Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë i ftuar nga Grupi Paneuropian i Parlamentit Europian në konferencën me temë "Zhbërja e standardeve demokratike dhe sfidat e Shqipërisë në integrimin europian".
Kreu i PD Basha takim me Komisionerin për Politikë Fqinjësore Europiane dhe Negociata për Zgjerim, Johanes Hahn
TIRANË, 10 Mars /ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte në Strasburg ku mori pjesë i ftuar nga Grupi Paneuropian i Parlamentit Europian në konferencën me temë "Zhbërja e standardeve demokratike dhe sfidat e Shqipërisë në integrimin europian".
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli në Strasburg për një sërë shqetësimesh aktuale me të cilat përballet aktualisht vendi. Shqetësimet për situatën politike në Shqipëri dhe domosdoshmërinë e procesit të dekriminalizimit, Basha i ndau edhe në takimet e zhvilluara me Komisionerin për Politikë Fqinjësore Europiane dhe Negociata për Zgjerim, Johanes Hahn dhe eurodeputët e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian, njoftoi zyra për shtyp e PD.
Basha theksoi se, akuzat e hedhura në gjirin e mazhorancës për skenarë vrasjesh dhe larje hesapesh kanë tronditur thellë jo vetëm Parlamentin Europian, por edhe institucionet e tjera europiane, të cilat mbështesin pa hezitim dekriminalizimin e plotë të politikës shqiptare.
"Në konferencë dhe në takimet që kam patur u diskutua për shqetësimin e madh të Bashkimit Europian për zhbërjen e standardeve demokratike në Shqipëri. Për zhbërjen e shtetit ligjor, goditjen e vendimeve të gjykatave, kapjen e institucioneve të pavarura, klimën jo konstruktive që shumica ka krijuar në raport me opozitën, goditjen e të drejtave të njeriut e shumë e shumë probleme të tjera me të cilat Shqipëria është ndeshur në këtë vit e gjysmë përsa i përket standardeve demokratike, tha kryetari Basha .
Janë këto institucione që kanë dhënë mbështetje për dekriminalizimin. Është Parlamenti Europian që u angazhua në fund të vitit të kaluar për dekriminalizimin dhe sot, këtu në Strasburg, në prani të këtyre institucioneve është theksuar nga bashkëfolësit e mi se nevoja për dekriminalizimin e politikës shqiptare është më akute se kurrë më parë", deklaroi kryetari i Partisë Demokratike në një prononcim për mediat në përfundim të konferencës dhe takimeve në Strasburg.
/f.n/










