Në një takim elektoral në Mallakastër kreu i Partisë Demokratike tha se kjo është mundësia e fundit që i ka mbetur Ramës pas shantazheve për të trembur qytetarët me kërcënime deri në gotën e ujit, siç shprehet Basha.
“Shikoni sa qesharak dhe i pashpresë është bërë! Pasi e ka parë se s’i i funksionojnë as premtimet se nuk i beson njeri, as kërcënimet se nuk kërcënon dot një popull ka filluar me mallkime, është bërë si ai qesharaku që thoshte, të zëntë sëmundja po s’më votove mua! O Edo sa poshtë ke rënë! Po pse, me mallkime do i marrësh votat e mallakastriotëve dhe shqiptareve?",- tha zoti Basha
Duke theksuar se në këto dy vite qeverisje të koalicionit të majtë nuk u mbajtën premtimet për të cilat qytetarët dhanë votën më 23 qershorin e 2013-ës, Basha tha se asgjë nuk e shuan shpresën e qytetarëve dhe nuk mund t’i mposhtë ëndrrat e tyre.
"Në këto dy vite pllakosi një varfëri edhe më e madhe, u shtua papunësia, u rrit kostoja e jetesës u rritën çmimet, u rritën taksat dhe njerëzit u zhytën në varfëri e në dëshpërim të thellë por dyshja Rama-Meta nuk i ka prioritet këto halle. Këto dy vite nuk bëri asgjë për t’ju ndihmuar. Përkundrazi, ju a bëri edhe më të vështirë jetën, ndaj jemi mbledhur këtu, për të ndalur këtë të keqe, për t’i thënë stop kësaj mënxyre dhe do i themi me votë”,- theksoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.