Protesta e studentëve që kanë provime të prapambetura dhe kërkojnë të hiqet taksa ekstra mbi kreditet për provimet e padhëna në kohë, rrezikon të fshehë problemet e vërteta të universiteteve. Çështja e tarifave është e thjeshtë: nga njera anë, janë ata që mendojnë se kjo është një tarifë e drejtë kundër dembelizmit, pra që synon të ndëshkojë vetëm studentët të cilët nuk mësojnë, për t’i nxitur ata të bëjnë më shumë. Nga ana tjetër, janë ata që e akuzojnë qeverinë se synon vetëm t’i penalizojë studentët dhe të godasë një nga shtresat më të dobëta të shoqërisë.

Në të vërtetë, qeveria ka bërë një gabim duke u bërë protagoniste me pranimin e futjes në VKM nr.288 të majit 2018 të pikës 4, në të cilin pohohet se “Studenti, i cilësuar (...) si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë (...) i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse ...”. Një rregull ky, që bordet e universiteteve në realitet mund ta aplikojnë (dhe e aplikojnë tashmë) në mënyrë autonome, pasi tarifat janë kompetencë (dhe, për rrjedhojë, edhe përgjegjësi) ekskluzive e universiteteve: qeveria ka të drejtë vetëm të vendosë tarifat maksimale, ndërsa universitetet vendosin gjithshka tjetër. Kanë qenë pikërisht universitetet që ja kanë kërkuar qeverisë të përfshijë këtë rregull në VKM dhe qeveria, ndoshta duke nënvleftësuar impaktin e këtij vendimi, ka pranuar, duke paguar sot çmimin për një gjë të tillë.

Në fakt, vetë ky “rregull” ishte përfshirë edhe në VKM e vitit 2015, që përcaktonte çdo vit tarifat maksimale të aplikueshme nga universitetet, dhe tre vjet më parë tarifat për provimet e mbartura ishin, madje, dyfish. Megjithatë, asnjë nuk kishte protestuar kurrë. Këtë herë qeveria pati kurajon të pranojë gabimin dhe, siç njoftoi të mërkurën ministrja Lindita Nikolla në një intervistë në Report TV, qeveria vendosi të anulojë në VKM pikën 4 të kundërshtuar (pikërisht atë që vendos detyrimin për të paguar kreditet për provimet e mbartura), duke ua kthyer këtë tagër ekskluzivisht bordeve të universiteteve.

Por, a mjafton kjo për të zgjidhur problemin e studentëve?

Në bazë të parimit të meritokracisë, një student që nuk merr provimet sepse nuk mëson është e drejtë të “ndëshkohet”, duke paguar edhe një herë kuotën e krediteve. Siç argumentonte dje dikush, askujt nuk mund t’i shkojë ndërmend që, në rast se humbasim aeroplanin pasi arrijmë me vonesë në aeroport, fluturimi tjetër për ne të ishte falas. Por, krahas këtij parimi “stimulues”, që e kanë të gjitha universitetet moderne, në Shqipëri duhet të shtrojmë edhe një pyetje tjetër: a jemi të sigurtë se të gjithë studentët që nuk marrin në kohë provimet janë katranjosë vetëm për faj të tyre? Rektorët që duan t’i bëjnë të paguajnë studentët ngelës (por që më pas nuk gjejnë fonde për të shpërblyer të shkëlqyerit), a janë të aftë të kontrollojnë CV-të dhe korrektesën e profesorëve të tyre? Dhe, a janë në gjendje të garantojnë që parimet, të cilat i zbatojnë për provimet, janë me të vërtetë ekskluzivisht meritokratike?

Akuzat, për të cilat flitet nëpër korridoret e universiteteve, janë të vazhdueshme dhe të rënda. Ka profesore që nuk vijnë fare në leksione, ose detyrojnë studentët të blejnë libra jashtë kurrikulave, të shkruar nga pedagogët, flitet për trafik fotokopjesh, dhurata para dhe pas provimeve, ryshfete, provime të marra si pasojë e një telefonate, nepotizëm. Nuk besojmë se këto janë kthyer në normë dhe jemi të bindur se shumë profesorë në universitetet shtetërore janë korrektë dhe bëjnë detyrën e tyre. Por rektorët, si dhe ministria, kanë një përgjegjësi etike dhe politike, në rast se një pakicë e vogël e atyre studentëve ngelës janë të detyruar të paguajnë tarifën ekstra vetëm se nuk kanë pranuar (apo nuk kanë mundur) të plotësojnë kërkesat e paligjshme të profesorëve të tyre për të marrë provimin në kohë.

Rektorët kanë të drejtën, për shkak të parimit të autonomisë së universiteteve, të caktojnë ato tarifa që mendojnë si të drejta, duke u përgjigjur para studentëve për vendimet e tyre, pasi kanë detyrimin të garantojnë se, në këmbim të atyre tarifave, studentët do të marrin një arsim të përshtatshëm dhe respektimin e rregullave meritokratike të njejta për të gjithë.

Për cilëndo qeveri universitetet mund të jenë një hapësirë e madhe konsensusi, por edhe një fuçi e rrezikshme baruti. I pari që e di këtë është pikërisht Sali Berisha, për të cilin gjithshka filloi me një grevë të studentëve të Tiranës në vitin 1990 dhe gjithshka përfundoi me një grevë të studentëve të Vlorës në vitin 1997. Jo rastësisht opozita që prej tri ditësh flet për “një dhjetor të ri studentesk” dhe për PD-në është i fortë tundimi për të zëvendësuar banorët e Astirit dhe dosjen e Unazës së Re me studentët dhe universitetet.

Deri tani ata kanë refuzuar sponsorë politikë, por presioni është i fuqishëm. Ja pse qeveria duhet të vazhdojë të dialogojë me studentët në mënyrën më të hapur dhe konstruktive të mundshme: të heqë pikën 4 të VKM, siç bëri, duhet të jetë vetëm hapi i parë. “Studentët kanë të drejtë edhe kur nuk kanë të drejtë”, paralajmëron Artan Fuga: një mesazh i fuqishëm, ndoshta jo shumë pedagogjik kur jepet nga një profesor, por që politikanët do të bënin mirë ta dëgjonin, pasi edhe nëpër universitete ka ardhur koha e Vettingut dhe e transparencës së plotë. Sfida e vërtetë për shkollat dhe universitetet nuk është të ulësh tarifat, por të mposhtësh mediokritetin.