Basha paguan një lobist në SHBA
kundër zëvendës sekretarit të DASH

Basha paguan një lobist në SHBA<br />kundër zëvendës sekretarit të DASH
Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar një takim të nivelit politik në Departamentin e Shtetit në SHBA, duke denoncuar zëvendës sekretarin për çështje politike, Tomas Shannon si mbështetës të Edi Ramës – që sipas tij i ka degraduar institucionet shqiptare nën influencën e bosëve të drogës dhe filantropistit Xhorxh Soros.
 
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kërkuar një takim urgjent me përfaqësues politikë të Departamentit Amerikan të Shtetit, pas deklaratës së 20 prillit të zv. sekretarit për çështje politike në DASH, Tomas Shannon.
 
Shannon u kërkoi partive opozitare që të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit-deklaratë që e shtyu Bashën t’a akuzojë zyrtarin amerikan si mbështetës të Edi Ramës.
 
Në dy kërkesa të bëra nëpërmjet lobistit të Partisë Demokratike në SHBA “Barnes & Thornburg LLP,” Basha dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kanë kërkuar një takim 20 ose 30 minuta me zyrtarë të Departamentit të Shtetit në datat 27-28 prill ose 2-3 maj, për të diskutuar mbi integritetin e procesit zgjedhor në Shqipëri.
 
Në kërkesën dërguar DASH në emër të Bashës, “Barnes & Thornburg LLP” nënvizon që Basha dhe Partia Demokratike janë mbështetës të mëdhenj të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, ndërsa qeveria e Edi Ramës  ka degraduar për shkak të influencës negative të filantropistit Xhorxh Soros. [kliko këtu për dokumentin]
 
“Z.Basha e ka vlerësuar zgjedhjen e Presidentit Trump ‘si një akt dashurie për kampionët e lirisë,’ ka marrë pjesë në inagurimin e tij dhe ka udhëhequr një përjekje për t’i vënë emrin e Presidentit Trump një rruge në një zonë periferike [Kamëz] të kryeqytetit,” shkruhet në kërkesën për takim.
 
“Nën lidershipin e Partisë Socialiste, PD-ja shprehet se qeveria dhe institucionet kanë degraduar nga zyrtarë të korruptuar dhe influenca negative e entiteve të ekstremit të majtë në aleancë me Xhorxh Soros-in dhe fondacionin e tij Shqipëria e Hapur,” shton kërkesa.
 
“Barnes and Thornburg LLP” është një kompani e madhe lobimi nga shteti i Indianës, me zyra në 13 shtete amerikane, e themeluar në vitin 1982.  Partneri menaxhues i firmës, Robert Grand ka qenë pjesë e komitetit për inagurimin e Donald Trump si president.  Ai ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në fushatën e zëvendës Presidentit Mike Pence, i cili më parë ka shërbyer si guvernator i Indianës.
 
“Barnes and Thornburg LLP” ka nënshkruar me 10 prill një kontratë me Bashën me vlerë 150,000 USD me kohëzgjatje tre muaj, e cila ka për qëllim “të asistojë PD në lobim, marrëdhënie ndërqeveritare dhe të inkurajojë SHBA-në që të mbështesë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri” thuhet në kontratën e lidhur midis palëve, të dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.
 
Në letrën që i dërgohet DASH, shpjegohet se Basha ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike në Tiranë për të mbikëqyrur zgjedhjet e 18 qershorit nga frika se paratë dhe ndikimi i entiteve në aleancë me Sorosin që mbështesin qeverinë e Edi Ramës ‘do të kompromentojnë zgjedhjet’.
 
Sipas Bashës, për një kohë të gjatë Shqipëria ka shërbyer si bazë për trafikimin e kanabisit dhe të heroinës në Europë dhe qeveria e Edi Ramës ka futur në parlament bosët e drogës për të manipuluar zgjedhjet.
 
Kreu i PD-së shfaqet i pakënaqur me deklaratën e zëvendës sekretarit politik të Departamentit të Shtetit, Shannon pas takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati me 20 prill, ku zyrtari amerikan i bëri thirrje opozitës të merrte pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.
 
“Zëvendës sekretari Tom Shannon në mënyrë të drejtpërdrejtë mbështeti përpjekjet e Edi Ramës për t’u rizgjedhur, duke u shprehur që zgjedhjet duhet të mbahen ashtu siç ishin parashikuar – pa përmendur vështirësitë e lidhura me manipulimet,” shkruan lobisiti i Bashës. “Kjo mbështetje e pakualifikuar e procesit zgjedhor nga Shannon nuk merr parasysh vështirësitë e krijuara nga manipulimi,” thuhet në kërkesën për takim.
 
Në një kërkesë të dytë drejtuar Departamentit të Shtetit, Partia Demokratike dhe ajo Republikane kanë detajuar shqetësimet e tyre mbi integritetin e zgjedhjeve parlamentare, duke nënzizuar se mijëra vetë kanë protesuar gjatë javëve të fundit në Tiranë për të mbështetur kërkesën e Bashës për një qeveri teknike. [kliko këtu për dokumentin]
 
PD dhe PR e përshkruajnë veten si parti konservatore, ndërsa insitojnë që zgjedhjet në Shqipëri kërcënohen nga droga, korrupsioni dhe influenca negative e Xhorxh Sorosit.
 
Sipas Partisë Demokratike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve- i kontrolluar nga Partia Socialiste – ka injoruar dhjetëra kërkesa për informacion dhe po mbron një duzinë deputetësh dhe kryebashkiakësh të inkriminuar, duke përmendur rastin e ish deputetëve Armando Prenga dhe Mark Frroku.
 
Partia Demokratike ka shtuar gjithashtu se përveç kriminelëve që po futen në qeveri për t’u mbrojtur, ka edhe nga ata që janë liruar nga burgu dhe falur nga gjyqtarë që sipas saj  urdhërohen nga përfaqësues të Partisë Socialiste.
 
“Në një rast, një lider bande dhe vrasës i dënuar, shiste mend se si kryetari socialist i bashkisë do t’i garantonte një punë në qeverisje vendore kur të lirohej,” shkruhet në kërkesën e PD-së drejtuar Departamentit, duke iu referuar rastit të Lulzim Berishës.
 
Opozita gjithashtu nënvizon se gjatë vitit 2016, PS-ja i ka vënë veton propozimeve të saj për reformën e kodit zgjedhor për votimin elektronik. Ajo nënvizon se miliardat e prodhuara nga trafiku i drogës do të përdoren në zgjedhjet e 18 qershorit për të blerë vota.
 
Është e paqartë se çfare përgjigje kanë marrë PD dhe PR për kërkesat e tyre. Megjithatë, me datë 28-30 prill, kreu i Republikanëve ka udhëtuar drejt Uashingtonit, ku është takuar me Pam Pryor – këshilltaren e lartë të nënsekretarit të shtetit për sigurinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, si dhe me Këshilltarin e Lartë në Shtepinë e Bardhë, Mathew D.Mowers.
 
Në këtë takim z Mediu theksoi se opozita është e vendosur në rrugën e saj për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
“Në Shqipëri duhet të vendosin qytetarët me votë të lirë dhe jo krimi e trafiku i drogës.
Përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit theksuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Shqipëria që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe njëkohësisht zgjedhjet duhet të garantojnë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe gjithë forcave politike,” tha Mediu nëpërmjet një njoftimi për shtyp
“Krimi i organizuar, trafiku i drogës përbën një rrezik real për demokracinë shqiptare,” përfundoi ai. /Tema

Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki