Basha, Salvini dhe një histori e përsëritur gafash diplomatike

Basha, Salvini dhe një histori e përsëritur gafash diplomatike

Basha dhe Salvini

Lulzim Basha të përshëndesë një mesazh të Mateo Salvinit, ky mund të quhet edhe si një gjest i vogël simpatie për zv.kryeministrin dhe ministrin italian të brendshëm. Në fakt qeveria Conte ka qenë jashtëzakonisht aktive në orët që përcaktuan fatin e negociatave shqiptare me Bashkimin Europian. Italianët arritën deri aty sa ta quanin “një pazar të pisët francez” sjelljen bllokuese të Parisit ndaj kandidaturës shqiptaro-maqedone. Në këtë këndvështrim Basha do të ishte tërësisht i justifikuar që të lëshojë mesazhe aprovimi ndaj një zyrtari të lartë të qeverisë italiane, për faktin se ndryshimi i qeverisjes në shtetin fqinj nuk ka ndryshuar linjën e tyre përkrahëse ndaj afrimit të Shqipërisë me BE.

Por që kreu i opozitës të entuziasmohet për një mesazh të Salvinit, siç ndodhi para pak minutash, i cili fliste për luftën ndaj Mafies dhe Kamorras në Itali, duke evokuar “bregun tjetër të Adriatikut”, kjo është vërtetë në kufinjtë e qesharakes. Lulzim Basha ka qenë ministër i jashtëm i vendit dhe është e pafalshme të mos dijë të lexojë drejt gjuhën dhe deklaratat e zyrtarëve të lartë të vendeve të treta. Aq më tepër është e pafalshme që ai të mos kuptojë targetin, kontekstin dhe domethënien e këtyre mesazheve. Sepse ndodhemi përballë një rasti klasik kur një deklaratë për konsum të brendshëm e një ministri italian, merret mekanikisht dhe përdoret në mënyrë komike në një kontekst ballkanik!

Basha e di fort mirë se thelbi i koalicionit aktual mes Pesë Yjeve dhe Lega Nord në qeverinë Conte, është goditja e sistemit të vjetër partitokratik italian, por edhe lufta ndaj korrupsionit, kriminalitetit të organizuar, pa harruar tezat dhe idetë e debatueshme të skepticizmit ndaj Bashkimit Europës dhe refugjatëve. Mesazhi i Salvinit që ka çuar në qiellin e shtatë Lulzim Bashën, është qartësisht i fokusuar në situatën e brendshme italiane. Askund nuk thuhet, në ato pak rreshta të postuara nga ministri i brendshëm italian, se lufta ndaj mafies dhe kamorras (dy fenomene “ekskluzive” italiane), ka ndonjë degëzim apo përhapje diku jashtë kufinjtë të vendit të tij.

Salvini është një lider politik shumë i angazhuar në deklamimin e interesave të Italisë. Jo më kot ai është parë me frikë dhe dyshim në Bruksel, jo më kot ai bllokoi operacionet e shpëtimit në det të refugjatëve nga pala italiane, pa përcaktuar kontributet e BE në këtë sfidë, jo më kot ai reklamon mbylljen, e jo hapjen e Italisë ndaj kontesktit ndërkombëtar. Salvini kërkon të aplikojë një politikë proteksioniste e të fokusuar në interesat italiane. Që ai të ketë ndonjë plan për të shëruar me këtë rast edhe “bregun tjetër të Adriatikut”, këtë me siguri s’e ka parë në asnjërën prej ëndrrave të veta legiste.

Ky episod i vogël rrëshqitjeje i Lulzim Bashës në politikën e jashtme, tregon edhe një herë se improvizimi dhe “hallakatja nëpër kallamishte” është një bumerang i panevojshëm kur je lider politik me rezonancë kombëtare. Basha ka muaj që nuk di ku të kapet më parë, vetëm për pak përkrahje ndërkombëtare. Ka bërë (me dhe pa para) akrobacitë më groteske, ka hedhur aludimet më të pabesueshme dhe ka cituar siç i ka dashur qejfi dhe interesi nje dyzinë ministrash, europarlamentarësh e senatorësh, vetëm e vetëm që t’i bëjë pak reklamë vetes dhe kauzës së vet. Atë po bën tani edhe me Salvinin. Jo pa të drejtë Ditmir Bushati ironizonte, pas mesazheve të Bashës, se shpresonte që llogaria në Twitter e kreut të opozitës, të ishte sulmuar nga hakerat…Javanews

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston