TIRANE-Opozita shqiptare e drejtuar nga Partia Demokratike nuk tërhiqet nga kushtet që i ka vendosur shumicës për reformën zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi pas takimit me ministrin e Jashtëm austriak se propozimi i opozitës për reformën zgjedhore vijon që të mbetet në tryezë.

"Me ministrin austriak ndamë shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve europianë me mosbesimin që ka krijuar qeveria shqiptare duke mos plotësuar kriteret kryesore për hapjen e negociatave. Dua ta them qartë që rruga që ka zgjedhur Rama në këtë javë që ka mbetur është e gabuar. Është rruga e fajësimit ndaj BE-së dhe cdo kujt tjetër, dhe opozitës, medias dhe qytetarëve për të hequr përgjegjësinë.

Në fakt i vetmi njeri përgjegjës është Edi Rama. Ai po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë. Opozita e bashkuar në krye të detyrës, propozimi për reformën zgjedhore vijon që të mbetet në tryezë dhe me këtë përgjegjësi i kam konfirmuar ministrit austriak që mund të mbështeten te PD-ja. Synimi ynë është që përmes zgjidhjes së krizës është që ecim me vendosmëri dhe vizion për të bërë detyrat tona të shtëpisë për të luftuar korrupsionin duke i nxjerrë paratë nga xhepat e politikanëve të korruptuar dhe duke i kthyer te xhepat e shqiptarëve" tha ai.

Basha vlerësoi edhe njëherë zgjedhjet në Kosovë duke e cilësuar si shembull që duhet të merret edhe nga hqipëria. "Kosova është shtet i pavarur me mbështetjen e këtyre vendeve ka arritur progres, sikur treguan edhe zgjedhjet e së dielës që janë një shembull jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë. Kemi të bëjmë me një shtet me institucionale demokratike. Kosova është shtet i pavarur i konsoliduar, PD-ja mbështet Kosovën në luftën kundër korrupsionit dhe integrimin".

Reforma zgjedhore është një nga dy kushtet e Gjermanisë për nisjen e negociatave dhe kryeministri Edi Rama i shtriu edhe njëherë dorën për dialog opozitës. Por Lulzim Basha i vendosi kushte. Pesë pikat e dërguara nga opozita për zgjidhjen e krizës politike, kanë në thelb Reformën Zgjedhore. Përveç kushtit për largimin e Gjiknurit nga drejtimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore tashmë opozita joparlamentare kërkon edhe largimin e Rudina Hajdarit si përfaqësuese e opozitës së re nga bashkëdrejtimi i këtij komisioni. Por kryeministri Rama deklaroi se reforma zgjedhore është kusht për negociatat dhe koha nuk pret prandaj shumica do të miratojë draftin sipas rekomandimeve të OSBE-së. Drafti i PS-së së 2018 që pranon kushtet kryesore të PD-së dhe OSBE-ODIHR-it. 

 

.