TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se në shtator do të rifillojnë protestat e opozitës, madje ka paralajmëruar përshkallëzim të tyre, duke mos e përjashtuar mundësinë për të mësyrë me forcë në kryeministri apo në çdo ministri tjetër. Sipas tij,  mënyra se si kanë hyrë në zyrë kryebashkiakët e rinj socialist, ia legjitimon popullit të drejtën për të hyrë me forcë në kryeministri.

Sa i përket 13 tetorit, ai shfaqur i dyzuar. Nga njëra anë, Basha ka deklaruar se njeh dekretin e presidentit Ilir Meta për zgjedhje më 13 tetor, por nga ana tjetër është shprehur PD-ja nuk regjistrohet.

Në një bashkëbisedim për gazetarët nga selia blu, lidhur me faktin se përse PD-ja nuk është regjistruar, Basha u mjaftua duke thënë se ky vendim nuk është shkelje e Kushtetutës. Duke u ndalur tek kërkesa e aleatëve të tij për t'u regjistruar për 13 tetorit, ai e quajti si një formalitet që është bërë për të detyruar KQZ-së të nisë përgatitjen e zgjedhjeve.

Basha nuk ka nguruar që të hedhë akuza të drejtpërdrejta për kryeministrin Edi Rama sa i përket koncesioneve apo edhe teatrit. Për këtë të fundit, ai ka njoftuar se do të ngrejë padi penale ndaj arkitektit danez Bjarke Ingels. Ndërkohë ka rënë në një pikë dakord me kreun e shtetit, duke thënë se është dakord me vendimet e presidentit Ilir Meta, për kthimin në kuvend të koncesionit për rrugën Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.

VIDEO/Fjala e plotë e kreut të PD-së Lulzim Basha

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:42
Basha: Kryebashkiakët hynë me forcë në zyra! Kush e pengon popullin të futet me dhunë në kryeministri?! (VIDEO)

Ndonëse opozita duket se tashmë e ka mbyllur ciklin e qëndresës dhe protestave, kryedemokrati Lulzim Basha bëri sot gjatë konferencës për shtyp një deklaratë ku duket se paralajmëron një cikël të ri protestash. Teksa komentoi lëvizjen e kryebashkiakëve të rinj të cilët kanë marrë detyrën përgjatë ditëve të fundit, Basha tha se tashmë askush nuk e pengon popullin që nesër të futet me dhunë në kryeministri.

"Në 30 qershor nuk ka pasur proces zgjedhor. Çdo hap është bërë në shpërdorim dhe prokuroria duhet të kishte nisur hetimet. Presidenti anuloi zgjedhjet. Çdo veprim qoftë me pasoja financiare si shpenzime për fushatë përbën vepër penale dhe duhet të hetohet. Por nuk ka demokraci nuk ka as drejtësi, as prokurori të pavarur. Precedenti i kapjes me dhunë të bashkive po e fut vendin në një situatë të rrezikshme. Zgjidhja e kësaj krize do vijë përmes normave europiane. Kush do ta pengojë popullin nesër të futet me dhunë në kryeministri dhe në çdo ministri. Kapja me dhunë e pushtetit vendor hedh në erë vendin", tha Basha.

Ora 12:16
PD-ja në rrezik? Basha tregon 'planin' e Ramës: Tre linjat e sulmit ndaj meje

1565343971_basha7.jpgNë një bashkëbisedim me gazetarët, kreu i PD-së Lulzim Basha iu përgjigj pyetjeve nëse e ardhmja e PD-së është në rrezik. Ai tha se shkatërrimi i PD-së është një ndër planet e Ramës, por që kurrsesi nuk është një shqetësim për të.

Sa i përket aksionit opozitar, Basha ka njoftuar se protestat do të vijojnë edhe në muajt në vijim.

"Kur rrezikohet vendi, rrrezikohen të gjithë. PD-ja është në ballë si e vetmja shpresë e interesit publik, prandaj a ka një plan të Edi Ramës? PO. 6 vjet Rama ka pasur diversionin e PD-së, sulmet ndaj meje. Ka tre linja sulmi të Ramës kundër meje. Opozita do të vazhdojë me protestat dhe nuk ka pikë dyshimi", tha Basha. 

Ora 12:00
Basha zbulon planin e opozitës: Kerkesa e aleatëve për t'u regjistruar në zgjedhje, formale

1565344403_basah.jpg

Lideri demokrat Lulzim Basha vijoi akuzat ndaj qeverisë Rama ndërsa paralajmëroi anëtarët e KQZ se do të përballen me ligjin nëse nuk zbatojnë dekretin e presidentit Ilir Meta. Basha tha se opozita nuk është e përçarë, ndërsa deklaroi se kërkesa e partive aleate për t'u regjistruar në zgjedhje është bërë për të detyruar KQZ të nisë përgatitjen e zgjedhjeve, rrëzuar kështu deklaratat e tyre se do të marrin pjesën në zgjedhje.

"Duke u distancuar nga ky parlament hajdutësh, delesh që nuk e dinë se po votojnë vjedhje u listuam krah popullit. Si me shqiptarët dhe ndërkombëtarët po dialogojmë planin për të dalë nga kjo rrugë. Që të kemi nje qeveri që sjell zgjidhje duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.

A është më opozita e bashkuar?

Nuk ka asnjë përçarje në gjirin e opozitës, Ne  e kemi thënë se 13 tetori është e vetmja datë kushtetuese. KQZ duhet të nisë procedurat ndryshe do vihet para përgjegjësisë ligjore dhe penale. Vendimet e partive janë partiake, nuk dënohen nga ligji, ndërsa institucionet po.

Siç e keni marrë edhe përgjigjen, vendimi i opozitës për të mos hyrë në zgjedhjet e 30 qershorit ishte unanim. Kërkesa e partive për t'u regjistruar në zgjedhje ishte me qëllim që të vënë në punë institucionet për të nisur përgatitjen e zgjedhjeve. Presidenti po përgjigjet që të ndihmojë në zgjidgjen e krizës, Edhe ne jemi në të njëjtin qëndrim  kërkojmë të vijmë në pushtet me zgjedhjet. Gjithë zhvillimet politike kanë faktuar atë që kemi thënë në këto vite. Në një ditë do ketë zgjedhje parlamentare dhe vendore. Opozita e ka bërë të qartë se është gati të dialogojë dhe pala tjetër e ka refuzuar. Nga njëra anë po refuzon zgjidhjen e krizës përmes normave europiane", tha Basha.

Ora 11:52
Pas marrëveshjes për Teatrin, Basha tregon hapin e radhës: Në shtator kallëzim penal për arkitektin danez

1565343704_basha9.jpg

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se në fillim të shtatorit do të bëjë kallëzim penal në Prokurorinë e Danimarkës, për arkitektin danez të teatrit.

"Brenda javës së parë të shtatorit, opozita do të padisë në prokurorinë shqiptare dhe në atë daneze, arkitektin danez të Teatrit Kombëtar Bjarke Ingels dhe kompaninë e tij BIG, Po bëhen përgatitje për të bërë të njëjtat hapa, me mundësitë që kemi në opozitë, kur të jemi në qeveri, do të kemi të tjera mundësi, edhe përsa i përket mafiozëve kroatë të Ramës me kasat fiskale. Gjithashtu, I njëjti veprim do të bëhet edhe përsa i përket një tjetër shkatërrimi i një tjetër vepre, nëpërmjet mikut të Edi Ramës, Casamonti, që mesa duket do të marrë përsipër veprën korruptive tek sheshi Nënë Tereza", tha Basha.