TIRANE-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka tradhtuar Ilir Metën duke ndryshuar qëndrimin për 13 Tetorin. Mëngjesin e së martës, lideri demokrat pas takimit me kreun e shtetit u shpreh se vlerëson qëndrimin e Presidentit se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike duke krijuar idenë e tërheqjes nga kushti për zgjedhje pa Ramën kryeministër. 

Por, një ditë më pas, pra dje Basha udhëtoi për në Vjenë së bashku me disa prej aleatëve, mes tyre Monika Kryemadhin ku zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, ndërsa sot përmes një postimi në Facebook është shprehur se nuk tërhiqet nga qëndrimi për qeveri tranzitore dhe pa Edi Ramën kryeministër.

"Në Vjenë me përfaqësuesit e lartë të OSBE ndamë shqetësimin për krizën dhe qëndrimin e pandryshuar të Opozitës së Bashkuar: zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, që garanton lirinë e votës dhe ndëshkimin nga drejtësia të hajdutëve të zgjedhjeve" shkruan Basha.

Në mesazhin e tij, Basha thotë se ky është qëndrimi i opozitës së bashkuar, por pavarësisht qëndrimit publik, mes aleatëve ka divergjenca, pasi Monika Kryemadhi të martën deklaroi nga Durrësi gjatë një takimi me strukturat se për LSI-në nuk do të ketë pushime, pasi kanë nisur fushatën për zgjedhjet e 13 Tetorit.

E ndërsa LSI duket e vendosur për zgjedhje edhe me Ramën kryeministër, sikur deklaroi Kryemadhisot Meta kishte një paralajmërim për PD-në nëse nuk merr pjesë në zgjedhje. "Opozita të jetë e përgjegjshme për të marrë pjesë në këto procese demokratike.

Në rast se opozita nuk dëshiron të marrë pjesë në një proces të ligjshëm, opozita fjala vjen Partia Demokratike, LSI-ja, disa parti të tjera, atëherë jam i sigurt që do të inkurajohen disa forca të tjera politike, të cilat të paktën të kenë kandidatë në të gjithë Shqipërinë e të regjistrohen në kohë" tha Meta.

Megjithatë të gjitha planet dhe skenaret e opozitës për 13 Tetorin dy ditë më parë i rrëzoi kryeministri Edi Rama që deklaroi se nuk e njeh këtë datë dhe se zgjedhjet e radhës do të jenë në vitin 2021 për parlamentin. Opozita i bojkotoi zgjedhjet e 30 Qershorit, por ndërkombëtarët, SHBA-BE i njohën duke kërkuar që kryetarët e rinj të bashkive të fillojnë menjëherë punën, ndërsa PD-LSI kanë paralajmëruar se nuk i lirojnë zyrat.