‘Bashkë, më të fortë’! Begaj i ftoi në Shqipëri për ‘Besëlidhjen’, rrëfehen arbëreshët: Nderojmë figurën e Skënderbeut, statuja e heroit në çdo ‘shtëpi’ tonën!

“Së bashku jemi më të fortë.”

Ky ishte slogani i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Besëlidhjen e Lezhës, 580 vjet më parë. Për ta përkujtuar këtë ditë historike, por edhe për ta përmbushur amanetin e heroit tonë kombëtar presidenti Bajram Begaj ka ftuar një përfaqësi të komunitet arbëresh nga Italia.

‘I jemi mirënjohës presidentit Begaj, që deshi fort që ne, përfaqësuesit e komunitetit arbëresh, jo vetëm nga Kalabria por nga e gjithë Italia, të ishim të pranishëm në këto festime për të kujtuar figurën e Skënderbeut, udhëheqësit tonë historik, statujën e të cilit çdo arbëresh e ruan në shtëpinë e tij’, shprehet Madeo.

Ernesto Madeo mban me vete dekoratën me të cilën presidenti Begaj, e vlerësoi vitin që lamë pas, në vizitën që bëri në San Demetrio Corone. Kjo bashki që ai drejton e gjendur në Cosenza të Calabrisë, ndër shekuj është konsideruar edhe si kryeqendra e komunitetit arbëresh.

“Është një komunë me një histori shumë antike dhe ka qenë gjithmonë pikë referimi për komunitetet arbëreshe, por mbi të gjitha është komuna ku u takuan dy presidentët e republikave tona, të Shqipërisë e Italisë”, thotë ai.

Festa, nuk mund të ishte e plotë, pa prezencën e palës italiane, që krijoi një shtëpi të re për arbëreshët duke i lejuar të ruanin të forta rrënjët e tokës mëmë. Rosaria Suçurro është presidentja e provincës së Cosenzës që ka dhe numrin më të madh, prej 21 bashkish arbëreshe.

"E pritëm me entuziazëm të madh ftesën e presidentit Begaj. Provinca e Kozencës është provinca që ka më shumë komuna arbëreshe jo vetëm në rajonin e Kalabrisë por në të gjithë Italinë. Kjo e bën edhe më të veçantë lidhjen mes kësaj pjese të Italisë dhe Shqipërisë. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu, për mirëpritjen që na u bë nga presidenti, të cilin ne do ta mirëpresim sërish në territorin tonë. Aty identiteti arbëresh është i fortë, dhe ne po punojmë duke u ndihmuar edhe nga mirëpritja, historitë e këtyre dy popujve për të krijuar mundësi zhvillimi reciprok, në brendësi të një procesi që përfshin edhe promocionin turistik",- është shprehur Suçurro.

Damiano Baffa drejton bashkinë e San Cosmo Albanese, e thotë me krenari se në këtë provincë të Kozencës arbëreshët i ruajnë të forta traditat: Nga këngët, vallet, veshjet e madje festohet edhe Pavarësia e Shqipërisë.

"Komuniteti ynë ka nxjerrë në dritë dy personalitete të mëdha që kanë ruajtur lidhjet dhe kanë kontribuuar për Shqipërinë, duke nisur nga poeti Zef Serembe, që studiohet edhe në shkolla. Ndërsa personaliteti tjetër është Terenzio Toçi, patriot i yni që ngriti edhe flamurin e parë të Pavarësisë, në vitin 1911 në Fan të Mirditës",- deklaroi Baffa.

Umberto L’oreçhio beson fort se iniciativat kulturore, për të cilat presidenti Begaj është treguar i gatshëm se do ti mbështesë, do të krijojnë më shumë afri. Degëzimet janë gjeografike, sepse historia të çon në një rrënjë të përbashkët. Drejtuesi i bashkisë së Pallagorios, është pasardhës Anselmo Lorekio, themelues i revistës “La Nazione Albanese”. 100-vjetori i vdekjes së patriotit poliedrik do të kujtohet në këtë 3 maj.

“Unë përveçse jam nipi i tij, banoj në shtëpinë ku ai lindi dhe jetoi. Anselmo L’orekio shpenzoi pasurinë e tij për të mbajtur gjallë revistën “La Nazione Albanese” përmes së cilës donte t’i jepte zë popullit shqiptar. Kështu që unë prita 100-vjetorin për t’i bërë homazh, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti Begaj”, thotë Umberto.

K.M/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Një boksier në shtëpinë e Big Brother, kush është banori i ri

Një boksier në shtëpinë e Big Brother, kush është banori i ri