Kreydemokrati Lulzim Basha ka vijuar me takimet e tij me qytetarët ku këtë të enjte ishte në Ishëm. Ai takoi disa qytetarë, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Shumë prej tyre u shprehën se ndërtesat e tyre nuk janë vlerësuar siç duhet dhe nuk marrin ndihmën e nevojshme të qeverisë.

“Jo, jo. Unë asnjë lek nuk kam marrë prej tërmetit. Tek kjo portë nuk ka ardhur askush me dhënë diçka për tërmetin. Asgjë, asgjë" - thotë një prej qytetarëve.

Kryetari i PD-së, Basha u premtoi atyre se me fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit, fokusi i qeverisë së re do të jetë në procesin e rindërtimit, shëndeti dhe ekonominë të shkatërruara nga pandemia dhe tërmeti.

Ai ju premtoi banorëve, se qeveria e re do të garantojë me anë të buxhetit të shtetit rindërtimin e shtëpive të tyre dhe se çdo ndihmë e ardhur për ta nga jashtë do të shkojë për nevojat e tyre.

"U ngrit gjithë bota për ta ndihmuar Shqipërinë, vetëm këta s’u kujtuan. Por ju garantoj që do të marrë fund. Dy prioritete kryesore do të kemi. E para, shëndetin edhe ekonominë që ka shkatërruar pandemia dhe gjithë ndihmat që i ka ndarë Europa për tërmetin dhe që duhet të vijnë tek ju, do të vijnë tek ju dhe buxheti i shtetit do të bëjë të mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër shtëpitë t’ju rindërtohen dhe vuajtja që keni hequr t’ju lehtësohet sadopak. Më vjen keq që ju kam ardhur në këto kushte të vështira, por ju jap fjalën që do vij t’ju shoh edhe kur ta kemi riparuar këtë dëm edhe t’i keni shtëpitë e rindërtuara" - tha Basha.