Nga Velipoja, kreu i PD, Lulzim Basha premtoi heqjen e taksës në Rrugën e Kombit dhe taksën që është vendosur mbi karburantin. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarë dhe pronarë bizneseve Basha tha se duke ndihmuar biznesin e vogël i japin oksigjen ekonmisë shqiptare. Kryedemokrati Basha u shpreh se biznesi i vogël do të paguajë vetëm një taksë 0.5% të xhiros që do t'i shkojë buxhetit vendor.

"Sot do të kem një takim me kryeministrin e Kosovës, një nga çështjet që do t'i parashtroj është që të heqim çdo pengesë dhe qytetarët e Kosovës ta kanë sa më të lehtë për të ardhur në plazhet e Shqipërisë. Taksa e Rrugës së Kombit dhe çmimi i naftës që është më i lartë se në Kosovë janë dy pengesa. Këto janë çështje që sot nuk zgjidhen dot, por nesër në qeverisjen tonë do të zgjidhen. 240 lekë taksa që është vendosur mbi karburantin do të hiqet dhe taksa e Rrugës së Kombit do të hiqet.  

Nga 140 mln lekë të vjetra do jenë biznes i vogël. Biznesi i vogël do të ketë vetëm një taksë, 0.5% të xhiros do të jetë taksa për biznesin e vogël që do ti shkojë buxhetit vendor. Duke ndihmuar sipërmarrjen e vogël ne i kemi dhënë oksigjen pjesës më të madhe të ekonomisë", tha Kreu i PD, Luzlim Basha.

Ndërkohë gjatë bashkëbisedimeve, qytetarët i kërkuan Bashës që të sjellin sa më shumë kosovarë në mënyrë që të rritet turizmi.

Basha: Kam mbërritur për një seri takimesh me biznesin e vogël. Kam nisur bashkëbisedimin për gjendjen në përgjithësi. Ju përshëndes, ju përshëndet edhe Pali, edhe Klaudia. Pyetja e parë që i bëra është sesi ishte gjendja, pyesim të zotin e punës.

Klaudia: Unë punoj me turne, krahasim me një vit më parë është dukshëm më e vogël xhiroja.

Basha: Si thua Pal?

Pali: Krahasim me vitet e tjera është 50% e xhiros. Nuk ka turistë. Këtu puna varet tek turistët. Kërkojmë që të bëni sa të mundeni, na ndihmoni, na sillni kosovarë, turistë.

Ndërkohë Basha bëri edhe disa replika me një qytetarë, e cila tha se është demokrate.

Qytetarja: Na ndihmo, o sot o kurrë.

Basha: Do kthehem për pak.

Qytetarja: Unë jam demokrate, na vënë taksa për hotelin. Unë hotel s’kam. Unë kam qenë demokrate, dhe demokrate do vdes. Na ndihmo o sot o kurrë. Ishalla na ndihmon.

Basha: Ja e shikoni trishtimin e njerëzve. Ka revoltë nga pas, siç e shikoni.