TIRANË-Kryetari i Partisë Demoratike, Lulzim Basha nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook është shprehur se qeveria ka heshtur nga mëngjesi i sotem pas ngjarjes tragjike ku humbën jetën katër qytetarë në kryeqytet.
"Një heshtje varri ka pushtuar qeverinë nga mëngjesi i sotëm, ku katër persona u vranë me armë zjarri në mes të Tiranës. Ngjarja është e rëndë, por më e rëndë eshte fshehja e kryeministrit që gjen kohë të shkruaj për çdo gjë, por sot nuk gjeti dot një fjali për vrasjen makabër.
PD ka denoncuar me fakte dhe argumente promovimin e krimit prej Edi Ramës në kuvend, politikë dhe administratë. Por, sot është faktuar se krimi ka gjunjëzuar policinë dhe shtetin. Fëmijë pushtetarësh lëvizin të armatosur pa frikën e policisë që merret me gjithçka përveç rendit dhe sigurisë. Rama, i ka hapur luftë çdo qytetari të këtij vendi por jo kriminelëve që ai vetë i ka promovuar në parlament, në administratë dhe kudo".
"Apeli i PD të cilit i janë bashkuar sot të gjithë qytetarët është pastrimi i parlamentit, politikës dhe administratës nga krimi dhe lidhjet e tij", shkruan Basha në postimin e tij.
/ATSH/