MAT - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi këtë mbrëmje familjet e tre viktimave të masakrës së djeshme në Mat për t'u shprehur ngushëllimet për humbjen e njerëzve të tyre të dashur. Basha gjithashtu vizitoi edhe të plagosurin Astrit Hani, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Burrrelit. Pas daljes nga spitali kreu i opozitës tha se masakra e djeshme është e frymëzuar nga krimi në pushtet.

Ngjarja e djeshme ka tronditur jo vetëm Burrelin por gjithë shqiptarët, ajo tregon kapitullimin total të shtetit përballë krimit dhe gjendjen e pasigurisë që mbretëron nga Shëllia në qendër të Tiranës, nga Shkodra në Vlorë. Modeli nga të cilat frymëzohen këto ngjarje kriminale ku 5 njerëz kanë humbur jetën brenda 24 orëve është ai që duhet të marrë fund dhe të zëvendësohet nga një qeverisje e përkushtuar, një qeverisje e cila kujdeset për sigurinë e qytetarëve dhe është pranë tyre në ditë të vështira si kjo e sotmja. I bëj thirrje kryeministrit të kyçë gojën që e përdor me fjalor harbuti për çdo gjë dhe t'u shprehë ngushëllimet 3 familjeve dhe në veçanti familjarëve të 3 viktimave të kësaj masakra shtazarake, t'u ofrojë siguri qytetarëve të Matit dhe të gjithë Shqipërisë. Ndonëse jam i bindur se çdo fjalë nga ana e tij nuk e zëvendëson ndjenjën e pasigurisë që mbijeton dhe as të ngushëllojë për dhimbjen e thellë që ndjejnë qytetarët e Matit.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Shefi i opozitës theksoi se PD dhe opozita e bashkuar me ardhjen në pushtet do të rikthejnë sigurinë në vend, duke rivendosur me dorë të hekurt forcën e ligjit.