TIRANE - Lideri demokrat Lulzim Basha paralajmëron destabilitet total në vend, duke i lidhur kontratat abuzive koncensionare të qeverisë, me të gjitha format e krimit. Tashmë kryedemokrati ka një emergjencë të re kombëtare - siç ai e quan - në momentin kur PD-ja të vijë në qeveri. Hapi i parë do të jetë krijimi i kuadrit ligjor kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar.

Do të nisë me një operacion i gjerë i paparë ndonjëherë në gjithë Shqipërinë -siç ai tha - për të zbuluar dhe ndëshkuar vjedhjet që i janë bërë pasurive publike, për të gjurmuar origjinën e parave të përdorura, dhe për të rikuperuar pasuritë e vjedhur nga buxheti i shtetit.

Duke folur si kryeministër vendit, në një realitet tjetër ku PD është ne qeveri, Basha duke u veshur edhe me 'xhaketën' e kryeprokurorit tha se do të hetojë pasurinë e të gjithë atyre që janë përfshirë në një mënyrë apo tjetër në këto koncesione. "Hetimi do të përfshijë pasurinë e të gjithë ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të tanishëm", theksoi ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:58
Basha 'ngre' qeverinë e tij: Do të ndërmarim një operacion të gjerë, të paparë ndonjëherë (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike paralajmëroi ngritjen e një kuadri ligjor për të luftuar krimin dhe korrupsionin në qeveri, duke folur edhe për detyrat e vecantë që do të vihen në zbatim të këtij ligji dhe personat që do të goditen.

"Ngritja e krimit ndërkombëtar shqiptar nga trafiku i drogës tek pastrimi i parave, trafiku i qenieve njerëzore dhe aktivitetet e tjera kriminale janë të lidhura me politikat kriminale ekonomike të Edi Ramës. Krimi është fuqizuar dhe po kap ekonominë dhe politikën. Dhe ky do të jetë destabizilimi total i vendit.

Për mua personalisht, për Partinë Demokratike dhe për opozitën zhdukja e ndikimit dhe pasojave të politikës kriminale të grabitjes së vendit dhe tjetërsimit të ekonomsië publike në duart e një grushti kriminelësh dhe oligarkësh është emergjencë dhe prioritet kombëtar.

Për qeverisjen e PD-së dhe të opozitës. që ditën e parë të qeverisjes, para çdo gjëje dhe mbi çdo gjë tjetër, ne do të ndërmarim një operacion të gjerë, të paparë ndonjëherë, me shtrirje nga Shqipëria në vendet e tjera për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë.

Ky operacion do të përfshijë: Krijimin e një kuadri ligjor radikal kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar. Hetimin dhe ndëshkimin e gjithë veprimtarisë kriminale të qeverisë në fushën e prokurimeve dhe licensimeve publike.

Prioriteti ynë do të jetë: Hetimi i korrupsionit të niveleve të larta. Hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike. Rikuperimi i pasurive të vjedhura përmes kontratave dhe koncesioneve publike. Çdo kontratë konesionare, çdo kontratë shtetërore do të konsiderohet si vepër e mundshme kriminale dhe do të hetohet pa asnjë përjashtim

Çdo ent dhe kompani private, çdo person privat dhe publik, i përfshirë në hartimin dhe miratimin e këtyre kontratave, nga juristët e thjeshtë deri tek kryeminsitri, do t’i hetohet pasuria dhe të ardhurat, pa asnjë përjashtim në Shqipëri dhe kudo që t’i ketë.

Hetimi ynë do të përqendrohet te paraja. Do të ndjekë, gjurmojë dhe zbulojë origjinën e parave të përdorura. Do të zbulojë destinacionin e parave të marra nga buxheti. Ne do të hetojmë paratë dhe pasurinë e të gjithë atyre që janë përfshirë në një mënyrë apo tjetër në këto koncesione kriminale. Hetimi do të përfshijë pasurinë e të gjithë ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të tanishëm.

Ata ish-ministra, ish-sekretarë të përgjithshëm, ish-drejtorë etj, që janë larguar, mbasi mbushën xhepat, dhe që sot po investojnë në biznese, në vila, në luks, në restorante, nuk kanë për të shpëtuar. Zbulimi dhe rikuperimi i aseteve të vjedhura do të jetë prioritet absolut.

Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare në Qipro, në Singapor apo në Ishujt Kajman dhe kudo, paratë që kanë përfunduar në vila në Romë dhe në Nju Jork, do të zbulohen dhe do t’u kthehen shqiptarëve", tha Basha.

Ora 11:41
Basha tregon 3 formulat e grabitjes...a i përdori ato edhe në Rrugën e Kombit?! (VIDEO)

Gjatë deklaratës për mediat, kryedemorkati Lulzim Basha foli për formulën që sipas tij qeveria po përdor për të grabitur buxhetin e shtetit përmes koncensioneve korruptive.  

"Të gjitha janë koncesione dhe kontrata korruptive në përfitim direkt personal të Edi Ramës dhe klientëve të tij, pa asnjë përfitim publik. Formulat e grabitjes janë të thjeshta. Në rastin e koncesionit të rrugëve: Fryrje me disa herë e kostove të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve për të ndarë të gjitha fondet e fryra me Edi Ramën dhe qeveritarët. Në rastin e koncesionit të pompave, sikurse në koncesionet e plehrave, në koncesionet e shëndetësisë dhe të të gjitha llojeve të tjera formula është: jep kontrata dhjetravjeçare për shërbime pa asnjë kosto dhe rrezik për privatin me çmime të fryra të financuara tërësisht pa asnjë rezik nga buxheti i shtetit, për të ndarë pastaj paratë me Edi Ramën dhe qeveritarët. Forma tjetër e grabitjes është: dhënia e pasurive natyrore në përdorim apo për koncesione mbi burimet natyrore. Bregdeti, pyjet, lumenjtë, mineralet po u jepen privatëve gjoja për investime serioze dhe strategjike, Koncesione hodrocentralesh, privatizim bregdeti, ndërtime në zonat e mbrojtura, të gjitha janë shfrytëzim pa asnjë përfitim apo leverdi ekonomike i pasurive të vendit nga një grusht oligarkësh. E gjithë qeverisja e Edi Ramës tashmë është një aktivitet i përditshëm dhe i vazhdueshëm kriminal. Çdo akt, çdo veprim, çdo firmë e Edi Ramës dhe ministrave bëhet vetëm për të vjedhur, vetëm për të grabitur, vetëm për të përfituar padrejtësisht", tha Basha.

Pyetja e thjeshtë që lind është: Nga e gjen Basha këtë siguri për formulat e grabitjes së pasurive publike përmes koncensioneve. Ai tha se formulat janë mjaft të thjeshta, teksa i sqaroi me detaje. Mos ndoshta këto kanë qenë formula që ai i ka vënë në zbatim kur ka qenë vetë në qeveri? Kujtojmë se Basha është akuzuar për një koncension mjaft abuziv, të lënë ende në mes me rrugën jo totalisht të përfunduar, atë të Rrugës së Kombit.

Ora 11:31
Basha: Edi Rama një hajdut psikik. U dha miqve nip e dajë mbi 500 milionë në vit me 2 koncesione (VIDEO)

Lideri i Partisë Demokratike në një deklaratë për mediat nga selia blu hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama se me miratimin dje në kuvend të disa kontratave të rëndësishme koncensionare për ndërtim rrugës, është duke kryer vjedhjen më të madhe shtetëtore.

"Siç është bërë publike, qeverisja kriminale e Edi Ramës po vazhdon grabitjen dhe tjetërsimin e ekonomisë dhe pasurive publike të vendit ne anë të koncesioneve kriminale, që kanë për qëllim grabitjen e Shqipërisë për llogari të tij dhe një grushti klientësh. Gjithçka tjetër ka ndaluar. Gjithçka tjetër ka marrë fund në këtë qeverisje. Vetëm një gjë forcohet  dhe rritet përditë - vjedhja dhe grabitja e pasurive he parave publike. Edi Rama është hajduti më i madh që ka njohur historia e  Shqipërisë, një grabitës psiqik, që vjedh çdo gjë që i del përpara. Dje u miratua ne Landfillin e Republikës, pra në vendgrumbullimin e plehrave dhe hajdutëve që strehohen në Kuvendin e Shqipërisë,  grabitja me spektakolare në histori: Koncesioni i rrugës Milot-Balldren Ndue dhe Agim Kola me vlerë 256 milionë euro për 17 km. Vlera e koncesionit është 3 fishuar. Ish deputeti i PS dhe daja i tij, Gjoka, kanë marrë, së bashku, mbi 500 milionë Euro, nip e dajë. Koncesioni i rrugës Orikum-Dukat, Lorenc Gjikuria me vlerë 70 milionë euro. Vetëm ditët e fundit janë dhënë. Koncesioni i  inspektimit të pompave të naftë.  Plazhet publike në pronësi private. Të gjitha janë koncesione dhe kontrata korruptive në përfitim direkt personal të Edi Ramës dhe klientëve të tij, pa asnjë përfitim publik", tha Basha.

Kontratat koncensionare të lidhura së fundi nga qeveria për ndërtim të rrugëve, lideri demokrat i sheh si abuzime që do të japin pasoja të rënda në ekonominë e vendit. Basha tha se qeveria nuk do të ketë asnjëherë mundësi të bëjë investime pasi do të jetë gjithmonë në kushtet e shlyerjes së borxheve dhe kësteve të kontratave afatgjata koncensionare. Madje Basha shkon edhe më tej kur thotë se këto kontrata rrezikojnë edhe sigurinë kobmëtare dhe krijojnë destabilitet politik.

"E gjithë qeverisja e Edi Ramës tashmë është një aktivitet i përditshëm dhe i vazhdueshëm kriminal. Çdo akt, çdo veprim, çdo firmë e Edi Ramës dhe ministrave bëhet vetëm për të vjedhur, vetëm për të grabitur, vetëm për të përfituar padrejtësisht. Ky aktivitet kriminal qeveritar ka sjellë dhe po sjell pasoja shkatërruese për vendin. Do të ketë pasoja shkatërruese ekonomike, shoqërore dhe politike. Së pari, politikat kriminale të koncesioneve po sjellin dëme kolosale mbi pronën publike dhe paratë publike. Bëhet fjalë për qindra milionë, me gjasa miliarda euro publike të grabitura dhe shpërdoruara. Bëhet fjalë për kapjen e ekonomisë përmes kalimit të pasurive publike financiare dhe në natyrë tek privatët për dhjetra vjet.

Së dyti, ato do të sjellin bllokimin e politikave ekonomike të qeverisë.Koncesionet do të paralizojnë gjithë financat publike dhe do të bëjnë të pamundur çdo politikë publike. Të gjitha paratë e buxhetit për dekadat e ardhshme po kontraktohen që tani. Këto kontrata dhe borxhi marramendës që vazhdon të marrë Edi Rama, do ta shndërrojnë çdo qeveri në një zyrë pagesash, pa pasur mundësi të bëjë asgjë tjetër vetëm që të paguajë këstet e kontratave afatgjata, që Edi Rama ka firmosur në çdo fushë dhe për çdo gjë për dhjetëra vjet. Taksapaguesit dhe buxheti tyre do të jenë thjesht kuleta për të paguar për dhjetëra vitet e ardhshme klientët e EdI Ramës.

Së treti, veprimet kriminale ekonomike të Edi Ramës po sjellin shkatërrimin e konkurrencës në treg dhe të ekonomisë së lire .Të gjitha koncesionet janë monopole afatgjata, që vrasin konkurrencën në fushat ku janë dhënë. Në transport, në shëndetësi, në menaxhimin e mbetjeve, në arsim, në energji dhe kudo nuk do të ketë më vend për sipërmarrje,. nuk do të ketë më vend për biznesin e vogël dhe për asgjë tjetër.

Së katërti, politikat kriminale ekonomike të Edi Ramës do të sjellin shkatërrimin e proceseve politike përmes kapjes së politikës nga këto interesat private. Sot, e gjithë kupola e Partisë Socialiste është e kapur nga krimi dhe interesat private. Të gjitha politikat e saj janë kriminale dhe shkatërruese për proceset politike në vend, nga vjedhja e zgjedhjeve tek çdo veprimtari tjetër politike.

Por koncesionet kriminale dhe pastrimi masiv i parave në ekonomi përmes ndërtimeve, kapjes së sektorit bankar dhe kontratave publike janë, gjithashtu, rrezik për sigurinë kombëtare dhe rrezik për destabilizmin politik të vendit", u shpreh kryedemokrati Basha.