Prej ditësh, ashtu siç e paralajmëroi në një takim me të rinjtë në Tiranë, Lulzim Basha ka nisur takimet edhe në rrethe të tjera të vendit duke sinjalizuar rikthimin e tij në politikën aktive. Këtë herë ai është ndalur në Elbasan ku gjatë takimit me disa prej demokratëve është shprehur se efekti i luftës brenda Partisë Demokratike u pa nga zgjedhjet e mbajtura në 14 maj.
Ai tha se pavarësisht se u tërhoq nga kreu i PD-së për të bërë të mundur që të ketë një zgjidhje të përplasjeve brenda demokratëve, Berisha i cili përfaqëson palën tjetër, vijoi luftën ndaj çdokujt që mendonte ndryshe.
Teksa shprehet se nuk duhet të ketë më përçarje mes demokratëve, ka theksuar se një gjë e tillë vetëm sa forcon kundërshtarin politik, në këtë rast qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Zgjedhjet e 14 majit dëshmuan ndër të tjera dhe efektin e luftës brenda nesh, vendosjen e interesave personale mbi ato të demokratëve dhe shqiptarëve. Pikërisht që kjo mos të ndodhte, unë bëra një hap pas një vit më parë. Por fatkeqësisht pala tjetër jo vetëm që s’u tërhoq, por udhëhoqi një luftë të paprincipt, bazuar në sharje, shpifje, linçime ndaj çdokujt që nuk mendonte si ai. Dhe rezultati, sot jemi shumë më keq se një vit më parë.
Ballafaqimi mes nesh është i domosdoshëm për të përcaktuar rrugëtimin e familjes sonë politike. Koha është e vërteta më e madhe. Dhe siç është parë deri më sot, ajo ka nxjerrë në dritë të gjitha gënjeshtrat, mashtrimet. Unë kam heshtur, jo se s'kam çfarë të them, qoftë për personin të cilin e njoh mirë, qoftë për sulmet ndaj meje. Por siç e kam thënë vazhdimisht dhe siç u faktua, lufta mes nesh forcon vetëm kundërshtarin tonë politik”- shkruan Basha.
Sipas Bashës, PD do të mbetet e bllokuar nëse do të vijohet me sulme dhe kundërsulme ndaj njëri tjetrit, dhe bëri thirrje që të ndërkohet një alternativë konkurruese për të rikthyer shpresën e shqiptarëve.
“Sot, përballë këtij udhëkryqi, ne kemi në dorë të zgjedhim nëse do të vazhdojmë të mbetemi të bllokuar në vendnumëro, të merremi me sulme-kundërsulme mes njëri-tjetrit, apo të punojmë të gjithë bashkë për ndërtimin e një alternative konkurruese, në të cilën të reflektohen shpresat e shqiptarëve për ndryshim. Ne duhet të punojmë t’u japim mundësi shqiptarëve të zgjedhin ata, përmes hapjes së listave. Ne duhet t’i mbyllim çdo shteg politikës së përbaltjes, përmes vettingut të politikanëve. Ne duhet të ndalim abuzimin e kryeministrit të vendit, duke i kufizuar mandatin. Duhet të zhbëjmë të keqën që nisi me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës dhe t’u japim fuqi qytetarëve”- shtoi Basha.
Në 24 maj, në një takim të organizuar me të rinjtë në Tiranë, Lulzim Basha dha mesazhin e rikthimit në politikë dhe paraqiti 3 tezat të cilat sipas tij janë emergjencë kombëtare për gjendjen ku ndodhet vendi. Rikthimi i Bashës vjen në një moment kur PD është ende pa kryetar dhe pritet që ky i fundit të shpallë kandidaturën e tij për postin e kreut të demokratëve.