TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka cilësuar si karagjoze, ironitë e kryeministrit Edi Rama për PD-në.

Me anë të një statusi të shkurtër në rrjetet sociale, Basha ndalet te rritja e pagave për mësuesit, sipas së cilit nuk krahasohet me atë që kanë bërë demokratët kur ishin në pushtet.

“Rama po bëhet përditë e më karagjoz me sulmet ndaj qeverisjes së dikurshme të Partisë Demokratike.

Mjafton të krahasoni rritjen prej 200% të pagave të mësuesve nën qeverisjen tonë me rritjen vetëm 15% të Rilindjes. Rama ke nevojë t’i rikthehesh shkollës.

Po do të kesh kohë pas 25 prillit, kur të jesh sërish i papunë. Ti e ke lënë Shqipërinë në baltë dhe ne do ta kthejmë në rrugën e zhvillimit”, shkruan Basha.

Basha i referohet një postimi të bërë nga kryeministri Edi Rama, ku tha se premtimet Bashës janë të njëjta me ato që ka bërë Berisha në 2013. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:16
Basha-Ramës: Në vend që të merresh me dështimet e tua e të japësh dorëheqjen, merresh me mua! Shqipëria ka marrë një aktor estrade

1612788520_1598105158lULZIMBASHA1.jpg

Krydemokrati Lulzim Basha ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Rama. Përmes një postimi në Facebook, Basha shkruan se Rama në vend që të marrë përsipër përgjegjësitë për dështimet e tij dhe të japë dorëheqjen, merret me kryedemokratin.

Sipas Bashës, kjo është një sjellje tipike e humbësit që nuk pranon përgjegjësitë për veten.

Postimi i plotë i Bashës:

Është qesharake se si njeriu që e ka lënë Shqipërinë prej 8 vjetësh vend numëro e nuk ka bërë as edhe një hap para, i lejon vetes të merret me mua, në vend që të marrë përsipër përgjegjësitë për dështimet e tij e të japë dorëheqjen.  Unë nuk kam ndërmend të bëhem pjesë e kësaj loje. Kjo është sjellja tipike e humbësit që akuzon këdo dhe nuk pranon asnjë përgjegjësi për vete. Shqiptarët janë ngopur me të dhe llojin e tij.

Para 8 vjetësh shqiptarët në vend të një kryeministri, morën një aktor estrade që e la Shqipërinë vendnumëro. Estrada e Ramës po ju kushton shqiptarëve shumë shtrenjtë.  Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një kryeministër të vërtetë. Me 25 prill Rama humb dhe Shqipëria fiton.