Kandidatja e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, Keti Bazhdari ka lindur me 28 prill 1980 në qytetin e Shkodrës. Ajo ka studiuar Financë-Kontabilitet në Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër, ndërsa ka kryer masterin për Administrim Publik dhe Politika Publike.
Keti Bazhdari është filantrope dhe politikane. Ajo drejton një prej fabrikave më të mëdha të biznesit fason në vend dhe ka një cv mjaft aktive në projekte sidomos sociale. E fundit është fondacioni Aleanca Civile drejt Integrimit, apo "Cati Foundation". Bazhdari vjen nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist. Babai i saj është arrestuar në vitin 1956 si mbështetës i Revolucionit Hungarez të Imre Nagit.
Gjatë vitit 2010 Bazhdari u zgjodh në krye të Partisë Socialiste dega Shkodër. Në vitin 2012 ajo dha dorëheqjen nga ky post për të marrë drejtimin e grupit të ngritur nga Partia Socialiste për hartimin e programit për ish-të përndjekurit politikë.
Përzgjedhja që Kryeministri Edi Rama ka bërë për Shkodrën është pritur gjerësisht si nga baza e Partisë Socialiste në këtë qytet, por edhe nga aleatët që kanë shprehur mbështetje maksimale për këtë kandiaturë në qytetin verior.
Kandidatja e së djathtës në Shkodër, Voltana Ademi ka lindur në Shkodër, më 30 Shtator 1974. Ajo është e martuar dhe ka një fëmijë.
Voltana Ademi është eksperte në qeverisje dhe zhvillim territorial. Ajo është vlerësuar në nivelin shkëlqyer në studimet Master në këtë fushë në Universitetin "Zoja e Këshillit të mirë" dhe Universitetin e Palermos. Ajo është e diplomuar në Informatikë, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës.
Ademi, ka qenë Lektore në Informatikë të Përgjithshme dhe Programim pranë Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", në Fakultetet e Shkencave të Natyrës dhe atë Ekonomik. Në nga viti 2004 ajo është angazhuar në shërbimin publik në nivel vendor duke mbajtur pozicionin e Nënkryetares së Bashkisë Shkodrës në 2004-2007.
Kandidatja Ademi është angazhuar në punën kërkimore shkencore dhe në përgatitjen e një sërë analizash dhe studimesh në fushën decentralizimit të pushtetit vendor, në planifikimin strategjik e financiar vendor, në fushën e çështjeve sociale e gjinore, duke punuar në disa organizata të shoqërisë civile dhe në disa programe zhvillimi të mbështetura nga donatorë të huaj si Kooperacioni Zvicerran, USAID, Kooperacioni Italian dhe ai Gjerman në Shqipëri. Voltana Ademi është bashkëautore e një sërë publikimesh në fushën e decantralizimit të pushtetit vendor, në përgatijen e strategjive të zhvillimit dhe buxhetin afatmesëm për bashkitë dhe komunat. Ajo ka udhëhequr dhe ka punuar për zhvillimin dje zbatimin e metodologjive të reja, për hartimin e përpunimin e instrumentave të informatizuar me qëllim rritjen e efiçiencës, efikasitetit dhe transparencës gjatë ushtrimit të funksioneve dhe kompetencave nga pushteti vendor dhe ai qendror.
Ademi është anëtare e Partisë Demokratike që në vitin 1996. Ajo ka drejtuar forumin e Lidhjes Demokratike të Gruas në Shkodër që nga viti 2003 - 2008 dhe është zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar në 2005-2009.
Ajo është zgjedhur anëtare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe ka kryesuar grupin e Këshilltarëve të koalicionit të djathtë gjatë viteve 2007-2010 në këtë Bashki. Gjithashtu Ademi ka qenë Prefekte e Qarkut të Shkodrës dhe aktualisht ajo është Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.