Dimensioni parlamentar i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë, përfaqëson dimension me rëndësi në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve
Ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi zhvilloi një takim me z. Anze Logar, kryetar i grupit të miqësisë parlamentare të Sllovenisë me Shqipërinë.

Gjatë takimit, ambasadori Qazimi nënvizoi vullnetin për kontakte, komunikim e bashkëpunim, duke theksuar në veçanti rëndësinë që diplomacia parlamentare ka në forcimin e lidhjeve e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Bashkëbiseduesit iu shpreh mirënjohje për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë për zhvillimin e demokracisë dhe integrimin Euro-Atlantik, liberalizimin e vizave, etj. Tema diskutimi gjatë takimit kanë qenë nevoja e vijimit të shkëmbimeve parlamentare, përfshi vizita, ekspertizë dhe asistencë në fushën legjislative sidomos për përshtatjen e legjislacionit integrues në BE, nevoja për mbështetje në hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE-në.

Në veçanti ambasadori bëri me dije se ende është e nevojshme që Shqipëria të jetë më e njohur për publikun slloven dhe për këtë Ambasada parashikon një numër angazhimesh, projektesh e veprimtarish të shtrira në përmbajtje, në kohë dhe në gjithë Slloveninë. Bashkëpunimi ekonomik, kulturor dhe në fusha të tjera, përfshi bashkëpunimin ndërparlamentar do të sjellin më afër dy popujt e dy vendet tona. Më tej ambasadori bëri një pasqyrë të zhvillimeve në Shqipëri, rolit të Shqipërisë për paqe e stabilitet në rajon, etj.

Bashkëpunimi parlamentar, i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Sllovenisë Anze Logar nga ana e tij bëri me dije se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve gjatë më shumë se dy dekadave të fundit kanë qenë vërtetë intensive. Në këto marrëdhënie përfshihet edhe përbërësi parlamentar. Ajo që së bashku të dy vendet realizojnë, është për të mirën e tyre të përbashkët.


Më tej ai u shpreh se, "rigarantojmë se bashkëpunimi ndërparlamentar ndërmjet dy vendeve tona do të intensifikohet e do të thellohet më tej. Sllovenia në mënyrë të qëndrueshme ka qenë në mbështetje të faktorit shqiptar. Në Slloveni kanë filluar më së pari në ish Jugosllavi lëvizjet në favor e në mbështetje të çështjes së Kosovës".
Gjithashtu, Logar theksoi se, Sllovenia përfaqëson një vend të vërtetë mik për Shqipërinë. Të shpresojmë e të punojmë, u shpreh bashkëbiseduesi, për thellimin e njohjeve, vizitave, shkëmbimeve përfshi ato parlamentare, bashkëpunimeve përfshi edhe me grupin parlamentar shqiptar të miqësisë me Slloveninë.

Bashkëbiseduesit ranë dakord që të vijojnë kontaktet e bashkëpunimet, përfshi pjesëmarrje në ngjarje e veprimtari kryesore që organizon Ambasada e Shqipërisë. /​ATSH/