TIRANE-Lider demokrat Lulzim Basha këmbëngul në idenë e tij se kur PD-ja të vijë në pushtet do të hetojë kontratat koncesionare.

Atë që pak ditë më parë e tha me zë dhe figurë, sot Basha planin për goditjen e korrupsionit në koncesione e ka publikuar me anë të një video në faqen e tij në Facebook. Ai thotë se gjithcka do të fillojë nga ndjekja e parave për të shkuar në gjurmët e atyre që Basha akuzon se kanë vjedhur pasuritë e shqiptarëve.

Edhe pse hetimet i bën prokuroria, Basha thotë se një gjë të tillë do e bëjë qeveria e PD-së duke filluar me kontratat dhe fondet publike. "Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë i tek kryeministri. 

PD do të bashkëpunojë me ekspertë të huaj dhe me agjencitë kryesore në botë për luftën kundër krimit ndërkombëtar, Europoli, agjencitë britanike, holandeze, gjermane dhe amerikane" shkruan ai.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës
“NDIQ PARANË” një plan konkret kundër  korrupsionit dhe rikuperimit të parave dhe pasurive të vjedhura

HAPI I PARË
•             Miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar.

Prioriteti i qeverisë së partisë Demokratike:

•             Hetimi i korrupsionit të niveleve të larta.

HAPI I DYTË
•             Hetimi dhe ndëshkimi i veprimtarisë kriminale të qeverisë për prokurimet dhe licencimet publike.

Prioriteti i qeverisë së partisë Demokratike:

•             Hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike.

•             Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare. Çdo kontratë do të konsiderohet si vepër e mundshme kriminale.

•             Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë i tek kryeministri. 

Hetimi ynë do të përqendrohet tek paraja.

•             Do të ndjekë, gjurmojë dhe zbulojë origjinën e parave të përdorura.

•             Do të zbulojë destinacionin e parave të marra nga buxheti.

HAPI I TRETË
•             Rikuperimi i pasurive të vjedhura për mes kontratave dhe koncesioneve publike

Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare apo janë investuar kudo nëpër botë do të zbulohen dhe do t’u kthehen shqiptarëve.

HAPI I KATËRT
•             Lufta kundër pastrimit të parave

1.            Hartimi i ligjeve për luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave.

PD do të bashkëpunojë me ekspertë të huaj dhe me agjensitë kryesore në botë për luftën kundër krimit ndërkombëtar, Europoli, agjencitë britanike, holandeze, gjermane dhe amerikane.

2.            Miratimi i ligjit për ndalimin e legalizimit në ekonomitë produkteve të krimit. Zbatimi i këtij ligji parandalon investimin në ekonomitë parave të krimit dhe korrupsionit

 3.           Miratimi dhe zbatimi i paketës ligjore për deklarimin dhe kontrollin e aseteve të politikanëve dhe punonjësve publikë.

Fundi i pandëshkueshmërisë  së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta  është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë.