe dinjitet, pa azil

Basha në Murriqan: Drejt Europës<br />me punë dhe dinjitet, pa azil
Në ditën e Europës, Partia Demokratike ka organizuar një aktivitet në pikën kufitare të Murriqanit. Në fjalën e tij, Lulëzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se si dje ashtu edhe sot në qeveri i vendos barriera rrugës së shqipërisë drejt Europës.

Kur ne përpiqeshim dhe hiqnim vizat për shqiptarët, i liberalizonim ato, të krijonim mundësinë për lëvizje të lirë dhe dinjitoze të qytetarëve, qeveria e sotme, atëherë në opozitë, bëri gjithçka për të penguar këtë proces jetik për shqiptarët; kur ne përpiqeshim me çdo kusht të hapnim rrugën për marrjen e statusit kandidat, qeveria e sotme, opozita e djeshme bëri gjithçka për ta penguar e vonuar këtë proces”, theksoi Basha
 
Më tej, ai ka thënë se 9 maji,  është dita për të kujtuar se sa shumë është arritur në këto vite të lirisë, me përkushtimin dhe nevojë për një jetë më të mirë për çdo shqiptar.
Gjithashtu Basha u ndal edhe tek liberalizimi i vizave të cilin e quajti një moment dinjiteti për shqiptarët.
 
Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë edhe departamenti i emigracionit dhe kandidatja për kryetare të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi
 basha ne murriqan
 
Më poshtë fjala e plotë e Lulzim Bashës 
"Ia dolëm të hedhim hapa gjigandë, që kulmuan me heqjen e vizave, lëvizjen e lirë të shqiptarëve, vazhduan me përpjekjen tonë për të hapur dyert e Europës për anëtarësimin e plotë në të.
Për fat të keq, vëllezër e motra, ndonëse flasim e bëjmë sikur jemi të bashkuar, veprimet tregojnë krejt të kundërtën. Nuk janë fjalët por veprat ato që tregojnë se ku qendron çdo palë. Kur ne përpiqeshim dhe hiqnim vizat për shqiptarët, i liberalizonim ato, të krijonim mundësinë për lëvizje të lirë dhe dinjitoze të qytetarëve, qeveria e sotme, atëherë në opozitë, bëri gjithçka për të penguar këtë proces jetik për shqiptarët; kur ne përpiqeshim me çdo kusht të hapnim rrugën për marrjen e statusit kandidat, qeveria e sotme, opozita e djeshme bëri gjithçka për ta penguar e vonuar këtë proces.
Dje si opozitë, dhe sot si qeveri, Edi Rama është provuar si pengesa kryesore për integrimin europian të Shqipërisë. Sot, ai ka ngritur barriera të tjera të pakapërcyeshme për udhëtimin tonë europian. Ndonëse statusi kandidat u dha pas përpjekjeve të shumta dhe mbështetjes totale që PD dhe unë personalisht i dhamë këtij procesi, Shqipëria nuk ka një datë për hapjen e negociatave. E si mund të ketë një datë për hapjen e negociatave, një vend qeveria e së cilit ka ngritur krimin dhe korrupsionin në foltoren e pushtetit.
Kjo është qeveria e vetme e çdo vendi me statusin kandidat që aspiron të hyjë në BE, e cila i njeh vetes për meritë inkriminimin e politikës, të administratës, ngritjen në pushtet dhe veshjen me pushtet të personave të inkriminuar, të trafikantëve të drogës, prostitucionit, njerëzve që kanë shitur dinjitetin e motrave tona në rrugët e Europës, njerëzve të krimit të organizuar të cilët i ka bërë drejtorë, i ka futur në Parlament dhe i ka promovuar në çdo post kyç të qeverisjes. Cili është modeli që ofron sot kjo shumicë? Modeli që ju s’keni pse të mësoni, nuk keni pse të shkoni në universitet, nuk keni përse të merrni kualifikimet më të mira, nuk keni pse të luftoni për të qenë më të aftë në çdo drejtim sepse kjo nuk vlen. Ajo që vlen është rekordi kriminal, diploma false, injoranca, spekulimi. Këta i ka marrë dyshja Rama-Meta dhe i ka promovuar kudo në poste drejtuese, në administratë, parlament e qeveri.
Nuk ka si të çajë përpara një vend i cili është kthyer në rekordet më të zeza të korrupsionit,  një vend qeveria e së cilit prokuron gjysmën e fondeve publike me prokurim të drejtpërdrejtë në nivelin limit të preventivit, që do të thotë vjedhje e hapur e fondeve të shqiptarëve. Një qeveri e cila në kushtet e një krize ekonomike po largon mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe po përsërit eksodin me përmasat më masive që nga 1991-1992, shpenzon milionat e taksave të rritura të shqiptarëve për projekte korrupsioni, palma korrupsioni, fasada korrupsioni, palma që blihen me 15-fish çmim, ndërkohë që shqiptarët vuajnë për bukën e gojës.
Regji qendrore që kushton 1500 euro transmetimi dhe katër të tilla në ditë, 6000 euro në ditë, 8 milionë e 400 mijë lekë në ditë, baraz me asistencën sociale për 420 familje në muaj apo 35 familje në vit. Në vend që këto familje të marrin asistencën, këto largohen, zhduken nga lista, hidhen në mes të mjerimit, pasiguri as për koren e bukës. Pse? Që surretërit e pushtetarëve të dalin 4 herë në ditë në televizor.
Ky vend, kjo qeveri që qeveris një vend të tillë e largon nga Europa, e largon nga ideali i Europës. U tregojnë shqiptarëve se jemi në drejtimin e duhur. Po çfarë thonë statistikat? Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, në BE janë regjistruar 11 200 azilkërkues politikë. Numri real i atyre që kanë kërkuar, që janë larguar është shumë më i madh. Vetëm në muajin e kaluar 4700 bashkëatdhetarët tanë kërkuan azil politik, 1700 më shumë se në mars që do të thotë se përkeqësimi vazhdon, se e keqja vazhdon të zmadhohet ditë pas dite dhe se shumë njerëz nuk shohin rrugëdalje tjetër, nuk shohin shteg tjetër përveç largimit nga Shqipëria.
Kjo është një këmbanë alarmi për të gjithë, për të gjithë shqiptarët, që të bashkohemi për të gjetur rrugëzgjidhjen e duhur siç e thoni ju, siç e keni shkruajtur këtu: Rruga e zgjidhjes nuk është largimi i qytetarëve por është largimi i qeverisë së papërgjegjshme që e ka kredhur Shqipërinë në mjerim, i ka asgjësuar shpresën dhe po u vret dinjitetin ditë për ditë shqiptarëve.
Unë jam i bindur se 21 qershori që po afron do të jetë një përgjigje plebishitare, europiane e shqiptarëve. Me votën tonë, në 21 qershor, ne të gjithë bashkë do t’i themi po Europës, Europës jo si një koncept abstrakt por Europës dhe Shqipërisë europiane, si vendi ku qeveria nuk kërcënon, nuk kërcet dhëmbët para qytetarëve, nuk agreson qytetarët por është në krah të qytetarëve, me ta, për ta, për të zgjidhur hallet e problemet e tyre e jo për t’i shtuar ato; me Shqipërinë europiane ku qeveria nuk është përgjegjësja kryesore që njerëzit të fitojnë më pak, shpenzojnë më shumë dhe jetojnë më keq por një qeveri europiane që hap vizione, horizonte të reja pune përmes investimeve, taksave të ulëta, nxitjes së sipërmarrjes, nxitjes së biznesit të vogël, punësimit të rinisë, transparencës dhe dedikimit të çdo qindarke të shqiptarëve vetëm për prioritetet e shqiptarëve e jo duke i bërë ato rrush e kumbulla për qejfe sheikësh siç bëjnë pushtetarët e sotëm.
Europa kërkon sakrifica, kërkon përkushtim, kërkon vizion, Europa kërkon një model të vërtetë dhe jo fasadë. Europa kërkon modelin e të vërtetës dhe jo gënjeshtrës. Shqipëria nuk mund të rendë më pas maskave të pushtetarëve. Fytyra e tyre e vërtetë ka dalë në pah, veprat e mënxyrat e tyre flasin më mirë se fjalët dhe propaganda e tyre ndaj ne kemi shpresën dhe besimin e plotë se me bashkimin e madh të rinisë shkodrane, me Shkodrën zonjë në krye, me Voltan Ademin dhe PD, në 21 qershor do ta ndalim largimin e ëndrrës europiane të rinisë dhe do të fillojmë rrugën e afrimit tonë drejt standardit europian të jetës, të shërbimit, të llogaridhënies, standardit europian në çdo kuptim e çdo rrafsh të kulturës, integritetit, të ndershmërisë, të punës së palodhur siç e përfaqëson Voltana Ademi, kandidatja jonë dhe kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Shkodrës
", tha në fjalën e tij kryetari i Partisë Demokratike.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)